Këshilli Bashkiak i Parisit ka marrë një vendim në nderim të shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare, për vendosjen e një pllake përkujtimore në adresën 63, bulevardi Saint-Michel.
Në këtë adresë, Kadare dhe familja e tij jetuan për shumë vite dhe ku ai krijoi disa prej veprave të tij.
Për këtë ka shkruar e bija e të ndjerit, Besiana Kadare, e cila tha: “Parisi i bëri dje një nderim të denjë Ismail Kadaresë, në qytetin ku ai jetoi dhe krijoi një pjesë të veprës së tij universale.
“Këshilli Bashkiak i Parisit votoi me unanimitet për vendosjen e një pllake përkujtimore në adresën tonë 63 boulevard Saint-Michel 75005, ku lindën disa nga faqet më të ndritura të letërsisë shqipe. Kadare ishte një ndërgjegje evropiane e farkëtuar në tokën shqiptare. Ai e përshkroi identitetin dhe rrugëtimin e kombit shqiptar si thellësisht evropian shumë përpara se ta njihte Brukseli”.
Besiana Kadare tha se “ky gjest fisnik i Europës nderon jo vetëm autorin, por edhe Shqipërinë dhe kontributin e kulturës sonë në ndërtimin e qytetërimit shpirtëror evropian, përtej kufijve dhe politikës”.
“Disa herë janë të tjerët që na kujtojnë më mirë se kush jemi dhe çfarë i kemi dhënë botës. Faleminderit Parisit dhe Francës për këtë përkujtim plot dritë!”.
Lajmin e bëri të ditur në një reagim në rrjetet sociale edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Francë, duke e cilësuar këtë vendim si një akt nderimi jo vetëm për Kadarenë, por për mbarë kulturën shqiptare.
“Këshilli Bashkiak i Parisit i bëri një homazh të gjallë dhe emocionues kolosit të letrave shqipe Ismail Kadare dhe, nëpërmjet tij njëkohësisht edhe Shqipërisë dhe kulturës shqiptare, teksa votoi sonte në mbrëmje, me unanimitet, për vendosjen e pllakës me emrin dhe në nderim të Ismail Kadaresë, në adresën 63 boulevard Saint-Michel në Paris, vendi ku ai dhe familja e tij jetuan për shumë vite dhe ku autori shkroi disa nga faqet më të bukura të letërsisë së tij. Faleminderit Parisit, faleminderit Francës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës”./Express/