Pas humbjes së kampit të tij politik në garën për zgjedhjet e fundit presidenciale, kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka kërkuar një votë besimi për qeverinë e tij pro-BE.
Sipas Reuters, Tusk ka kërkuar votën e besimit ndërsa përpiqet të rifitojë vrullin politik pas humbjes së aleatit të tij, Rafal Trzaskowski, nga nacionalisti Karol Naërocki në zgjedhjet presidenciale të vendit, që u mbajtën më herët këtë muaj. Humbje kjo që ka nxitur parashikime për rënien e qeverisë së tij.
Para votimit, bëhet e ditur se Tusk i ka thënë parlamentit se nuk mund të “mbyllin sytë” ndaj realitetit se qeveria e tij përballet me “sfida më të mëdha”, për shkak të zgjedhjes së Karol Nawrockit si president – i mbështetur nga opozita e djathtë.
Dihet se në Poloni, presidenti ka të drejtën e vetos për ligjet, dhe Nawrocki, një konservator social që mbështet Donald Trumpin, kundërshton një Evropë federale si dhe pranimin e Ukrainës në NATO dhe BE. Ai pritet të vazhdojë të përdorë kompetencat presidenciale në mënyrë të ngjashme me paraardhësin e tij konservator, Andrzej Duda, gjatë 18 muajve të parë të mandatit të Tuskut.
Koalicioni i Tusk nuk ka mjaftueshëm vota për të përmbysur një veto presidenciale. Megjithatë, një konfirmim i ri nga parlamenti i jep qeverisë së Tuskut një pozicion më të fortë, të paktën për momentin.
Tusk gjithashtu ka njoftuar se do të ndërmarrë një riformatim të kabinetit në muajin korrik.