Paralajmërimi i LVV-së për Driton Selmanajn, a shkon sot ai në sallë e si do ta ndalojnë? - Gazeta Express

Paralajmërimi i LVV-së për Driton Selmanajn, a shkon sot ai në sallë e si do ta ndalojnë?

Lajme

Gazeta Express

27/11/2020 7:32

Në orën 10:00, sot fillon seanca e Kuvendit të Kosovës ku disa pika janë në rend të ditës për diskutim. Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nuk do ta lejojë të hyjë në sallë zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj. Ajo që nuk dihet është se çfarë masa do të marrë partia e Albin Kurtit për ta ndaluar, si dhe nëse vetë numri dy i Qeverisë do të shkojë në seancë, raporton Gazeta Express.

Për masat që do të marrë për ta penguar Selmanajn, LVV-ja thotë se do të vendosë para seancës.

Deputeti i VV-së, Dimal Basha, ka thënë se është kulmi i turpit që Driton Selmanaj vazhdon të jetë në pozitën e zv.kryeministrit.

Basha ka thënë se deputetët e VV-së nuk do të lejojnë mbajtjen e seancave të Kuvendit, në të cilat është prezent Selmanaj.

“Kuvendi është shtëpia e deputetëve, ne si Lëvizje refuzojmë që ai me qenë i pranishëm se ai nuk duhet të përfaqësojë mendimin e asnjë qeverie. Kulmi i turpit është që ai qëndron ende në pozitën që ka, përveç që nuk ka kërkuar falje po vazhdon me të njëjtin avaz”, ka thënë Basha.

“Nuk kemi vendos për formën si do ta pengojmë. Si grup ende nuk kemi vendosur, por si grup do ta pengojmë mbajtjen e seancës ku Driton Selmanaj është i pranishëm. Është qëndrim unik i grupit parlamentar se sa herë që vjen Driton Selmanaj në Kuvendin e Kosovës nuk do të lejojmë mbajtjen e seancave, sepse ai ofendon të pagjeturit. Është një temë që nuk lidhet as me subjekt, as me parti, as me etni, është shumë shumë e ndjeshme, dhe si Saranda Bogujevci e kanë mision këtë punë. Opsionet janë, por nuk i kemi biseduar, nesër para seancës do të takohemi si grup parlamentar dhe do t’i bisedojmë”, ka thënë Basha. /GazetaExpress/