Një letër e shkruar në vitin 1969 nga një vajzë 11-vjeçare është zbuluar rastësisht në Peterborough dhe ka habitur publikun për shkak të parashikimeve jashtëzakonisht të sakta për zhvillimet teknologjike të së ardhmes, përfshirë edhe thirrjet me video.
Dokumenti u gjet i fshehur pas një divani nga Peter Beckerton, 67 vjeç, ndërsa po restauronte një mobilje antike të blerë dorë të dytë për një klient. Letra mban datën 23 shkurt 1969 dhe duket se është një ushtrim shkollor, ku autorja imagjinon se si do të ishte jeta në vitin 1980.

Në përmbajtjen e saj, vajza përshkruan një revolucion të madh teknologjik dhe, në mënyrë befasuese, përmend diçka shumë të ngjashme me atë që sot njihet si Zoom apo thirrje me video. Duke treguar kthimin e bashkëshortit nga puna, ajo shkruan:
“‘Përshëndetje e dashur,’ më tha ai. ‘Duhet të telefonoj një shokun tim.’
‘Atëherë rregullohu pak,’ i thashë unë.
Por tani telefoni është ende një marrës, vetëm se mund t’i shohësh njerëzit me të cilët flet, sepse ka një ekran ku ata shfaqen. Është pak a shumë si një televizor.”
Divani ku u gjet letra ishte sjellë për restaurim pasi ishte blerë i përdorur, dhe letra ishte fshehur brenda tij për dekada me radhë.
Rosa Beckerton, bashkëshortja e Peterit, nga Peterborough i Cambridgeshire-it, vendosi ta bëjë publike zbulimin me shpresën për të gjetur autoren, e cila sot do të ishte rreth 62 vjeçe dhe mund të jetojë ende në zonë.
“Kur ma tregoi burri, nuk e besoja dot. Mendova: ‘O Zot, shiko këtë’. Ishte tepër interesante, sepse sot sheh që shumë nga parashikimet e saj kanë dalë disi të sakta – edhe pse, në pafajësinë e një fëmije, ajo mendonte se gjithçka do të ndodhte brenda dhjetë vitesh,” tha Rosa.
“Desha ta ndaja këtë histori me shpresën se autorja mund ta shohë dhe ta njohë. Burri im ka gjetur plot gjëra të pavlera brenda mobiljeve më parë, por kurrë diçka kaq interesante.”
Edhe pse letra nuk është e firmosur, ajo përmban korrigjime dhe komente të mësuesit me stilolaps të kuq, përfshirë edhe vlerësimin “Good” (“Mirë”).


Teksti nis me një hyrje imagjinative:
“Viti është 1980, ora është gjysmë pas pluhurit të hënës. Ja ku jam, 21 vjeçe, ulur mbi një jastëk ajri. Më kujtohet kur isha 11 vjeçe dhe shkoja në shkollë; gjërat kanë ndryshuar që atëherë. Për shembull, televizioni ka ndryshuar. Në vitin 1969 ishte një kuti katrore me butona përpara. Tani është një ekran i madh dhe butonat janë në mbështetësen e karriges për ta ndezur dhe fikur.”
Vajza imagjinon veten në të ardhmen si një grua e martuar, e punësuar në një institucion financiar. Ajo përmend se më parë do të kishte “përgatitur çajin” për kthimin e bashkëshortit nga puna, por më pas shton me fantazi:
“Tani gjithçka që kemi për të ngrënë është një copë çamçakëz. Mund të mendoni se nuk kemi ushqim të mjaftueshëm, por gaboheni, sepse ky çamçakëz është ushqim. E përtyp dhe ndjen sikur ushqimi po shkon poshtë. Madje edhe e shijon. Dhe pas kësaj nuk ka enë për të larë.”
Ajo përshkruan gjithashtu një shtëpi me dyer “elektrike” që hapen me butona dhe e mbyll letrën me reflektimin:
“Në të vërtetë, kur mendoj për ato dhjetë vite, gjërat kanë ndryshuar jashtëzakonisht shumë.”
Letra mbetet një dëshmi intriguese e imagjinatës së një fëmije, e cila, rastësisht ose jo, arriti të parashikojë disa nga teknologjitë që sot janë pjesë e përditshmërisë sonë. /GazetaExpress/