Pas intervistimit të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, nga Prokuroria Speciale për rreth 5 orë, Partia Guxo shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me veprimet e fundit, që sipas tyre, dukshëm po jep shenja se është bërë pjesë e lojërave politike, duke vënë në shënjestër “Ministrin më të suksesshëm të Qeverisë Kurti 2, z. Faton Peci”.
Në reagimin e tyre në Facebook, thuhet se prokurori i rastit është ish-sekretar i Forumit Rinor të PDK’së në Prizren.
“E gjithë kjo çështje merr një shije edhe më të hidhur kur kihet parasysh që krejt “rastësisht” prokurori i rastit të sajuar është ish-sekretar i Forumit Rinor të PDK-së në Prizren. Ministri Peci është simbol i përkushtimit të palëkundur në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Me vendosmëri dhe integritet të lartë, ai ka qenë në vijën e parë të përpjekjeve për pastrimin e institucioneve dhe për rikthimin e besimit qytetar në shtetin e së drejtës”.
Tutje, këto veprime, partia Guxo po i cilëson si ‘sulme politike’.
“Partia Guxo qëndron fuqishëm përkrah Ministrit Peci dhe dënon çdo përpjekje për njollosjen e figurave të ndershme që punojnë për interesin publik. Këto sulme politike nuk do ta ndalin betejën tonë për një shtet të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët”, përfundon reagimi i tyre.