Parlamenti i Iranit votoi të mërkurën për ta pezulluar bashkëpunimin e vendit me agjencinë bërthamore të OKB-së, Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), raportoi media shtetërore IRIB.
Vendimi nga Asambleja Konsultative Islamike e Iranit, e njohur si Majles, tani duhet të ratifikohet nga Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare i kryesuar nga Presidenti Masoud Pezeshkian, shkruan CNN.
Votimet nga Majles, veçanërisht kur kanë të bëjnë me çështje të politikës së jashtme, shpesh konsiderohen simbolike nëse nuk mbështeten nga organi më i fuqishëm i zgjedhur nga Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei. Të dielën, pas sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane, komiteti i sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme i parlamentit propozoi para legjislaturës që ngushtica e Hormuzit, e cila shtrihet në bregun jugor të Iranit, të mbyllet. Edhe ky vendim në fund do të varej nga Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare.
IAEA ka kërkuar rifillimin e marrëdhënieve me Iranin, të pezulluara nga sulmet e paprecedenta të Izraelit ndaj objekteve bërthamore në vend që nisën më 13 qershor.
Të martën, agjencia publikoi një deklaratë duke mirëpritur fundin e konfliktit 12-ditor, duke thënë se “inspektorët e IAEA-së kanë qëndruar në Iran gjatë gjithë konfliktit dhe janë të gatshëm të fillojnë punën sa më shpejt të jetë e mundur, duke u rikthyer në objektet bërthamore të vendit dhe duke verifikuar inventarët e materialit bërthamor – përfshirë më shumë se 400 kg uranium të pasuruar deri në 60% – të cilin ata e verifikuan për herë të fundit disa ditë para fillimit të sulmeve ajrore izraelite më 13 qershor.
CNN ka kontaktuar IAEA-n për komente të mëtejshme.
Sunny Hill Festival po afron dhe banka ProCredit, si sponsor gjeneral i festivalit, të sjell më afër skenës magjike...