Koalicioni i të Vullnetshmëve, një grup prej 31 shtetesh që kanë premtuar mbështetje të përforcuar për Ukrainën përballë agresionit rus, do të krijojë një seli të përhershme në Paris, me plane për ngritjen e një celule koordinuese edhe në Kiev.
Sipas SkyNews, nga marrëveshja e arritur sot është rënë dakord që grupi të krijojë një seli operacionale shumëkombëshe në nivelin “tre yje” në Paris, e cila do të udhëhiqet nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, ku Franca do të mbikëqyrë të gjitha çështjet taktike dhe operacionale të ndihmës ndaj Ukrainës.
Sipas planit, pas 12 muajsh, selia do të zhvendoset në Londër për një rotacion të mëtejshëm të drejtimit.
Raportohet se kjo strukturë do t’u japë partnerëve mundësinë që të kontribuojnë me forca ushtarake në mënyrë fleksibël dhe të dërgojnë ekipe për detyra të ndryshme operacionale. Tutje thuhet se “në momentin kur forcat e Koalicionit të dislokohen në terren, do të ngrihet gjithashtu një celulë koordinuese në Kiev, e cila do të drejtohet nga një oficer britanik me gradë të dy yjeve.”