Partia e Kusarit festoi përvjetorin e themelimit, Kurti flet për nivel "shkencor" të bashkëpunimit mes tyre: Do të futet në manualet e shkencave politike - Gazeta Express
string(141) "partia-e-mimoza-kusarit-feston-pervjetorin-e-themelimit-kurti-bashkepunimi-me-alternativen-mbase-do-te-futet-ne-manualet-e-shkencave-politike"

Lajme

Gazeta Express

28/07/2025 11:21

Partia e Kusarit festoi përvjetorin e themelimit, Kurti flet për nivel “shkencor” të bashkëpunimit mes tyre: Do të futet në manualet e shkencave politike

Lajme

Gazeta Express

28/07/2025 11:21

Alternativa, partia e Mimoza Kusari Lilës dje mbajti një ceremoni me rastin e 8-vjetorit të themelimit të kësaj partie.

Këto tetë vjet të ekzistencës së Alternativës, kjo parti i konsideron “përpjekje e angazhim me frymën liberale për të lënë gjurmë në historinë politike të vendit”.

Në ceremoninë, e cila u quajt “madhështore”, mori pjesë edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i partisë Guxo, Faton Peci. Të pranishëm ishin edhe zyrtarë të tjerë të LVV-së.

Kurti e vlerësoi shumë bashkëpunimin me Alternativën, duke thënë madje se ai “mbase do të futet në manualet e shkencave politike”.

“Ndjehem i nderuar që jam sonte me ju, ku po shënojmë 8 vjet nga themelimi i partisë Alternativa. Tash e 6 vjet Lëvizja VETËVENDOSJE dhe partia Alternativa ecim së bashku në udhën institucionale të Republikës së Kosovës. Alternativës rregullisht i janë rritur votat dhe sivjet krahasuar me para 8 viteve kryetarja, Mimoza ka më shumë se karëfishin e votave. Ka qenë një bashkëpunim i ndërsjelltë me qëllime të përbashkëta dhe me mirëkuptimin për dallimet që nuk na ndajnë por na ndihmojnë të shohim të gjitha nuancat e shoqërisë. Alternativa ka dhënë dëshmi të plotë për besnikëri të votës dhe besimit të cilin na e kanë dhënë qytetarët. Sonte dua ta falënderoj kryetaren Mimoza Kusari-Lila për punën që ajo nuk e ndali kurrë për forcën e saj që s’ia pamë kufinjtë asnjëherë. Mimoza këto katër vite ju drejtoi ju por na drejtoi edhe ne si kryetare e Grupit Parlamentar. Ky bashkëpunim mbase do të futet në manualet e shkencave politike kur flitet për koalicionet dhe partneritetet”, është shprehur Kurti.

Ai tha se Mimoza Kusari Lila “ka qenë një shtyllë e rëndësishme e bashkërendimit ndërmjet legjislativit dhe ekzekutivit”.

Faton Peci, bashkëkryetar i partisë Guxo iu tha disa zyrtarëve të Alternativës se janë “me fat” që kanë “një lidere e cila është shembull pozitiv i bashkëpunimit e cila çdo herë e ka interes dhe prioritet Kosovën”.

“Kudo që Alternativa ka pasur përfaqësim unë kam parë përkushtim e angazhim maksimal. Mimoza është shembull pozitiv dhe pikë reference që duhet me u ndjek edhe nga gjeneratat e reja”, tha Peci.

Kusari Lila, ndërkaq, tha se Alternativa kishte nisur me “idealin dhe zellin e ofrimit të mendimit të ri politik, orientimit liberal të qendrës, përfshirjes dhe ngritjes së angazhimit të të rinjve në jetën politike”.

“Një e vërtetë vazhdon të na rikonfirmohet, Demokracia dhe shteti i lirë nuk mund të merren për të mirëqena. Ato duhet mirëmbajtur dhe kultivuar me dashuri dhe pasion çdo ditë dhe nga çdo nivel. Përbrenda vendit, duhet të mbajmë fokusin tek platforma zhvillimore dhe tek zvoglimi i konfrontimit. Na duhet një sistem i së drejtës, profesionist dhe me integritet”, tha ajo.