"Parasite" – e paharrueshmja kinematografike - Gazeta Express
string(40) "parasite-e-paharrueshmja-kinematografike"

“Parasite” – e paharrueshmja kinematografike

Gazeta Express

10/02/2020 17:55

Ajo që e bën edhe më të arritur këtë film, është tema minimaliste e tij që kalon në përjetim të paharrueshëm. I shpërblyer me të gjitha vlerësimet për të cilat ka garuar, qoftë edhe duke thyer konzervativizmin e vlerësimit Oscar, duke fituar çmimin më të lartë edhepse film jo amerikan, e bën filmin Parasite fenomen kinematografik

Ballsor Hoxha

Lexo Edhe:

“Plani është të mos kesh plan”

Filmi koreano jugor “Parasite” (Parazit) nga regjisori Bon Joon Ho, fitues i Palmës së Artë në festivalin prestigjioz të filmit në Kanë, është edhe fitues i çmimit më të lartë të Oscar. Është filmi që ka fituar të gjitha shpërblimet e para për këtë vit. Në të vërtetë është fenomen kinematografik, jo vetëm në shprehjen e tij por edhe në shpërblimet që ka marrë.

Filmi Parasite është film që krijon të paharrueshmen artistike. Në të vërtetë ky është fenomen artistik tek të gjithë filmat e mëdhenj, pikërisht përjetimi i të paharrueshmes që krijojnë. Megjithëse është përpjekje e shpeshtë në kinematografinë botërore, aq sa ka kaluar në komerciale kjo përpjekje, e paharrueshmja është spontane në të vërtetë, nuk ka skemë dhe as metodë. Në të vërtetë filmi Parasite e krijon këtë paharrueshmëri kinematografike nëpërmjet kalimit regjisorial në dinamikë të orkestruar mjeshtërisht të kthesave, si në përmbajtje, xhirim dhe perspektivë regjisoriale. Gjë që krijon ndjesinë e pafundësisë së magjisë së këtij filmi, dhe pafundësinë e përjetimit kinematografik.

Filmi Parasite e ndërton këtë paharrueshmëri duke ndërtuar pafundësinë e spektaklit kinematografik në dy shtresa: në përmbajtje dhe në kthesa skenike.

Ajo që e bën të paharrueshme përmbajtjen e këtij filmit, megjithëse kulturë më e lartë shprehjeje ndaj filmit Oscar në përgjithësi, është ndërthurja e dy shtresave të saj: njeriut i cili i është dorëzuar dhe i cili i dorëzohet sistemit të korruptuar të shoqërisë, dhe shtresës së asaj që njihet si “poetic justice” (drejtësia poetike).

Përmbajtja e filmit nisë me familjen protagoniste e cila jeton tërësisht e nënshtruar në llumin e shoqërisë koreano jugore. Pastaj ajo arrin të ndërtoj një sistem parazitor të të jetuarit në kurriz të familjes së shtresës së të pasurve. Më tutje gjatë filmit edhe familja e shtresës së të pasurve fillon të jetoj në kurriz të familjes protagoniste – parazitë. Pastaj me shtjellimin e përmbajtjes së filmit, edhe një familje tjetër zbulohet duke jetuar në kurriz të të tjerëve. Këtu krijohet konflikti, gradualisht duke filluar të na zgjoj nga një padjallëzi parazitore. Pason kulminacioni i skenarit ku ndodh një masakër tmerruese, në ditëlindjen e një fëmije, në kopshtin luksoz të të pasurve, me një mori të ftuarve dhe në atmosferë festive masakrohen të tri familjet. Kjo kthesë krejtësisht e paparashikueshme por e natyrshme, arrin tej të zakonshmes kinematografike, duke orkestruar një shpërthim të skenarit, duke e kapur njeriun në shpërthim prej pdjallëzisë në masakër tmerruese Vetëm në këtë kthesë të përmbajtjes prej një mashtrimi që e pranojmë si shikues, në një masakër krejtësisht tmerruese hasim në njeriun e vërtetë. Në tërë egërsinë që i mbrunë. Në të vërtetë kthesa e përmbajtjes është shpërthim krejtësisht spontan i njeriut nën trysninë e krimit. Krimi i cili ndodh në të shumtën e filmit është krejtësisht i padjallëzuar në dukje dhe krejtësisht komik. Dhe kalimi i tij prej një padjallëzie në masakër të tmerrshme e tronditë përmbajtjen duke thelluar idenë e filmit.

Por skena e masakrës tmerruese që vjen krejtësisht e paparashikueshme, ngritët në shtresën edhe më të lartë të përmbajtjes duke e vendosur drejtësinë poetike të të jetuarit në krim.

