Vetëm 12 orë ushtrime fizike intensive në javë mund të rrisin rrezikun për zhvillimin e sëmundjes vdekjeprurëse të neuroneve motorike (MND), ka paralajmëruar një nga neurologet më të njohura në Britani.
Deklarata e profesoreshës Pamela Shaw, eksperte në Universitetin e Sheffield-it, erdhi vetëm disa ditë pasi legjenda e rugby-t anglez dhe kampion bote, Lewis Moody, tronditi fansat duke zbuluar se është diagnostikuar me këtë sëmundje në moshën 47-vjeçare.
Më parë, sportistë të tjerë të njohur të rugby-t si Doddie Weir (i ndarë nga jeta në vitin 2022), Rob Burrow (i ndarë nga jeta në qershor 2024) dhe Ed Slater (diagnostikuar në vitin 2022), kanë vuajtur nga e njëjta gjendje, duke rritur dyshimet mbi lidhjen e sporteve intensive me këtë sëmundje.
Çfarë është MND dhe kush rrezikon më shumë?
Sipas profesoreshës Shaw, ekziston një lidhje e qartë mes aktivitetit fizik të lodhshëm dhe rrezikut për zhvillimin e MND, veçanërisht tek burrat. Studimet e saj tregojnë se rreziku është më i madh tek personat që kryejnë më shumë se 12 orë stërvitje intensive në javë.
MND është një sëmundje e pashërueshme që dëmton trurin dhe nervat, duke i privuar pacientët gradualisht nga aftësia për të lëvizur, për të ngrënë dhe në fund për të marrë frymë.
“Kam vënë re gjatë gjithë karrierës sime se kjo sëmundje shpesh prek njerëz aktivë dhe të shëndetshëm – qoftë sportistë profesionistë apo gra të moshuara që ecin çdo ditë me kilometra. Rrallë ndodh tek ata që bëjnë jetë sedentare,” tha Shaw në një podcast sportiv.
Megjithatë, ajo theksoi se nuk duhet kuptuar gabimisht: “Ushtrimet e zakonshme janë të dobishme dhe mbrojnë nga shumë sëmundje. Ne po flasim për trajnime shumë të lodhshme dhe të përditshme, të cilat në kombinim me faktorë gjenetikë mund të rrisin rrezikun.”
Studimet që mbështesin teorinë
Një studim i publikuar në revistën EBioMedicine dhe i bashkautoruar nga Shaw, tregoi se ushtrimet intensive të shpeshta mund të rrisin rrezikun e MND, por vetëm tek personat me vulnerabilitet gjenetik.
Hipoteza është se gjatë ushtrimeve ekstreme, nivelet e ulëta të oksigjenit shkaktojnë stres oksidativ në neuronet motorike – qelizat më të mëdha dhe më kërkuese për oksigjen në trup – duke i dëmtuar ato dhe çuar në vdekjen e tyre tek individët e predispozuar.
Një studim suedez mbi skiatorët e Vasaloppet (90 km) tregoi se atletët më të shpejtë kishin katër herë më shumë gjasa të zhvillonin MND sesa popullsia e përgjithshme, ndërsa ata që përfunduan në mes të garës kishin madje 50% më pak rrezik.
Gjithashtu, hulumtime të Durham University kanë gjetur se disa trauma të përsëritura në kokë tek lojtarët e rugby-t rrisin gjasat për zhvillimin e MND, për shkak të ndryshimeve që shkaktojnë në proteinat e gjakut.
Ende pa përgjigje përfundimtare
Edhe pse studimet janë premtuese, ekspertët theksojnë se ato shpesh përfshijnë një numër të vogël pjesëmarrësish dhe nuk japin prova përfundimtare.
“Është ende herët për të dhënë këshilla të qarta se si personat me rrezik gjenetik duhet të menaxhojnë ushtrimet,” tha Shaw. “Por nëse kuptojmë biologjinë e sëmundjes, atëherë njerëzit mund të marrin vendime të informuara.”
Ajo shtoi se në të ardhmen mund të ketë strategji parandaluese, si marrja e antioksidantëve para ushtrimeve të rënda, por kjo mbetet ende në fazë hulumtimesh.
Çfarë është MND?
Prek rreth 5,000 persona në Mbretërinë e Bashkuar.
Shkalla e rrezikut: 1 në 300 persona gjatë jetës.
Më e shpeshtë tek moshat mbi 50 vjeç, me diagnozë mesatare mes 60–67 vjeç.
Simptomat e hershme: dobësi ose ngurtësi në duar/këmbë, dridhje, spazma apo krampa muskulore.
Lloji më i zakonshëm është ALS (amyotrophic lateral sclerosis) – forma nga e cila vuan Lewis Moody.
Aktualisht nuk ka një kurë për ta ndalur, ndërsa kërkimet vazhdojnë. Sipas ekspertëve, sëmundja shkaktohet nga një kombinim i gjeneve, mjedisit dhe stilit të jetesës, ku sporti mund të jetë një faktor kontribues, por jo i vetëm. /GazetaExpress/
Pjesëmarrja në evente të zhvillimit personal dhe profesional, si Konventa 8, është thelbësore për rritjen individuale dhe suksesin në...