Paralajmërohet krizë globale për bukë – si është gjendja e Kosovës? - Gazeta Express
string(64) "paralajmerohet-krize-globale-per-buke-si-eshte-gjendja-e-kosoves"

Paralajmërohet krizë globale për bukë – si është gjendja e Kosovës?

Lajme

Gazeta Express

28/06/2022 15:11

Kosova nuk i plotëson të gjitha nevojat e brendshme të grurit, i ka thënë Gazetës Express, Bashkim Zejnullahu, kryetar i Shoqatës së Mullistëve.

Shkruan: Sefer Zogaj

Lexo Edhe:

Kështu, vendi duhet të importojë grurë në një kohë kur po paralajmërohet krizë ushqimore.

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), më 20 maj të këtij viti, ka paralajmëruar se vendet në zhvillim mund të përballen me krizë ushqimore, për shkak të luftës në Ukrainë.

Rusia i ka bllokuar portet ukrainase – duke i pamundësuar Ukrainës që të eksportojë sasitë e saj të grurit – dhe kjo ka ndikuar që disa shtete të pezullojnë eksportin e grurit.

Në mesin e këtyre shteteve që kanë kufizuar eksportin e grurit është edhe Serbia. Prej 8 marsit, më nuk ka eksportuar grurë në Kosovë.

Në vetëm dy muajt e parë të këtij viti, Kosova ka importuar grurë nga Serbia në vlerë gati 2 milionë euro, që nënkupton se rreth 82 për qind e importit është realizuar vetëm prej shtetit serb, tregojnë të dhënat e Doganës së Kosovës.

Edhe Kosova iu ka ndaluar mullistëve që eksportojnë grurë në këtë kohë krize, ka treguar Bashkim Zejnullahu.

“Kosova i mbulon 60 për qind të nevojave të brendshme, por duhet të importojë për të plotësuar gjithë kërkesën për grurë”.

E Mehdi Bresilla, fermer dhe një nga themeluesit e Ministrisë së Bujqësisë i ka thënë Gazetës Express se “Kosova mund të ketë probleme me miell nëse shteti nuk i ndihmon”.

Megjithatë Zejnullahu dhe Bresilla ishin në një mendim se “është herët të jepen konkluzione nëse do të ketë krizë për grurë”.

Që tash, në treg një bukë 400-gramë kushton 60 centë.

Ministria e Bujqësisë nuk ka kthyer përgjigje në lidhje me shqetësimin e krizës ushqimore – që është paralajmëruar prej OKB-së dhe ekspertëve bujqësorë.

Në lidhje me gjendjen, fermeri Bresilla ka thënë se “në vjeshtë duhet të ketë më shumë kujdes që të mbjellet sa më shumë grurë”.

“Kosova ka sipërfaqe të mjaftueshme për të mbuluar nevoja e veta të grurit”, ka theksuar ai.

Nga vjen gruri në Kosovë

Përkundër se Rusia dhe Ukriana mbulojnë nevojën e 30 për qind të popullatës globale me grurë, Kosova s’është që  varet direkt prej këtyre shteteve – që tash e katër muaj përballen me konfrontim ushtarak, pasi Rusia hyri me forcë në territorin e Ukrainës.

Kosova më së shumti grurë importon prej Serbisë, por edhe prej Turqisë, Austrisë.

Por, zinxhiri tregtar në përmasa ndërkombëtare ka bërë që eksporti të jetë i kontrolluar – me dekret, prej vetë shteteve.

Kjo më pas e çrregullon tregun, duke e bërë atë të funksionojë në rrethana të jashtëzakonshme.

Kriza globale

Shtetet e G7, që përbëhen prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Kanadasë e Japonisë – i kanë bërë thirrje Rusisë që të lirojë portet ukrainase në mënyrë që gruri ukrainas të importohet nëpër pjesën tjetër të botës.

Në disa vende afrikane ka shqetësime të shtuara se “uria do t’i marrë”.

Ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, më8 qershor të këtij viti kishte paralajmëruar se “mund të ketë vdekje si pasojë e urisë”.

Edhe pse këtë muaj është arritur një marrëveshje mes Rusisë dhe Turqisë që anijet turke ta bartin grurin ukrainas – ajo s’është zbatuar ende.

Autoritetet ukrainase po dyshojnë te Turqia, pasi sipas tyre shteti turk “është duke blerë grurë të vjedhur nga Rusia”.

Kremlini i ka mohuar të gjitha akuzat e Kievit në lidhje me “vjedhjen e grurit të saj”.

E kriza potenciale ushqimore është temë e samitit të shtatë shteteve më të zhvilluara në botë. /Express