Në të vërtetë, kur çdo gjë ka shkuar në djall për familjen protagoniste dhe derisa janë zhytur në krim të rëndë, protagonisti i babait të kësaj familjeje deklaron” plani është të mos kesh plan”. Pikërisht ai

mbetet i mbyllur në bodrumin e shtëpisë së viktimave të tij, dhe atë në vendin ku ka jetuar anëtari i familjes tjetër viktimë të tij, me një jetë – pa plan -. Kjo pikërisht përmbyllë përmbajtjen e këtij filmi duke e krijuar drejtësinë poetike që e gjen atë.

Filmi “Parazit” është film me një bukuri të rrallë regjisoriale. Në të vërtetë ngjarja e tij është e filmuar me aq precizitet, durim dhe mjeshtri sa që derisa shikuesi përjeton habinë e kthesave kinematografike ai gjithashtu është i shtjelluar në ironinë e filmit. Në të vërtetë shikuesi nuk arrin asnjëherë të dali para këtij filmi, siç ndodh në të zakonshmen e kinematografisë. E paharrueshmja duke qenë e natyrshme brenda këtij filmi.

Në të vërtetë e paharrueshmja që ndërton, krijon dhe shprehë “Parasite” është tronditja që e përjetojmë gjatë tërë filmit. Tronditje dha habi tërësisht e papërsëritshme dhe e thellë. Parasite është film i cili ka për rrjedhë të rrëfimit skena të imta apo minimaliste, e deri tek skenat gjigante të inskenimit të katastrofës edhe natyrore e edhe të sistemit të shoqërisë. Kështu duke bartur rrëfimin të orkestruar me bukuri të rrallë të të rrëfyerit, nga një situatë të rrafshit të reales së përditshme në skena gjigante të cilat krijojnë spektaklin kinematografik. Kjo lojë e kthesave krejtësisht të papritura është e rrëfyer në një precizitet regjisorial i cili të le të tronditur artistikisht dhe të shënjon deri në habi të plotë të zgjidhjes së tyre gjatë filmit Parasite.

Filmi Parasite nisë me skenën e të qenit përballë pijanecëve që urinojnë mbi shtëpinë e familjes protagoniste. Një jete miniaturale që është përmbyllur në parazitësinë e saj në një bodrum. Pastaj filmi kalon në një shtëpi ëndërrore, me jetë krejtësisht ekskluzive. Më pastaj hasim në një bodrum krejtësisht të paparashikueshëm dhe krejtësisht të çmendur. Dhe prej këtu, krejtësisht papritur, filmi kalon dhe hapet në skena gjigante, siç janë inskenimi i vërshimit gjithëpërfshirës të qytetit ku ndodh ngjarja. E deri tek inskenimi i strehimit të një pjese të madhe të qytetarëve për shkak të po të njëjtit vërshim.

Orkestrimi perfekt i kësaj tragjedie komike krijon lojën e ironisë duke i dhënë mundësinë parazitit, apo jetës parazitare që të arrijë “ndreqjen e fatit” dhe më pastaj duke e vënë në vendin e tmerrshëm të izolimit dhe të tragjedisë. Kështu jo vetëm duke krijuar drejtësinë poetike por edhe duke zgjedhur përfundimin krejtësisht të qëllimshëm regjisorial të të jetuarit pa plan. Jeta pa plan apo në përhershmëri të gjërave, përbrenda korruptimit të shoqërisë, krijon dorëzimin e njeriut nga përpjekja për ndryshim dhe me këtë e bën të përhershëm vetë sistemin dhe e vendos atë si fat të pakthyeshëm, në tendencë jo vetëm të të jetuarit të të keqes por edhe të krimit dhe të padrejtës.

Ajo që e bën edhe më të arritur këtë film, është tema minimaliste e tij që kalon në përjetim të paharrueshëm. I shpërblyer me të gjitha vlerësimet për të cilat ka garuar, qoftë edhe duke thyer konzervativizmin e vlerësimit Oscar, duke fituar çmimin më të lartë edhepse film jo amerikan, e bën filmin Parasite fenomen kinematografik. E zbulon të paharrueshmen e tij si përpjekje autoriale dhe jo si skemë të cilën e kërkojnë filmat e sotshëm. Zbulon mjeshtërinë e filmit si natyrshmëri e jetës, e jo si pushtet, qoftë i vënë në skemë siç është Oscar, dhe as si tronditje me temë gjigante. Është pikërisht ajo që u tha më lartë që e bën të paharrueshëm këtë film, krijimi i pafundësisë së spektaklit kinematografik.