Më 24 dhe 25 mars 2026, organizatat partnere të Platformës së Këshillit të Evropës për sigurinë e gazetarëve dhe organizata të tjera do të zhvillojnë një mision faktmbledhës dyditor në Prishtinë, Kosovë. Qëllimi i misionit është të adresojë sfidat ndaj lirisë së medias në vend dhe të diskutojë zgjidhjet e mundshme me akterët e medias dhe me autoritete.
Gjatë misionit, delegacioni do të trajtojë çështje si: presioni politik ndaj mediave; siguria e gazetarëve; kushtet e punës së gazetarëve; legjislacioni, përfshirë ligjin për media dhe amendamentet e propozuara; transmetuesin publik (RTK) dhe Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM); qasjen e gazetarëve në informata publike; kërcënimet ligjore, përfshirë paditë abuzive (SLAPP) dhe propozimet për rikriminalizimin e shpifjes; si dhe transpozimin dhe zbatimin e Direktivës Evropiane kundër SLAPP, Akti Evropian për Lirinë e Medias (EMFA) si edhe Akti për Shërbime Digjitale (DSA).
Kryeministri Albin Kurti tashmë ka konfirmuar takimin me delegacionin. Delegacioni do të takohet gjithashtu me redaktorë dhe gazetarë, anëtarë të komisionit parlamentar për media, autoritete gjyqësore, përfaqësues të Policisë, organe rregullatore dhe përfaqësues të transmetuesit publik.
Pas përfundimit të misionit dyditor, partnerët do të paraqesin gjetjet e tyre fillestare në një konferencë për media në Prishtinë më 25 mars 2026 dhe më pas do të publikojnë një raport për lirinë e medias, së bashku me një sërë rekomandimesh. Raporti do t’u shpërndahet organizatave relevante kombëtare dhe ndërkombëtare. Një mision i ngjashëm fatkmbledhës në Kosovë ishte organizuar nga Platforma edhe në vitin 2022. Misioni mbështetet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Rrjeti i pikave të Shell në Kosovë ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, pas kalimit në pronësi...