Shqipëria po përballet me një paradoks të mirëfilltë ekonomik, teksa qeveria raporton rritje galopante të turizmit, por shifrat zyrtare flasin për tkurrje të përgjithshme të konsumit.
Instituti i Statistikave raportoi se importet e mallrave u ulën sërish në qershor me 0.2 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Ndërsa si gjashtëmujor, importet e Shqipërisë këtë vit janë 2 për qind më të ulëta se një vit më parë. Në vlerë, Shqipëria ka importuar për 6 muajt e parë të vitit 100 milionë euro më pak mallra nga jashtë.
Kjo situatë e rënies së importeve bashkëshoqërohet edhe nga rënia e prodhimit vendas, veçanërisht në sektorët kyç të ekonomisë si bujqësia apo industria.
Në tremujorin e parë të vitit, prodhimi bujqësor i vendit u tkurr me 2.76 për qind, ndërsa ai industrial ra me 5.66 për qind. Këto zhvillime në sektorin real të ekonomisë vijnë, teksa qeveria raporton rritje të turizmit. Pra Shqipëria ka më shumë turizëm, por më pak konsum.
Kryqëzimi i indikatorëve udhëheqës tregon se ekonomia shqiptare po përballet me ndrydhje të konsumit këtë vit, teksa po importon më pak dhe njëkohësisht po prodhon me pak në vend.
Ndërkohë një tjetër sinjal nga shifrat e tregtisë së jashtme është ai i frenimit të investimeve nga biznesi siç dëshmon ulja e importit të makineri-pajisjeve si dhe tkurrja e ndërtimit, që sinjalizon rënia e importit të materialeve të ndërtimit./kapitali.al