Pas Gyokeresit, Arsenali e ka në mendje edhe një transferim tjetër – vjen nga Premierliga - Gazeta Express
string(86) "pas-gyokeresit-arsenali-e-ka-ne-mendje-edhe-nje-transferim-tjeter-vjen-nga-premierliga"

Sport

Gazeta Express

27/07/2025 9:40

Pas Gyokeresit, Arsenali e ka në mendje edhe një transferim tjetër – vjen nga Premierliga

Sport

Gazeta Express

27/07/2025 9:40

Arsenali raportohet se ka vendosur objektivin e radhës në merkaton e verës, pas finalizimit të transferimit të Viktor Gyökeres.

Të shtunën në mbrëmje, “Topçinjtë” njoftuan zyrtarisht nënshkrimin e Gyökeres nga Sporting Clube de Portugal.

Sulmuesi suedez u transferua në “Emirates Stadium” për një marrëveshje që mund të arrijë deri në 73.5 milionë euro. 27-vjeçari do të mbajë fanellën me numrin 14, e bërë ikonike nga legjenda e klubit, Thierry Henry.

Duke folur pas transferimit te Arsenali, Gyökeres u shpreh: “Kur luaja te Sportingu, shënova disa gola në Ligën e Kampionëve, ndaj mendoj se mund të jem në atë nivel. Tani që jam këtu, në një klub të nivelit të Arsenalit, besoj se do të më ndihmojë të jap më shumë me të gjithë këta lojtarë të jashtëzakonshëm. Jam shumë i emocionuar të nis punën.”

Pas këtij përforcimi të madh, është raportuar se Arsenali ka tashmë në shënjestër lojtarin tjetër: Eberechi Eze të Crystal Palace.

Eze ka shkëlqyer te “Selhurst Park” në sezonet e fundit dhe shënoi golin vendimtar në finalen e FA Cup kundër Manchester City në maj.

Sipas “The Independent”, lojtari është i interesuar për një kalim në Londrën Veriore, dhe burime pranë tij janë të bindura se marrëveshja për transferimin e tij te Arsenali do të mbyllet brenda disa javësh.
Eze ka një klauzolë lirimi prej 68 milionë paundësh, por Arsenali shpreson të mbyllë marrëveshjen për një shumë më të afërt me 60 milionë.

I pyetur së fundmi për planet në merkato, trajneri Mikel Arteta tha:

“Ka ende shumë kohë deri në fund të merkatos dhe jemi ende në kërkim. Nga ana e numrave, jemi të shkurtër dhe duhet të përmirësojmë si thellësinë, ashtu edhe cilësinë e skuadrës. Jemi në vëzhgim të vazhdueshëm të tregut”./GazetaExpress/