Paralajmërim për ilaçet kundër rënies së flokëve - Gazeta Express
string(48) "paralajmerim-per-ilacet-kunder-renies-se-flokeve"

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

13/05/2026 20:07

Paralajmërim për ilaçet kundër rënies së flokëve

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

13/05/2026 20:07

Autoritetet shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar kanë lëshuar një paralajmërim të ri sigurie për disa ilaçe të përdorura gjerësisht kundër rënies së flokëve, pas shqetësimeve se ato mund të lidhen me efekte anësore serioze psikologjike dhe seksuale.

Agjencia Britanike e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore, MHRA, ka bërë të ditur se burrat që përdorin finasteride, një tabletë ditore që përdoret për trajtimin e rënies së flokëve te meshkujt, duhet të jenë të informuar për rreziqet e mundshme. Sipas autoritetit, ky ilaç është lidhur me çrregullime të humorit, depresion, mendime vetëvrasëse, si dhe me probleme të funksionit seksual.

Paralajmërim paraprak është vendosur edhe për dutasteride, një ilaç i ngjashëm që përdoret kryesisht për trajtimin e simptomave të prostatës së zmadhuar.

Në vitin 2024, MHRA u kërkoi furnizuesve të finasteride që në paketimet e ilaçit të përfshihej një kartë informuese për pacientët, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për këto rreziqe. Këto masa mbeten ende në fuqi.

Kartat paralajmëruese theksojnë rrezikun e mundshëm për mosfunksionim erektil, ulje të dëshirës seksuale, depresion dhe mendime vetëvrasëse. Pacientëve që e përdorin ilaçin për rënien e flokëve u këshillohet ta ndërpresin menjëherë përdorimin nëse shfaqin simptoma të tilla. Ndërsa ata që e marrin për prostatë të zmadhuar duhet të kontaktojnë urgjentisht mjekun.

Dr. Alison Cave, zyrtare kryesore për sigurinë pranë MHRA-së, deklaroi se pas një rishikimi të detajuar të provave të disponueshme, informacioni për finasteride 1 mg dhe dutasteride është përforcuar, në mënyrë që pacientët dhe profesionistët e shëndetit të kenë udhëzime më të qarta për rreziqet e mundshme.

Finasteride, që shitet edhe me emrat tregtarë Proscar dhe Propecia, përdoret si për trajtimin e rënies së flokëve, ashtu edhe për prostatën e zmadhuar. Megjithatë, në sistemin publik shëndetësor britanik, NHS, ai ofrohet vetëm për trajtimin e prostatës.

Ilaçi vepron duke bllokuar shndërrimin e testosteronit në dihidrotestosteron, DHT, një hormon që mund të ndikojë në zmadhimin e prostatës dhe në rënien e flokëve.

Prostata e zmadhuar është një gjendje e zakonshme te burrat mbi 50 vjeç dhe zakonisht nuk konsiderohet serioze. Megjithatë, kur prostata zmadhohet, ajo mund të ushtrojë presion mbi uretrën, duke shkaktuar vështirësi në urinim. Simptomat më të zakonshme përfshijnë rrjedhje të dobët të urinës, kohë më të gjatë për zbrazjen e fshikëzës dhe nevojë më të shpeshtë ose urgjente për të urinuar, përfshirë gjatë natës.

Finasteride ka qenë prej kohësh i lidhur me çrregullime të humorit dhe probleme të funksionit seksual, por MHRA ka rishikuar së fundmi të gjitha të dhënat e disponueshme për të forcuar masat e sigurisë për pacientët.

“Siguria e pacientëve është prioriteti ynë kryesor. Presim që mjekët të diskutojnë me pacientët informacionin përkatës të sigurisë, në mënyrë që ata të marrin vendime të informuara për trajtimin e tyre”, tha Dr. Cave.

Rregullatori britanik shtoi se përmes skemës “Yellow Card”, e cila u mundëson pacientëve dhe profesionistëve të shëndetit të raportojnë efekte të dyshuara anësore nga barnat, janë raportuar 170 raste që lidhen me mendime vetëvrasëse ose terma të ngjashëm për finasteride. Nga këto raste, 19 kanë qenë fatale.

Pas shqyrtimit të raportimeve, ekspertët kanë arritur në përfundimin se ndërprerja e ilaçit nuk çon gjithmonë në zhdukjen e efekteve anësore. Në disa raste, problemet e funksionit seksual mund të vazhdojnë edhe pas ndalimit të trajtimit.

Më herët, MHRA u kishte rekomanduar pacientëve që kartën paralajmëruese ta ndanin edhe me familjarët ose miqtë, të cilët mund të vërejnë më lehtë ndryshime në humor apo sjellje.

Të dhënat e përshkrimit të barnave tregojnë se çdo muaj lëshohen mbi 400 mijë receta për finasteride 5 mg dhe barna që përmbajnë dutasteride. Ndërkohë, finasteride 1 mg, që përdoret për rënien e flokëve, nuk përshkruhet aktualisht nga NHS dhe mund të merret vetëm me recetë private, ndaj nuk ka të dhëna të sakta për numrin e përdoruesve. /GazetaExzpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement