Liderët e Tajlandës dhe Kamboxhias kanë rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte për t’i dhënë fund përplasjeve kufitare, ka njoftuar kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, pas bisedimeve të mbajtura në Malajzi mes dy fqinjëve të Azisë Juglindore, raporton Reuters.
Kujtojmë se konflikti i fundit kufitar mes Tajlandës dhe Kamboxhias shpërtheu javën e kaluar dhe është përshkallëzuar në përleshjet më të rënda midis dy vendeve në mbi një dekadë.
Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për nisjen e dhunës, e cila përfshiu bombardime të rënda artilerie dhe shkëmbime zjarri në disa pika përgjatë kufirit të përbashkët, që shtrihet për rreth 817 kilometra.
Përpjekjet për ndërmjetësim u shtynë përpara nga Malajzia, SHBA dhe Kina, dhe si rezultat, liderët e dy vendeve u takuan në Putrajaya (kryeqytetin administrativ të Malajzisë), ku u arrit marrëveshja për armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte, e cila pritet të ulë tensionet dhe të hapë rrugën për zgjidhje afatgjatë.