Paris Saint-Germain arriti më në fund majën e Evropës të shtunën, duke fituar Ligën e Kampionëve për herë të parë në histori me një fitore të thellë 5-0 ndaj Interit në finalen e zhvilluar në Mynih.
Mes shumë historive që dolën pas kësaj finaleje, njëra që u përmend shpesh nga tifozët neutralë lidhej me Kylian Mbappé.
Mbappé kaloi shtatë sezone te PSG (2017–2024) përpara se të transferohej te Real Madrid verën e kaluar.
Gjatë kohës së tij në Paris, ai nuk arriti të fitonte Champions League, dhe shumë vëzhgues nuk vonuan të theksonin se PSG ia doli ta fitonte trofeun pikërisht në sezonin e parë pa të.
Megjithatë, Mbappé nuk tregoi asnjë shenjë hidhërimi për suksesin e ish-skuadrës së tij. Përkundrazi, ai u shpreh publikisht në Instagram, duke uruar PSG-në për arritjen historike:
“Dita e madhe më në fund ka ardhur. Fitore dhe me stil nga i gjithë klubi. Urime, PSG!”
Mbappé, i cili pritet të marrë fanellën me numrin 10 te Real Madrid sezonin e ardhshëm, pati një sezon të shkëlqyer në aspektin personal gjatë 2024/25: fitoi Këpucën e Artë Evropiane dhe Trofeun Pichichi si golashënuesi më i mirë në La Liga.
Por nuk fitoi asnjë trofe madhor, pasi Barcelona dominoi në Spanjë, duke fituar një trefish kombëtar: La Liga, Copa del Rey dhe Superkupën.
Mbappé do të kërkojë me ngulm të fitojë Champions-in me Real Madridin, por do t’i duhet të presë të paktën deri në vitin 2026.
Xabi Alonso, që pritet të marrë drejtimin e skuadrës, shihet si një figurë që mund ta rikthejë Realin te lavdia evropiane, dhe klubi mbështet fort në vizionin e tij.
Për momentin, Mbappé mund vetëm të shohë nga larg teksa ish-klubi i tij feston triumfin më të madh në histori. Ai dhe Real Madrid shpresojnë që radha e tyre të vijë në vitin 2026.