Pas cigareve, ja shkaktari kryesor i kancerit te mushkërive - sa i ekspozoheni - Gazeta Express

Pas cigareve, ja shkaktari kryesor i kancerit te mushkërive – sa i ekspozoheni

Shneta

Gazeta Express

01/06/2021 14:56

Pas duhanit, faktori kryesor që e shkakton kancerin e mushkërive është radoni. Nëse jeni duhanpirës dhe jetoni në një shtëpi ku i ekspozoheni niveleve të larta të radonit, atëherë ju dhe familjarët tuaj jeni në rrezik.

Përktheu: Shkëndije Berisha

Këto janë shkaqet kryesore që shkaktojnë kancerin e mushkërive dhe mënyra më efektive për t’u mbrojtur prej radonit mbesin të ashtuquajturit “testuesit shtëpiakë”, të cilët e përcaktojnë nivelin e rrezikshmërisë së ekspozimit të lartë ndaj radonit.

Radoni është gaz radioaktiv që formohet në mënyrë natyrore nga uraniumi, toriumi apo radiumi (metale radioaktive) dhe ndodhet në shkëmbinj, rërë dhe në dhe (tokë). Radonin mund ta marrim edhe përmes frymëmarrjes dhe, duke qenë se ai formohet në mënyrë natyrore, njeriu i ekspozohet atij vazhdimisht.

Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit në ShBA tregon që radoni është shkaktar i mbi 20.000 vdekjeve nga kanceri i mushkërive çdo vit në ShBA. Kur ne e thithim radonin, grimcat radioaktive të gazit të radonit ngjiten në mushkëritë tona. Me kalimin e kohës, këto grimca rrisin gjasat e zhvillimit të kancerit të mushkërive; madje, duhen disa vjet që të shfaqen simptomat e para.

Duhanpirësit mbeten më të rrezikuarit dhe EPA-ja rekomandon disa mënyra të mbrojtjes nga radoni në shtëpitë ku niveli i ekspozimit është më i lartë se 4 pikoCuri për litër (pCi/L). CURIE (Curi) është njësi matëse e përgjithshme e sasisë së radioaktivitetit.

Gjasat tuaja për të marrë kancerin e mushkërive nga radoni varen prej:

  1. Sasisë së radonit që ju i ekspozoheni në mjediset tuaja të shtëpisë (vendeve ku kaloni kohën më të madhe, p.sh. dhomat e gjumit dhe dhomat e ndejës)
  2. Sasisë së kohës që ju e kaloni në shtëpi
  3. Varësisht se a jeni duhanpirës apo rrethoheni nga duhanpirësit
  4. Faktit se a përdorni lëndë djegëse të tilla si: drurin, qymyrin apo substanca tjera që e ndotin ajrin.

Si ta testoni shtëpinë tuaj?

Linku (vegëza) i mëposhtëm ju ndihmon se ku mund të shërbeheni me testin për radon Find a Radon Test Kit or Measurement and Mitigation Professional | Radon | US EPA

Testimi i shtëpisë apo zyrës

Testimi nuk është aspak i shtrenjtë, është mjaft i lehtë dhe merr vetëm disa minuta. Mjafton vetëm ta hapni paketën dhe ta vendosni instrumentin matës në dhomën tuaj dhe ta lini aty për aq kohë sa dëshironi.

Testet afatshkurtra zgjasin prej disa deri në 90 ditë, ndërsa ato afatgjata mbi 90 ditë.

Mënyra të tjera për zvogëlimin e ekspozimit ndaj radonit janë:

  • Ndalo pirjen e duhanit
  • Rriteni sasinë e ajrit të pastër në dhomat e juaja, duke hapur dritaret dhe duke instaluar freskues ajri
  • Zëvendësojini lëndët djegëse që e ndotin ajrin me të tilla që nuk e ndotin
  • Nëse po doni të blini shtëpi të re apo të ndërroni lokacion, atëherë kërkoni teknika konstruktive për rezistencë ndaj radonit.