SPAK ka konfirmuar për Euronews Albania se ka regjistruar procedim penal për çështjen e inceneratorëve. Kreu i SPAK, Arben Kraja ka pohuar një fakttë tillë por nuk ka bërë publike informacione të tjera.
“Janë regjistruar procedimet penale për të gjitha kallëzimet. Do hetohet për të sqaruar çdo pretendim. Veprimet konkrete janë të prokurorëve dhe nuk mund të bëhen objekt publikimi”, ka bërë të ditur z. Kraja.
Kallëzim i parë në SPAK është bërë në qershor nga Nisma “Thurje”, ndërsa më pas Partia Demokratike ka depozituar tri kallëzime për secilin incenerator, Tiranës, Elbasanit dhe Fierit. Mësohet se është prokurori Dritan Prençi që ka bërë regjistrimin e procedimit dhe ka kërkuar informacion në disa prej institucioneve shtetërore, ndër to dhe pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Gjithashtu mësohet se të katër kallëzimet janë bashkuar në një objekt hetimi. Bëhet fjalë për dosje tejet voluminoze dhe do të duhet kohë për të hetuar. “Bën përshtypje që SPAK nuk ka nisur hetim kryesisht pasi ka pasur akuza edhe më herët. Hetimi ka nisur pas kallëzimit të Nismës “Thirrje”, që do të bashkohet me tre kallëzimet e PD pasi kanë një objekt të vetëm.
Çështja e inceneratorëve është kthyer në një prej temave më të nxehta të aktualitet politik. Edhe sot nuk kanë munguar akuzat nga lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kundërpërgjigja nga kryeministri, Edi Rama. Kreu i PD-së deklaroi se, “Mungesa e ofertës financiare, si kriter vlerësimi, tregon se inceneratori i Fierit është një skemë mafioze e zhvatjes së parave të taksave, se koncesionari mund të kërkojë sa të dojë nga shteti, pasi nuk ka vlerë tavan, janë shpenzuar 23.8 milionë euro për një kontratë që nuk ka të përcaktuar çmimin, a ka prokuror që nuk e kupton vjedhjen që po bëhet?!”.
Përballë akuzave kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të përgjigjet me kundër akuza duke bërë përgjegjës ish-kryetarin e Bashkisë së Tiranës për mos adresimin e problemit të mbetjeve. “Po Lulzim ka qenë PD dhe e tërë politika e vjetër e mbledhur në formë malesh me plehra në mes të Tiranës, Elbasanit, Fierit e kudo, ku falë impianteve moderne që do të vazhdojmë të ndërtojmë, do mund të mblidhen njerëzit e të gjitha moshave për parqet e për aktivitete gjithfarë!”,- shprehet Rama në Twitter.