Shkencëtarët kanë gjetur një lidhje mes nitrateve të pranishme në ujin e rubinetit dhe në mishrat e përpunuar me një rrezik të shtuar për zhvillimin e demencës.
Nitratet janë minerale të domosdoshme për një sërë funksionesh të organizmit. Ato gjenden natyrshëm në bimë dhe perime, si dhe përdoren në prodhimin dhe konservimin e disa ushqimeve, veçanërisht proshutës dhe mishrave të tjerë të përpunuar.
Ndër perimet më të pasura me nitrate përfshihen spinaqi, brokoli, lakra, lakra jeshile (kale), sallata dhe panxhari. Këto minerale janë gjithashtu të pranishme në ujin e rubinetit, pasi kimikatet e pasura me nitrate, të përdorura si plehra në bujqësi, depërtojnë në tokë dhe ndotin ujërat nëntokësore, duke përfunduar më pas në rezervuarët e ujit të pijshëm.
Një dietë e pasur me mishra të përpunuar, të trajtuar me nitrate, prej kohësh është lidhur me rrezik më të lartë për kancer. Tani, një studim i ri nga Universiteti Edith Cowan (ECU) në Australi dhe Instituti Danez për Kërkime mbi Kancerin (DCRI) e lidh këtë ekspozim edhe me rritjen e rrezikut për demencë.
Studiuesit analizuan të dhëna nga rreth 55 mijë të rritur në Danimarkë, të cilët nuk kishin demencë në fillim të studimit, dhe i ndoqën për gati 27 vjet. Ata hetuan lidhjen mes burimit të nitrateve dhe nitriteve të konsumuara dhe rrezikut për demencë me fillim të hershëm.
Rezultatet treguan se personat që merrnin shumicën e nitrateve nga burime bimore, si perimet, kishin një rrezik më të ulët për zhvillimin e demencës. Në fakt, ata me konsumimin më të lartë të nitrateve bimore – afërsisht sa një filxhan spinaq i ri në ditë – kishin rreth 10 për qind rrezik më të ulët krahasuar me ata që konsumonin më pak nitrate nga bimët.
Në të kundërt, individët që merrnin shumicën e nitrateve nga ushqimet e përpunuara dhe uji i rubinetit rezultuan me rrezik më të lartë për demencë.
Profesorja e asociuar në ECU, Catherine Bondonno, shpjegoi se nitratet nga perimet lidhen me rrezik më të ulët për demencë sepse këto ushqime janë natyrshëm të pasura me antioksidantë, ndryshe nga ushqimet e përpunuara dhe uji i pijshëm.
“Sapo konsumojmë perime të pasura me nitrate, marrim edhe vitamina dhe antioksidantë që mendohet se ndihmojnë në shndërrimin e nitrateve në oksid nitrik – një përbërës i dobishëm – dhe njëkohësisht pengojnë formimin e N-nitrozaminave, të cilat janë kancerogjene dhe potencialisht dëmshme për trurin,” tha ajo.
“Sipas saj, ushqimet me origjinë shtazore nuk përmbajnë këta antioksidantë, ndërsa mishi përmban përbërës si hekuri hem, i cili mund të rrisë formimin e N-nitrozaminave. Kjo mund të shpjegojë pse nitratet nga burime të ndryshme kanë efekte të kundërta në shëndetin e trurit, megjithëse nevojiten studime laboratorike për ta konfirmuar saktësisht këtë mekanizëm.”

Ky është rasti i parë kur nitratet nga uji i pijshëm lidhen me një rrezik më të lartë për demencë. Në Danimarkë, në Bashkimin Evropian dhe në Mbretërinë e Bashkuar, kufiri ligjor për nitrate në ujërat nëntokësore dhe ujin e pijshëm është 50 mg për litër. Megjithatë, studiuesit vunë re një rrezik më të lartë edhe tek personat e ekspozuar ndaj niveleve shumë më të ulëta, rreth 5 mg për litër.
Studimi tregoi se pjesëmarrësit e ekspozuar ndaj nitrateve në ujin e pijshëm nën kufijtë aktualë rregullatorë kishin një shkallë më të lartë të demencës. Megjithatë, Dr. Bondonno theksoi se bëhet fjalë vetëm për një studim dhe se nevojiten kërkime të mëtejshme.
“Aji i pijshëm nuk përmban antioksidantë që të bllokojnë formimin e N-nitrozaminave. Pa këto përbërës mbrojtës, nitratet në ujë mund të shndërrohen në këto substanca brenda organizmit,” tha ajo, duke shtuar se studimi nuk nënkupton që njerëzit duhet të ndalojnë së piri ujë.
Për më tepër, studimi është vëzhgues dhe nuk mund të vërtetojë se nitratet shkaktojnë drejtpërdrejt demencën. Nuk përjashtohet mundësia që faktorë të tjerë në dietë apo stil jetese të kenë ndikuar në zhvillimin e sëmundjes.
“Rritja e rrezikut në nivel individual është shumë e vogël, dhe uji i pijshëm është shumë më i shëndetshëm sesa pijet e ëmbla si lëngjet apo pijet e gazuara,” theksoi ajo. “Megjithatë, gjetjet tona sugjerojnë se agjencitë rregullatore duhet të rishikojnë kufijtë aktualë dhe të kuptojnë më mirë se si ekspozimi afatgjatë, edhe në nivele të ulëta, ndikon në shëndetin e trurit. Konsumimi i më shumë perimeve dhe më pak mish të kuq e mish të përpunuar është një qasje e arsyeshme.”
Nitratet janë thelbësore për shumë funksione të organizmit, përfshirë rregullimin e presionit të gjakut, transportin e oksigjenit, shëndetin qelizor, si dhe funksionimin e sistemit imunitar dhe mikrobiomës së zorrëve.
Në organizëm, molekulat e oksigjenit ndahen vazhdimisht, duke çliruar radikale të lira – substanca të paqëndrueshme që mund të dëmtojnë qelizat e tjera. Në kushte normale, trupi arrin t’i mbajë këto nën kontroll, por stresi i lartë oksidativ mund të dëmtojë qelizat, ADN-në dhe proteinat, duke u lidhur me plakjen dhe rritjen e rrezikut për sëmundje kronike, përfshirë kancerin.
Antioksidantët veprojnë si neutralizues të radikaleve të lira, duke i penguar ato të shkaktojnë dëme dhe mutacione qelizore.
Aktualisht, rreth 900 mijë persona në Mbretërinë e Bashkuar jetojnë me demencë, dhe ky numër pritet të rritet në 1.4 milionë deri në vitin 2040, kryesisht për shkak të sëmundjes së Alzheimerit. Sipas Shoqatës së Alzheimerit, më shumë se një e treta e personave me këtë sëmundje ende nuk kanë marrë një diagnozë zyrtare. /GazetaExpress/