Pasi që u ndanë gati dhjetë vjet më parë, një prej bendeve më të njohura femërore, “The Pussycat Dolls”, është ribashkuar, gjë të cilën frontmenja Nicole Scherzinger (41), e konfirmoi zyrtarisht.
Performancën e parë pas ribashkimit ato e kishin në emisionin ‘X Factor’, në të cilin Nicole është gjithashtu anëtare e jurisë. Ishin shumë të ngazëllyera, ndërsa Scherzinger theksoi se ky është vetëm fillimi, shkruan Daily Mail.
“Ishte e shkëlqyeshme që përsëri të këndonim së bashku. Energjia nga publiku ishte e jashtëzakonshme dhe na shtyu tutje”, – tha frontmenja.
Kështu, Scherzinger u rikthye në skenë pas dhjetë vjetësh me Kimberly Wyatt (37), Ashley Roberts (38), Carmit Bachar (45) dhe Jessica Sutta (37).
“Çfarë energjie! Magji e pastër. Sikur nuk ka kaluar e gjithë ajo kohë. Është e pabesueshme të jesh përsëri në skenë me vajzat, në një nivel krejtësisht të ri”, – shtoi Carmit.
Vajzat shkëlqyen në skenë, ndërsa Nicole e mahniti publikun me një kombinim veshjesh, shkruan KOHA Ditore. Për rikthimin e saj madhështor në skenë ajo e kishte veshur kominoshe me dantellë që i theksonte linjat e saj, ndërsa pamjen e plotësoi me çizme dhe grim magjepsës.
Ndër të tjera, Pussycat Dolls e planifikojnë një turne si pjesë e kthimit të tyre në skenën muzikore.
“Turneu do të jetë i madh dhe vajzat do t’i këndojnë hitet e tyre më të mëdha. Madje kanë përmendur edhe disa këngë të reja, por kjo nuk është konfirmuar”, – shkruajnë mediat e huaja. Koncertet më të mëdha do të jenë në Britani të Madhe, ndërsa të gjitha fillojnë vitin e ardhshëm.