Zgjedhjet e 9 shkurtit, të parat të rregullta, nuk prodhuan institucione të reja as pas afërsisht tetë muaj. Terreni po shtrohet për një proces elektoral të jashtëzakonshëm pasi edhe vendim i fundit i Gjykatës Kushtetuese, ka dyshime, se s’do të mund të zhbllokojë ngërçin në Kuvendin e Kosovës. Dy partitë, Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK, që njëra doli e para e tjetra e dyta nga gara e shkurtit, paralajmëruan zgjedhje të reja që mund të mbahen në fund të vitit. Për VV-në zgjedhjet e reja do të krijonin “qartësi” më të madhe për koalicione, ndërsa për PDK-në ato do të sillnin një shumicë të re pa partinë e Albin Kurtit në të.
Gazeta Express
“Zgjedhjet e reja parlamentare janë të domosdoshme”, tha të shtunën kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, një partnere e ngushtë e kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Megjithatë, para se të shkohet në zgjedhje, Kusari-Lila e pati një propozim të ngjashëm me atë të LDK-së për një qeveri të përkohshme derisa të shkohet në zgjedhje, por refuzoi që ideja e saj të lidhet me atë të LDK-së. Ish-shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes pranoi se zor që gjinden 61 vota për të bërë shumicën parlamentare që do të votonte qeverinë e re.
“Nëse vendoset interesi i shtetit përpara mund të jetë një marrëveshje e përgjithshme, jo në frymën se si e ka prezantuar LDK-ja, por mund të jetë një grupim parlamentar, se nuk ka nevojë që të gjitha partitë të jenë bashkë, nuk po flas me idenë e qeverisë së tranzicionit tash.
Ne po flasim për dakordim politik me agjendë specifike legjislative, jo ekzekutive”, tha ajo në një intervistë për Kosova Press të shtunën.
Ajo tha se me këtë shumicë do të mund të miratohej projektbuxheti për vitin 2026, si dhe disa marrëveshje ndërkombëtare që ndërlidhen me fondet e Bashkimit Europian për Kosovën.
Kusari-Lila shtoi se edhe nëse negociatat me Nismën rikthehen dhe ka pajtim, prapë nuk arrihen 61 vota për formimin e qeverisë, pasi koalicioni LVV-GUXO-Alternativa së bashku me disa prej komuniteteve joshumicë, i ka vetëm 57 deputetë. “Edhe nëse ne i rikthejmë ose ka ndonjë shans të ri, hipotetikisht, në negociata me Nismën, prapë nuk janë 61 vota.
Do të thotë, prapë ne do të kemi në njëfarë forme ndjeshmëri të lartë karshi funksionimit të mirëfilltë, për shkak se me gjashtëdhjetë e një, pastaj secili deputet do të bëhet, ose deputete do të jetë, të themi, çelësi i suksesit ose dështimit të secilës seancë”, kishte thënë ajo. Sidoqoftë, qëndrim ndryshe nga Kusari-Lila dha sot Kurti në një deklarim të rrallë për gazetarë rreth përgjegjësisë për krijim të institucioneve të reja.
Për më tepër, Kurti s’e bëri problematike sigurimin e votave, duke thënë se me nisjen e punës së Kuvendit, qeveria e re do të formohet. “Ne jemi Qeveria në detyrë, porsa të fillojë punën Kuvendi, e zgjedhim qeverinë e re. Unë jam në muajin e shtatë të vitit të pestë të mandatit të plotë katërvjeçar, pra është më shumë sesa që është dashur, herën e parë ishte më pak sesa që është dashur, herën e tretë do të jetë tamam”, tha Kurti.
Zgjedhjet e reja për partneren e Kurtit, Kusari-Lila, në situatën aktuale politike, s’ka opsion më të favorshëm përveç mbajtjes së tyre. Sipas saj, kjo formë do të ofronte një qartësi më të madhe në mundësinë e koalicioneve të reja.
Një koalicion të ri po e parashikon edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, në rast të zgjedhjeve të reja, për të cilat dha sinjal se vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në fund të këtij viti. Çitaku, sikurse e ka potencuar shumë herë partia e saj, e la fajtore për humbjen e gati tetë muajve “kryeneçësinë” e Albin Kurtit. Për këtë arsye, ajo përjashtoi kategorikisht çdo bashkëpunim me LVV-në edhe nëse bëhet fjalë për kompromise sa i përket postit të presidentit. “Është e dhimbshme që tani e shtatë-tetë muaj që Kosova është pa institucione.
Në këtë pikë kemi mbërri për shkak të kryeneçësisë dhe papërgjegjësisë edhe politike, por edhe qytetare të zotit Kurti. Kjo situatë të cilën e kemi është për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të tij. Kemi kaluar muaj të tërë në përpjekje për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit në ndërkohë që zoti Kurti me vetëdije të plotë e shkelte Kushtetutën.
Sikur bota të ishte mbarë nuk do të kishte nevojë të kishte zgjedhje, mirëpo tani duket që zgjedhjet e reja parlamentare në fund të këtij viti janë të pashmangshme”, tha ajo për RTV21.
Ajo tha se Vetëvendosje s’e ka shumicën parlamentare.
“Gjashtë muaj kanë thënë se kanë, tani po thonë se nuk e kanë. Po sillen me institucionet dhe me fatin e Republikës sikur fëmijët me një lodër. Ne shpresojmë dhe jemi duke punuar vazhdimisht në terren që pas zgjedhjeve të reja parlamentare peizazhi politik në Kosovë të ndryshojë. Të krijohet një shumicë e re parlamentare pa LVV-në dhe vendit t’i jepen institucione stabile që para së gjithash synojnë ta kthejnë normalitetin në vend”, tha Çitaku.
Ndryshe, dje Gjykata Kushtetuese e ka publikuar aktgjykimin e plotë pasi rreth 10 ditë më herët njoftoi se Kuvendi nuk është konstituuar. Instanca më e lartë gjyqësore në vend tha se propozimi për nënkryetarin serb duhet të vijë nga shumica e deputetëve nga radhët e këtij komuniteti. Partitë politike ende s’kanë dalë me qëndrime rreth këtij aktgjykimi derisa Kuvendi ka njoftuar se seanca konstituive do të vazhdojë nesër nga ora 10:00.
Prishtinë, tetor 2025 – Medieve në Kosovë u është shtuar një platformë e re që do të raportojë dhe...