Party në kohë “lufte” - Gazeta Express
string(19) "party-ne-kohe-lufte"

Party në kohë “lufte”

OP/ED

Gazeta Express

19/08/2022 10:49

Nën jehonën e deklaratave të politikanëve për një konflikt të ri, në Prishtinë u mbajt party më i madh në Kosovë. Mijëra vetë u mblodhën në “Sunny Hill” pa frikë se mund të ndodh një luftë të re, duke ia ofruar botës një fotografi krejt ndryshe. Kosovarët kanë nevojë për normalitet, jo frikë, ankth e pasiguri.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Diskursi i luftës është shfaqur sërish në Ballkan. Teksa ka folur kryesisht për media të huaja, kryeministri i Kosovës nuk ka nguruar të akuzojë Serbinë se është e interesuar për konflikt të armatosur me Kosovën.

Deklarimet e Albin Kurtit erdhën pas tensionimit të situatës ditën e fundit të korrikut në veri të vendit, pas vendimeve të qeverisë kosovare për reciprocitet në letërnjoftime. Serbët bllokuan rrugët, ndërkaq zbatimi i vendimit u shty për një muaj pas rekomandimit të amerikanëve.

Përderisa mediat “vlonin” nga titujt për mundësin e një konflikti të armatosur, Prishtina “vlonte” nga mijëra të rinj, nga brenda e jashtë, të cilët kishin ardhur të vizitojnë bienalen “Manifesta” dhe të marrin pjesë në festivalin “Sunny Hill”. Preokupim i tyre nuk ishte as lufta, as Serbia, as Albin Kurti, por se si të argëtoheshin më shumë.

Kryeministri e ka të qartë se një konflikt i armatosur nuk mund të ndodh, ndonëse mund t’i ketë arsyet e veta pse flet për të. Është lehtë të flasësh për luftë, të mbjellësh frikë e panik. Por, nëse e hap këtë muhabet, atëherë duhet të japësh më shumë informata për qytetarët që i qeveris, duhet të shpjegosh kontekstin për mundësinë e nisjes së një konflikti dhe duhet të tregosh se çfarë po bën e çfarë duhet të bëjë shteti që një gjë e tillë të shmanget ose, nëse ndodh, çfarë duhet bërë shteti që të mbrohet karshi agresionit të një shteti tjetër.

Deklaratat e Kurtit mund të jenë edhe mesazh për ndërkombëtarët, që të jenë syçelë për çfarëdo konflikti të ardhshëm, sidomos pas luftës në Ukrainë. Por, këto deklarime kanë bërë që pala tjetër, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq të luajë sërish rolin e viktimës, duke thënë se shteti i tij është i interesuar për paqe, e jo të vrasë dikë.

* * *

Nën “jehonën e luftës” në Parkun Gërmia të kryeqytetit u mbajt party më i madh në Kosovë. Për katër ditë me radhë, kosovarë dhe të huaj patën rastin që në “Sunny Hill” të ndjekin performancat e artistëve të tyre të preferuar.

Jehona e rrezikut për luftë u mbyt nga jehona e këngëve dhe ritmeve të DJ’ve. E vetë festivali me yllin Dua Lipa bëri jehonë në botë, duke u ofruar miliona njerëzve tregimin e një Kosove normale, që organizon festival me emra të njohur. Për më shumë ylli kosovar me famë botërore vizitoi edhe “Manifestan” dhe bëri thirrje që të vizitohen punët artistike të kësaj bienaleje. Mediat e huaja u vërshuan nga shkrime për “Sunny Hillin”, “Manifestan” e Prishtinën, duke ia ofruar botës një fotografi krejt tjetër nga ajo e paragjykuara, si një vend me shumë probleme dhe me mundësi të përfshirjes në një konflikt tjetër të armatosur.

Qytetarëve të izoluar të Kosovës – të vetëmve në Europë – këto ngjarje kulturore ua mundësuan që, të paktën për disa ditë, të ndihen si të gjithë të tjerët. Ua mundësuan të shijojnë art dhe të tregojnë se nuk dallojnë asgjë nga popujt tjerë të kontinentit, të cilët e kanë të mundur të lëvizin lirshëm, pa pritur për viza para ambasadave.

Atë çfarë bënë festivali dhe bienalja për prezantimin e një Kosove normale në botë, nuk e ka bërë dhe nuk mund ta bëjë politika për vite me radhë.

* * *

Albin Kurti, i cili ishte i pranishëm natën e fundit në festivalin “Sunny Hill” e ka pasur rastin të shohë se çfarë do të thotë normalitet dhe sa i nevojshëm është për rininë. E ka pasur rastin të shohë se si gjenerata të rinjsh, të rritur me tregimet për vuajtje, dhunë e luftë, duan të jetojnë e të sillen njësoj si moshatarët e tyre gjithandej Europës. Si kryeministër i vendit, ai e ka rastin të bëjë më të mirën jo veç për rininë, por për të gjithë qytetarët.

E ka rastin që të përmbyll dialogun dhe marrëveshjen me Serbinë, e ka rastin të zhvillojë vendin ekonomikisht, duke u krijuar njerëzve mundësi më të mira për jetë.

Natyrisht, për t’u arritur këto nevojiten punë e angazhim, e jo retorikë boshe për poenë politikë. Nevojitet shumë seriozitet.

Njerëzve iu intereson mirëqenia, arsimimi e shëndetësia më e mirë. Ata nuk janë të interesuar për diskurs që frikëson, e as për përplasje politike që nuk çon askund.

Serbia është pengesë, por nuk mund të jetë fajtor kujdestar për çfarëdo problemi që nuk gjen zgjidhje në Kosovë. Tregimet e mira si “Sunny Hill” e “Manifesta” duhet shfrytëzuar për të përçuar normalitet. Party, jo luftë.