Lideri izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar me falënderime publike ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, për mbështetjen e tij të fuqishme, pas një postimi të Trump në “Truth Social”, ku kërkoi anulimin e gjyqit për Netanyahun, duke e lavdëruar atë.
Përmes një postimi në X, Netanyahu shkroi: “Faleminderit mikut tim, Presidentit Donald Trump, për mbështetjen e tij emocionuese ndaj meje dhe mbështetjen e madhe ndaj Izraelit dhe popullit hebre. Apeli i tij për të anuluar gjuetinë e shtrigave kundër meje dhe njohja e përpjekjeve tona të përbashkëta kundër kërcënimit bërthamor të Iranit vlerësohen shumë. Së bashku, ne do të vazhdojmë të punojmë për të mundur armiqtë tanë të përbashkët, për të liruar të burgosurit tanë dhe për të zgjeruar shpejt rrethin e paqes.”
Ky postim vjen si përgjigje ndaj mesazhit të Trump-it, ku ai e quan Netanyahu-n “ndoshta luftëtari më i madh në historinë e Izraelit” për shkatërrimin e një kërcënimi bërthamor Iranian.
“Bibi dhe unë kemi kaluar së bashku tani një rrugë ferri… Duhet të anulohet menjëherë gjyqi i Bibit Netanyahu ose t’i jepet atij një falje – si një hero i madh i vendit,” shkroi Trump.
Ndërkohë, reagimi i Netanyahut vjen vetëm pak orë para seancës së tij gjyqësore ku ai është i akuzuar, për korrupsion, mashtrim e thyerje besimi.