Kosova sot mori një goditje nga aleati i saj kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për pezullimin për një kohë të pacaktuar të Dialogut të planifikuar Strategjik me Kosovën për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e qeverisë në detyrë të Albin Kurtit. Finalizimin e këtij dialogu e kishte proklamuar presidentja e vendit, Vjosa Osmani, si “një arritje të jashtëzakonshme” në fund të mandatit të Joe Biden. Por, as atëherë Qeveria Kurti s’kishte shfaqur ndonjë entuziazmi mbi këtë dialog, e cila e kishte përmendur “kalimthi” në një komunikatë për media.
Gazeta Express
Ish-zëvendëssekretari i Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma, i cili ishte në këtë post derisa Joe Biden ishte në krye të Administratës amerikane, më 10 janar të këtij viti erdhi në Kosovë dhe me vete solli lajmi se një marrëveshje mes Kosovës dhe SHBA-së për dialog strategjik do të finalizohet së shpejti.
Këtë ai ia kumtoi presidentes Vjosa Osmani në takimin e përbashkët që e zhvilluan në fillimvit në Prishtinë. Osmani më pas ishte që e shpërndau lajmin te publiku, duke e prezantuar këtë rezultat si arritje të saj meqë propozimin ia kishte bërë SHBA-së që nga viti 2021.
Presidentja Osmani pas takimit që pati me zyrtarin e lartë amerikan dha lajmin për “një të arritur të jashtëzakonshme” se i është konfirmuar nga ai se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik.
“Pas propozimit që i kam dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Presidente e Republikës qysh në vitin 2021, pastaj rikonfirmuar në qershor të vitit 2022 nëpërmjet notës verbale si dhe në takimin me Sekretarin Blinken në korrik 2022, si dhe pas një pune të jashtëzakonshme të ekipeve tona përgjatë viteve të kaluara, sot në takim me Zëvendës Sekretarin amerikan Richard Verma mu konfirmua se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik”, kishte shkruar atëherë Osmani.
Duke njoftuar se ekipet e të dyjave vende do të takohen së shpejti për ta finalizuar këtë marrëveshje, Osmani kishte thënë se ky dialog do të jetë një platformë që do të shërbejë për forcimin e bashkëpunimit në fusha të interesit strategjik e të dyanshëm.
Në njoftimin për media të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës nuk u pa entuziazmi që u shfaq nga Presidentja Osmani atë kohë.
Prioritet aty iu i ishte dhënë marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit.
“Ky takim që u zhvillua në kryeministri, u mbajt pas ngjarjes e lansimit të fazës së parë të parakualifikimit për dizajnimin dhe ndërtimin e sistemeve të ruajtjes së energjisë përmes baterive (BESS) në kuadër të marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit me vlerë prej 236.7 milionë dollarë. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti i falënderoi ShBA-të për mbështetjen e tyre dhe përkrahjen në kuadër të projekteve të energjisë”, kishte thënë atëherë derisa Kurti ishte kryeministër brenda mandatit.
Në paragrafin e njoftimit rreth marrëdhënieve dypalëshe u përmend edhe dialogu strategjik.
“Bashkë diskutuan edhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve tona, për mundësi të reja për avancimin dhe thellimin e tyre dhe për përfitimet nga Dialogu Strategjik”.
Çka është Dialogu Strategjik?
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur Dialog Strategjik me shumë vende të botës dhe përmes tij synojnë forcimin e marrëdhënieve, bashkëpunimin dhe strategjitë e përbashkëta në çështje si siguria, ekonomia dhe politika e jashtme. Me disa vende, SHBA synon që përmes tij të rrisë sigurinë dypalëshe, të nxisë inovacionin prosperitetin ekonomik dhe që të mbështesë vlerat e përbashkëta demokratike dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar.
SHBA ka Dialog Strategjik me vende si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Sllovenia, Italia, Greqia, Egjipti, Katari e të tjera. Ndërkaq, nga Ballkani Perëndimor, SHBA ka Dialog Strategjik me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Serbia gjithashtu tenton të vendosë Dialogun Strategjik me SHBA-në.
Nga vendet e rajonit ishte Maqedonia e Veriut e para që vendosi Dialog Strategjik me SHBA-në më 2 qershor 2022. Në këtë datë, qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe Maqedonisë së Veriut mbajtën një Dialog Strategjik në Uashington DC, i fokusuar në thellimin e partneritetit dypalësh.
Ndërkaq, Shqipëria u bë e dyta nga rajoni që nisi Dialog Strategjik me SHBA-në në tetor të vitit 2022. Kjo u pa si mundësi për zgjerim dhe forcim të mëtejshëm të bashkëpunim mes dy vendeve.