Policia e Kosovës, nëpërmjet një njoftimi ka bërë të ditur se ka marrë masat e nevojshme për menaxhimin e situatës së sigurisë dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve gjatë manifestimeve për ‘Vidovdan”, i cili pritet të mbahet nesër, shkruan Gazeta Express.
Nga Policia është bërë e ditur edhe se, në një takim të mbajtur sot në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të PK-së, janë pasqyruar detaje të planit operacional dhe masat e planifikuar për këtë rast.
‘‘Përmes këtij njoftimi zyrtar, Policia e Kosovës APELON te të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit që të manifestojnë në mënyrë të qetë, të shmangun çdo provokim të mundshëm, të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e Policisë së Kosovës, e cila do të jetë prezentë me njësitë e saja për ofrim të sigurisë dhe parandalim të çdo veprimi të kundërligjshëm’’, thuhet mes tjerash nga Policia.
Më tej, PK-ja ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët lidhur me bllokimin e përkohshëm apo riorientimit të mundshëm të trafikut.
Ndryshe, sot gjatë ditës, për Vidovdanin është deklaruar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Ai ka paralajmëruar se Serbia mund të përdor elemente destruktive për të nxitur incidente gjatë Vidovdanit.
Madje, ai ka thënë edhe se janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi, e Bosnja e Hercegovina që të vijnë nesër në Kosovë.
‘‘Në fundjavë shënohet dita Vidovdan, e cila në vazhdimësi është përcjell me retorik politike, nxitëse e kërcënuese për sigurinë publike nga ana e Serbisë. Beogradi që po përballet me protesta të studenteve dhe jo vetëm, po përpiqet që ta zhvendos vëmendjen diku tjetër, në këtë përpjekje për tu ulur përmasat e protestës antiqeveritare në Beograd, pushteti në Serbi mund të shfrytëzojë elemente destruktive për të nxitur incidente në Gazimestan. Sipas vlerësimeve të institucioneve tona të sigurisë dhe të inteligjencës, ka përpjekje që tubimi në Gazismetan të jetë sa më masiv. Prandaj janë organizuar grupe serbesh nga Mali i zi, Bosnja e Hercegovinca, serbi, që të vijnë në Kosovë nesër. Tradicionalisht grupe e tilla kanë qenë provokuese duke bartur simbole nacionaliste serbo-ruse, që bien në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve sidomos nga komuniteti serb që të respektojnë ligjin, dhe të mos lejojnë të keqpërdoren për qëllime politike., U bëjmë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve tanë që të mos bien pre e asnjë provokimi’’, ka thënë ai. /GazetaExpress