Paralajmërim për ndeshjen Itali – Izrael: Më shumë njerëz jashtë stadiumit sesa brenda - Gazeta Express
string(83) "paralajmerim-per-ndeshjen-itali-izrael-me-shume-njerez-jashte-stadiumit-sesa-brenda"

Futboll

Gazeta Express

06/10/2025 22:46

Paralajmërim për ndeshjen Itali – Izrael: Më shumë njerëz jashtë stadiumit sesa brenda

Futboll

Gazeta Express

06/10/2025 22:46

Kryetari i bashkisë së Udines nuk po e pret me entuziazëm ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës mes Italisë dhe Izraelit, duke paralajmëruar se për shkak të protestave dhe masave të sigurisë “do të ketë 6 mijë njerëz brenda stadiumit dhe 10 mijë jashtë tij”.

Ndeshja është planifikuar të zhvillohet mbrëmjen e 14 tetorit në “Stadio Friuli”, shtëpia e klubit Udinese.

Ka pasur thirrje të forta për bojkotimin e ndeshjes në shenjë proteste ndaj situatës aktuale në Gaza, por meqë UEFA dhe FIFA refuzuan kërkesat për ta pezulluar Izraelin nga kualifikimet, ndeshja do të zhvillohet siç është planifikuar.

Situata është veçanërisht e tensionuar, pasi Italia ka përjetuar protesta të mëdha dhe madje edhe një grevë të përgjithshme javët e fundit – dhe pritet që këto të përqendrohen pikërisht te vendi i zhvillimit të ndeshjes.

“Do të kishte qenë më e mençur që kjo ndeshje të luhej pa tifozë, për të shmangur hedhjen e benzinës në zjarr,” deklaroi kryetari i Udines, Alberto Felice De Toni, për agjencinë “LaPresse”.

“Do të përfundojmë me 6 mijë persona brenda stadiumit dhe 10 mijë jashtë. Është një situatë e imponuar, dramatike dhe paradoksale — do të ketë më shumë njerëz jashtë se brenda arenës”, tha ai.

Megjithatë, De Toni shpreson që bisedimet për paqe që po zhvillohen të çojnë në një të ardhme më të mirë, duke përmendur edhe një dëshirë simbolike:

“Do të doja që një ditë Udine të priste një miqësore midis Izraelit dhe Palestinës — kjo do të thoshte që do të kishim dy shtete dhe paqe.”

Kujtojmë se “Stadio Friuli” u përdor kohët e fundit për të pritur Superkupën e UEFA-s midis Tottenham dhe Paris Saint-Germain./GazetaExpress/