Parlamenti kap fundin/ 94 deputetë votojnë pro pa e ditur çfarë votuan - Gazeta Express

Parlamenti kap fundin/ 94 deputetë votojnë pro pa e ditur çfarë votuan

Shqiperi

Gazeta Express

19/01/2021 9:35

Kuvendi i Shqipërisë kapi një tjetër rekord degradimi në historinë e zhbërjes së parlamentarizmit, me seancën e kësaj të hëne. 94 deputetë, nga Partia Socialiste dhe disa të tjerë nga ajo që vetëquhet në mënyrë qesharake si “opozita parlamentare” votuan symbyllur për një marrëveshje, ku nuk e dinin se çfarë ishte shkruar. Akti nuk ka precedent. Nëse më parë, projektligjet diskutoheshin qoftë edhe formalisht nëpër komisione, nëse në seanca parlamentare mund të kishte ndonjë oponencë, ose edhe ndonjë amendim ligjesh, me seancën e 18 janarit, Edi Rama kulmoi me keqpërdorimin që i bëri parlamentit, kur detyroi 94 burra dhe gra të votojnë Pro një dokumenti që as nuk e kishin lexuar.

Zërat kundër këtij poshtërimi qenë të paktë. Ishte Ralf Gjoni dhe Rudina Hajdari që vunë në dukje absurdin e seancës parlamentare, duke kërkuar që të paktën të njiheshin më parë me marrëveshjen për furnizimin e Shqipërisë me vaksinat e Pfizer. Gjoni tha se Rama po tallej me parlamentin, të cilin e krahasoi me një çerdhe fëmijësh, të cilët po i binden një edukatori. Rudina Hajdari kërkoi një minimum transparence. Por në përgjigje të ankesave, Gramoz Ruçi tha se deputetët mund të shkonin nëpër komisione, sepse atje do të gjenin marrëveshjen dhe aty mund ta lexonin tekstin e saj.

Pra në fillim, deputetët duhet ta votonin marrëveshjen në parlament, pastaj mund të njiheshin me të. Kështu ndodhi. 94 deputetë votuan Pro, në një fletë ku iu servirej vetëm emri i Akteve të propozuar nga qeveria.

Ndërkohë që kishte nisur votimi, në sallën e parlamentit ka mbërritur edhe kryeministri i Shqipërisë. Rama u foli deputetëve që jepnin votën qorrazi, për vështirësisë që kishte hasur për gjetjen e vaksinës. Ndërkohë pati zemërgjerësinë t’u zbulonte edhe ndonjë detaj nga dokumenti.

“Ne e kemi ndeshur në veët të parë vështirësinë. Ka një element që duhet pasur parasysh që vendet për të bërë marrëveshje me njëra-tjetrën, qoftë për të dhuruar, shitur apo shkëmbyer duhet patjetër që të marrin leje nga Pfizer. Ndryshe ky transaksion është i pamundur. Kështu shkruhet edhe në marrëveshjen që ne sapo kemi konkluduar. Sipas marrëveshjes në parim do të vijë brenda janarit dhe pastaj shkallë shkallë mund të porosisim sasi të tjera edhe drejpërdrejt nga Pfizer, mëqe e kemi dakorduar edhe në marrëveshje. Ky është një proces që ka të papriturat e veta”, tha Rama, i cili nënvizioi se objektivi është përfundimi i vaksinimit për 14 muaj.

Kreu i qeverisë refuzon të tregojë se nga mbërritën dozat e para të vaksinës Pfizer në Shqipëri. Sipas tij, qeveria që pranoi të ndihmojë Shqipërinë ishte nga një shtet i BE-së, por për të evituar polemikat brenda vendit, ka kërkuar që emri i tij të mbahet sekret. Për arsye që mbeten të paqarta edhe marrëveshja që mundëson furnizimin e qindra mijëra dozave nga Pfizer, sërish është mbajtur sekret.

Votimi i sotëm në Kuvend ishte paralajmëruar nga Gramoz Ruçi. Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Ruç tha se “marrëveshja është e panegociueshme dhe është kërkuar, që marrëveshja të lidhet me konfidencialitetin, pra është sekret. Pra, kërkon mospublikimin e marrëveshjes për shkak të sekretit tregtar, që kjo marrëveshje të mos publikohet, duke filluar që nga mjetet e shtypit apo faqet e Kuvendit, siç është rasti konkret dhe deri te fletoren zyrtare, si dhe të gjitha institucionet e përfshira në dhënien e mendimit, miratimit apo që janë pjesë e procesit, kanë detyrimin të mos bëjnë publike marrëveshjen bashkëlidhur këtij akti normativ, apo pjesë të saj”.

Lapsi.al