Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën për media të mbajtur më 18 nëntor bashkë me kryeministrin maqedonas Mickoski, ka thënë se nuk mendon që në Ballkan sot ka mendësi të etabluara për krijimin e Serbisë së madhe njëjtë sikurse në Serbinë e viteve 90-ta kur drejtohej Sllobodan Millosheviqi. Ndonëse përgjatë këtyre katër viteve s’kishte lënë media të huaj pa e përmendur rrezikun që i kanoset rajonit dhe Kosovës nga një sulm i ri nga Serbia dhe bashkëpunimi Vuçiq-Putin, Kurti në konferencën e djeshme ka thënë se s’beson që në Ballkan sot ka pikëpamje që synojnë që të përdorin ndasitë etnike për të shkaktuar konflikte, shkruan Gazeta Express
Gazeta Express
Përgjatë këtyre katër viteve sa Kosova është drejtuar nga Qeveria e kryeministrit Albin Kurti, sa herë flitej për aspektet e sigurisë, kryetema kanë qenë Serbia, Vuçiqi, Rusia, Putini dhe kërcënimi për luftë që i kanoset Kosovës nga Serbia. Këto janë përsëritur brenda Kosovës, e jashtë vendit në secilën media të huaj ku krerët e shtetit të Kosovës kanë pasur hapësirë të flasin.
Për sulmin terrorist të Banjskës përgjegjëse ishte Serbia, e kryeministri Albin Kurti në dhjetëra raste ka përmendur bazat ushtarake të Serbisë që janë rreth Kosovës dhe kishte thënë në vazhdimësi se në shtetin që drejtohet nga Aleksander Vuçiq po përgatitet një sulm të ri ndaj Kosovës. Kurti s’ngurronte të tregonte edhe kur forcat serbe i afroheshin kufirit të Republikë së Kosovës pak metra.
Ndërkohë që për presidentin e Serbisë ka thënë se s’distancohet nga Millosheviqi dhe Putini.
”Qëndrimet e fqinjit tonë verior janë të vjetra, dhe unë normalisht që kërkova marrëveshje ligjërisht të obligueshme, që normalizon raportet e që e ka njohjen reciproke në qendër, mirëpo në këtë aspekt s’ka përparim. S’ka distancim nga Millosheviqi, s’ka distancim nga Putini, e përveç qëndrimeve të vjetra, ka edhe çrregullime në sjellje do të thosha”, kishte thënë Kurti për RTK’në në vitin 2022 pas një takimi që kishte pasur me presidentin serb.
Vetë Kurti në nëntor të vitit të kaluar kishte thënë se rajoni s’është i sigurt nga Serbia, meqë ky shtet kërkon destabilizim të të gjithë Ballkanit Perëndimor.
“Pra fqinjët e Serbisë për sa kohë që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, nuk janë të sigurt nga Serbia, dhe kjo duhet të merret parasysh në Bruksel. Ata janë të zemëruar me shpërbërjen e Jugosllavisë, kanë menduar se mund ta shkatërrojnë dhe ta marrin gjysmën e saj, por nuk doli ashtu”, kishte deklaruar Kurti.
Hiq më larg se në mesin e shtatorit të këtij viti, kryeministri Albin Kurti kishte alarmuar se Serbia, konkretisht Aleksander Vuçiq, në bashkëpunim me Rusinë po përgatit kërcënime e ultimatume të reja.
Ndërkohë ,më 13 shkurt 2024, kryeministri Albin Kurti nga Londra, kishte folur për nevojën urgjente të nënshkrimit të Marrëveshjes Bruksel-Ohër, meqë sipas kreut të Qeverisë së Kosovës, Serbia e lë të hapur opsionin për ta pushtuar Kosovën.
“Në dritën e kësaj, një marrëveshje e nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është më urgjente se kurrë. Mosnënshkrimi i marrëveshjes që kemi është një shenjë e qartë e keqbesimit. Pra, ne kemi nevojë për besim në mënyrë që të kemi siguri juridike dhe zbatim të asaj që kemi rënë dakord deri më tani. Dhe kjo do të thotë gjithashtu kur ata refuzojnë nënshkrimin e marrëveshjes, se duan ta mbajnë të hapur një opsion për ta pushtuar Kosovën. Pra, unë nuk mund të shoh ndonjë kuptim tjetër thelbësor për refuzimin e nënshkrimit, atëherë ata duan ta mbajnë këtë derë hapur se do të ketë një dritare mundësie për t’u kthyer dhe për të bërë përsëri agresion”, kishte deklaruar kryeministri Albin Kurti në diskutimin e organizuar nga instituti “Chatham House” në Londër të Mbretërisë së Bashkuar
Ndonëse arkiva është e stërmbushur me deklarata e alarme për rrezikun që i kanoset Kosovës për një sulm të mundshëm të ri nga Serbia, kryeministri Albin Kurti në një konferencë të mbajtur të hënën më 18 nëntor në Prishtinë bashkë me homologun e tij maqedonas, ka thënë se nuk mendon që në Ballkan ka pikëpamje që mund t’i bënin dallimet ndër-etnike konflikte, raporton Gazeta Express.
Sipas kryeministrit të Kosovës, mund të ketë dëshira, por jo edhe mendësi të etabluara siç ishin në vitet e 90-ta, kur regjmi i Sllobodan Millosheviqit përdori dallimet ndër-etnike për të shkaktuar lufta të përgjakshme në përpjekjen për ta krijuar Serbinë e Madhe.
“Unë nuk besoj që dallimet ndëretnike shkaktojnë konflikt. Mund të ketë qendra politike që për pushtet, hegjemoni, dominim, për shfrytëzim e shtypje, përdorin dallimet etnike, por dallimi etnik si i tillë s’shkakton konflikt. Ne kemi gjithandej nëpër Ballkan sot duke punuar qytetarë të kombeve të ndryshme duke tregtuar, duke studiuar me njëri-tjetrin dhe unë s’besoj që në Ballkanin tonë ka pikëpamje të tilla të cilat do të mund të na i bënin dallimet ndër-etnike konflikte. Mund të ketë dëshira, por nuk besoj që ka më pikëpamje të etabluara siç ishin në vitet e 90-ta, kur edhe u ekspolatuan, sidomos nga Beogradi zyrtar, dallimet ndër-etnike për të shkaktuar luftërat e përgjakshme, që synonin ta krijojnë Serbinë e madhe prej asaj Jugosllavie gjithnjë e më të vogël”, ka deklaruar kryeministri Kurti në konferencën për media pas takimit të përbashkët të Qeverive të Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut./GazetaExpress/