Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar një protestë paqësore që do të zhvillohet më 16 maj në orën 17:00, në Tiranë, në ditën që zhvillohet Samitit Politik Evropian në Tiranë. Qëllimi i protestës, sipas Berishës, është sensibilizimi i opinionit ndërkombëtar për atë që ai e quan manipulim masiv të zgjedhjeve nga qeveria dhe veçanërisht nga kryeministri Edi Rama.
Berisha akuzoi për manipulime të rënda në votimin e diasporës, duke përmendur raste të rezultateve ekstremisht të njëanshme dhe një rritje të dyshimtë të zarfeve me vota nga Greqia, pas vizitës së Taulant Ballës atje. Ai e krahasoi situatën me një regjim autoritar, duke e quajtur procesin “në stilin e Koresë së Veriut”.
“Ky krim është po kaq monstruoz në diasporë. Ju e morët vesh besoj, se si në kutinë e Beratit për diasporën dilte PS 99.6 përqind. Pra, kemi të bëjmë me Korenë e Veriut. Kjo është e vërteta. Në qoftë se nga Greqia, ardhja me postë të zakonshme çdo ditë para se famëziu, krimineli Balla të shkonte me hordhinë e patronazhistëve në Greqi, ishte 1000-1300 zarfe, pas dërgimit të kriminel Ballës në Greqi, kanë ardhur 6 mijë zarfe, të gjitha të manipuluara.
Ju besoj se po e ndiqni numërimin e votave në diasporë se si ato janë me shenjat më të sigurta të falsitetit dhe manipulimit. Thirrja ime është kjo për të gjithë komisionerët që po bëjnë punë me vetëmohim, të numërojnë çdo votë në dëshmi të respektit tonë të palëkundur ndaj atyre që në kushte terrori kanë votuar për opozitën. Të regjistrojnë dhe të mbajnë shënim çdo parregullsi.
Libri i zi i këtyre zgjedhjeve shkruhet me datën 16 në ora 17:00 në Bulevardin e Parë për të sensibilizuar opinionin publik botëror mbi krimet monstruoze të përbindëshit elektoral Edi Rama, që nuk respekton asnjë rregull, asnjë ligj kombëtar dhe ndërkombëtar për zgjedhjet. Protesta do të jetë paqësore.
Ne garantojmë se nuk do ketë probleme që të cenojnë në shkallën më të vogël sigurinë e dinjitarëve që vijnë, por duam që ata të mësojnë se kanë qenë të ftuar nga një narkodiktator që nuk njeh ligj as moral për votën dhe vullnetin e qytetarëve të tij” , tha Berisha.