Paralajmërohet rritje e çmimit të rrymës, ekonomistët kritika qeverisë – Qytetarët tash e sa muaj jetojnë në krizë - Gazeta Express
string(111) "paralajmerohet-rritje-e-cmimit-te-rrymes-ekonomistet-kritika-qeverise-qytetaret-tash-e-sa-muaj-jetojne-ne-krize"

Lajme

Gazeta Express

05/09/2025 23:23

Paralajmërohet rritje e çmimit të rrymës, ekonomistët kritika qeverisë – Qytetarët tash e sa muaj jetojnë në krizë

Lajme

Gazeta Express

05/09/2025 23:23

Në prill të këtij viti, qytetarët e vendit panë shtrenjtim të faturave të energjisë elektrike. Pavarësisht protestave, çmimi i rrymës u rrit. Një vendim i tillë, ashtu edhe siç u paralajmërua gjatë protestave s’u prit aspak mirë nga qytetarët. Megjithatë, sot, u bë e ditur se Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) s’e përjashton mundësinë që deri të fund të vitit të bëjë sërish shqyrtimin e tarifave të reja të energjisë elektrike, duke paralajmëruar se mund të ketë sërish rritje të çmimit të rrymës, shkruan Gazeta Express.

Siç u raportua nga KP, sipas kryesuesit të Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, shqyrtimi i këtyre tarifave nënkupton se mund të ketë ngritje, por edhe ulje të tarifave të energjisë.

‘‘Ekziston mundësia ne mund të themi që ajo do të jetë shqyrtimi i ardhshëm tarifor në dhjetor të këtij viti pastaj do të shikojmë stafi i ZRRE-së do t’i shikoj kostos e sistemit varet se sa është kosto e sistemit do ketë mundësi edhe të rritjes, por nuk përjashtohet mundësia edhe e zbritjes në rast kursimeve…jo domosdoshmërisht në mënyrë arbitrare të kemi rritje dhe zbritje ato varen nga kosto e sistemit”, ka thënë sot Fejzullahu.

Për shumë kë, rritja e çmimit të rrymës që është bërë disa herë gjatë qeverisë së Albin Kurtit, ka dëmtuar ekonomitë familjare, duke shkaktuar krizë tek to.

Por, tarifat e larta të energjisë, s’kanë qenë problemi i vetëm me të cilin janë përballur qytetarët gjatë këtyre muajve.

Të njëjtit kanë qenë dëshmitarë të një krize të thellë politike e institucionale. Qe nga zgjedhjet qendrore, që janë mbajtur me 9 shkurt, Kosova ende s’ka institucione e saja. Kuvendi ende nuk ka arritur të konstituohet.

Përveç si krizë politike, situata e krijuar tashmë disa muajshe  ka ndikuar edhe në aspektin ekonomik.

Kështu thonë të paktën ekonomistët.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, i ftuar në emisionin EURO n’T7 me ku është diskutuar për pasojat ekonomike si rrjedhojë e ngërçit politik, e ka përshkruar gjendjen ekonomike si shumë të rënduar si rrjedhojë e politikave të gabuara qeveritare.

Sipas tij, janë rreth 700 milionë euro të cilat, në mungesë të Kuvendit, nuk kanë hyrë në ekonominë e vendit dhe kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në stagnimin ekonomik.

“E keqja e kësaj është që nga zhgënjimi bizneset po vendosin të ikin nga Kosova, që kapitalin e tyre të krijuar me vite ta bartin jashtë vendit. Pra nuk po kemi vetëm largim të qytetarëve, por tani kemi edhe largim të bizneseve me gjithë kapitalin e tyre. Ky është shqetësimi më i madh aktualisht, largimi i kapitalit nga Kosova, që do të thotë varfërim i mëtutjeshëm i vendit. Brenda 10 ditëve ne si AKB do të dalim me një studim ku do të tregojmë saktë se kah po lëviz kapitali i bizneseve vendore në mungesë të qeverisë së vendit”, ka thënë Shahini.

Pos tij, edhe Sazan Ibrahimi, Drejtor Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, këtë katërvjeçar të qeverisë Kurti e ka cilësuar si një mandat qeverisës i cili është përcjellë me mungesë bashkëpunimi qeveri–komuna.

Sipas tij, komunat, kanë realizuar më pak investime kapitale për shkak të një problemi të pazgjidhur me qeverinë për kontratën kolektive, ku vetëm për 9 muaj nga proceset gjyqësore, kryesisht për shkak të kontratës kolektive, komunave përmbaruesit iu kanë marrë mbi 73.5 milionë euro.

“Vetëm për këta 9 muaj nga kategoria e investimeve kapitale komunave iu kanë marrë mbi 40 milionë euro, që do të thotë 40 milionë euro më pak për projekte kapitale. Në total, për katër vjet komunave përmes proceseve gjyqësore iu kanë marrë mbi 236 milionë euro, prej tyre 27% e totalit janë vetëm për procedura përmbarimore. Kjo është gjakderdhje e pastër financiare, kështu nuk ka ndodhur kurrë më parë dhe fatkeqësisht askush nuk është duke u marrë për ta parandaluar”, ka thënë Ibrahimi.

Kritik ndaj qeverisë është deklaruar edhe Shkumbin Misini, profesor universitar. Ai ka thënë se indikatorët makroekonomikë i kemi shumë më keq sesa kemi qenë përpara, duke përmendur këtu rritje të importit, rritje të kredive konsumuese e rritje të migrimit.

Ai ka kritikuar ashpër lidershipin aktual duke thënë se “nuk e di si po kanë ftyrë me dalë në media” e me folur për suksese të vendit, derisa sipas tij të gjithë e dimë se vendi kurrë më keq nuk ka qenë.

“Kosova, për fat të keq, kurrë nuk ka qenë më keq. Ne po shkojmë drejt izolimit. Ja një shembull: në vitin 2020 importi ka qenë 3 miliardë e 286 milionë euro, derisa në fund të vitit 2024 importi ka qenë përafërsisht 7 miliardë, që i bie një rritje 100% e vlerës së importit. Eksporti i mallrave të Kosovës është zvogëluar, në vitin 2022 ka qenë 922 milionë euro, ndërsa në fund të 2024 janë 880 milionë. Qeveria ndoshta e bën krahasimin e vitit 2024 me 2002 dhe këtu iu del mirë, përndryshe gjendja është më keq sesa ka qenë”, ka shtuar Misini.

Ndryshe, sot, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për caktimin e masës së përkohshme për ndalimin e çdo veprimi nga deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës pas ankesës së Listës Srpska. E njëjta, ka urdhëruar që masa e përkohshme të hyjë në fuqi më 5 shtator 2025, në kohëzgjatje deri më 30 shtator 2025. /GazetaExpress