Zëvendëskryeministrja në detyrë nga radhët e komunitetit boshnjak, Emilija Rexhepi, i ka reaguar ashpër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikut, pasi ky kërkoi një qëveri tranzicionale.
Në letër, Abdixhiku përmend edhe komunitet pakicë, por sipas Rexhepit, qasja e Abdixhikut ishte “shoviniste”, pasi thotë se përfshin vetëm partitë shqiptare në Qeveri.
Ajo ka thënë se Kosova është multi-etnike, e nuk do t’i përkas vetëm një etnie, por gjithë qytetarëve.
Në këtë formë, Rexhepi keqinterpretoi letrën e Abdixhikut, ku nuk kërkohej një qeveri mono-etnike.
“E turpshme, e papranueshme dhe jashtëzakonisht e rrezikshme! Me këto fjalë mund ta përshkruaj deklaratën e liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, me të cilën komunitetet jo-shumicë në Kosovë injorohen dhe eliminohen hapur nga dialogu politik. Një qasje e tillë është shoviniste, politikisht regresive dhe thellësisht e dëmshme për vizionin e një Kosove moderne dhe multietnike. Si zëvendëskryeministre e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të drejtat e njeriut dhe për çështjet e komuniteteve jo-shumicë, por para së gjithash si boshnjakja më e votuar në zgjedhjet e fundit, duhet ta them qartë dhe me zë të lartë: Kosova nuk është dhe kurrë nuk do të jetë shtet i rezervuar vetëm për një grup etnik. Ajo i përket çdo qytetari të saj – qoftë ai shqiptar, boshnjak, turk, rom, serb, ashkali, egjiptian, goran apo kushdo tjetër që jeton dhe ndërton këtë vend”.
“Retorika që bën thirrje për formimin e qeverisë vetëm përmes partive shqiptare, duke përjashtuar përfaqësuesit e komuniteteve të tjera, nuk është asgjë tjetër veçse një mesazh urrejtjeje dhe mohimi i të drejtave themelore të njeriut, si dhe një shkelje e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo nuk është vetëm një gabim politik – kjo është një rënie morale. Është tronditëse dhe zhgënjyese që fjalë të tilla vijnë nga një lider i ri i LDK-së, nga i cili pritej një vizion përparimtar, bashkues e jo përçarës. Një deklaratë e tillë është fyerje për të gjithë ne që e konsiderojmë Republikën e Kosovës si shtetin tonë dhe që punojmë ditë e natë për demokratizimin dhe rrugën e saj evropiane”.
“Nuk do të heshtim. Nuk do të tërhiqemi. Do të jemi zëri i fuqishëm sa herë që tentohet të heshtet barazia, sepse Kosova është shtet multietnik të cilin do ta ndërtojmë së bashku”, ka shkruar ajo në Facebook. /Gazeta Express