Partitë politike kanë qëndrime të ndryshme rreth zgjedhjeve të jashtëzakonshme - Gazeta Express
string(78) "partite-politike-kane-qendrime-te-ndryshme-rreth-zgjedhjeve-te-jashtezakonshme"

Lajme

Gazeta Express

24/03/2026 8:42

Partitë politike kanë qëndrime të ndryshme rreth zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Lajme

Gazeta Express

24/03/2026 8:42

Gjykata Kushtetuese nuk pritet të dalë me një vendim përpara 31 marsit, që është edhe afati i fundit sa i përket dekretit të presidentes, Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit. Nga Gjykata Kushtetuese i kanë quajtur spekulime disa lajme se ajo mund të marrë vendim gjatë kësaj jave.

Ndërkohë, partitë politike kanë qëndrime të ndryshme nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ndonëse kishte dështuar zgjedhja e presidentit brenda afatit kushtetues, në LVV shpresojnë se ka ende kohë për një gjë të tillë. Deputeti, Adnan Rrustemi tha se ende nuk janë shteruar mundësitë për marrëveshje politike.

“Nuk janë shteruar, për shkak se koha ka qenë shumë e shkurtër; çështja është te vullneti. Nëse partitë politike kanë vullnet për t’i dhënë vendit një president dhe për t’iu shmangur zgjedhjeve, kjo është e mundur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.”, tha Rrustemi për rtv21

Por, nga opozita akuzohet LVV-ja se qëllimisht i ka dështuar bisedimet për marrëveshje politike, për ta dërguar vendin në zgjedhje. Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, tha se PDK-ja e ka të qartë se nuk ka hapësirë për bisedime me LVV-në për çështjen e presidentit, derisa nuk ka një vendim nga Gjykata Kushtetuese.

“PDK-ja e ka qartësuar tashmë pozicionin se ne nuk mund të zhvillojmë asnjë lloj bisedimesh derisa të ketë një vendim të Gjykatës Kushtetuese për procesin, për të cilin, parimisht, kemi ardhur si rezultat i paaftësisë rreth zgjedhjes së presidentit.”, deklaroi Shala për rtv21

Megjithatë, varësisht se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit të presidentes Osmani, partitë politike janë shprehur të gatshme për zgjedhje të jashtëzakonshme. Në LVV dhe PDK thonë se po punojnë në atë drejtim.

“Partitë politike, e veçanërisht LVV-ja, janë gjithmonë të gatshme për zgjedhje dhe sfida të tilla.”, theksoi Rrustemi.

“Presim që Gjykata të na orientojë sa më shpejt drejt zgjedhjeve, sepse ne jemi të gatshëm dhe po punojmë që procesi zgjedhor të jetë sa më i shpejtë, në mënyrë që vendi të dalë nga ngërçi.”, tha Shala.

Ndërkohë, edhe në LDK dhe AAK kanë thënë për RTV21 se janë të gatshme për zgjedhje të jashtëzakonshme, duke pritur nga Gjykata Kushtetuese një vendim mbi dekretin e presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Advertisement
Advertisement
Advertisement