Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha se të thirret seanca për zgjedhjen e Presidentit, të gjithë deputetët e kanë “detyrim” të jenë në sallën kryesore të Kuvendit dhe të votojnë.
Ajo kërkoi që të mos ketë “tendenca për ta bllokuar zgjedhjen e Presidentit”.
“Është e rëndësishme që t’i kemi 80 vota në kuti në dy rundet e para, dhe në të tretin mjafton me 61. Le të jenë të gjitha palët konstruktivë. Pra, pa propozime apo pa tendenca për ta bllokuar zgjedhjen e Presidentit. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese kërkon që të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të pranishëm dhe të votojnë. Pra, kërkesa që duhet të jenë 80 vota është e ndërlidhur me këtë: pra, sepse Gjykata Kushtetuese i ka detyruar deputetët që të jenë në nivelin e përgjegjësisë së tyre, pra të jenë të pranishëm dhe të votojnë”, tha ajo në një konferencë për media, pas një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit.
E pyetur se cilit aktgjykim po i referohej ndërsa e thoshte këtë, Haxhiu tha se bëhej fjalë për “rastin e ish-presidentit Pacolli”.
“Kjo është përsëritur edhe në aktgjykimet e tjera lidhur me konstituimin e Kuvendit, që deputetët duhet të jenë aty dhe të votojnë”, tha ajo.
“Prandaj, kërkesa që 80 vota duhet të jenë në kuti, pavarësisht për, kundër apo abstenim në dy rundet e para, ndërlidhet me këtë, që është detyrim i deputetëve që të jenë në sallë dhe të votojnë. Ju lutem që t’i shihni aktgjykimet dhe ta shihni se të gjithë deputetët e kanë për obligim që të jenë në sallë”, shtoi Haxhiu.
Partitë ende nuk kanë arritur pajtim për kandidatin për President, me kryeministrin Albin Kurti që ka paralajmëruar se mund të ketë edhe garë partiake, ku secila nga partitë kryesore garon me kandidatin e vet. Në këtë rast, nëse në proces do të merrnin pjesë 80 deputetë në dy rundet e para, në rundin e tretë mund të zgjidhej dikush me 61 vota, të cilat LVV-ja i ka.