Arrestimi i ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiu, më 7 qershor në Serbi, po shihet si pjesë e një veprimi të koordinuar politik të shtetit serb kundër ish-zyrtarëve të sigurisë së Kosovës. Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, e quan këtë rast jo thjesht një çështje ligjore, por pjesë të një strategjie të qëllimshme të Beogradit.
Shala në intervistë për Ekonomia Online tha se ky rast tregon për një tendencë shqetësuese të autoriteteve serbe për të targetuar ish-pjesëtarët e strukturave të sigurisë së Kosovës.
“Kemi një element faktik, një zyrtar që tri vjet nuk është pjesë e strukturave të sigurisë së Kosovës, i cili në rrugëtim ishte ndalur në pikën kufitare Hungari dhe Serbi, ku ka filluar një procedurë hetimore që ka rezultuar me paraburgim prej 30 ditësh dhe akuzohet për përfshirje në rastin e Banjskës, i cili në aspekt faktik nuk ishte pjesë e Policisë së Kosovës, sepse në intervalin kohor e kishte lënë policinë për afër katër muaj”, tha ai.
Sipas Shalës, ky është një rast tjetër që tregon për nevojën e shtuar të veprimit institucional dhe diplomatik nga autoritetet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Mund ta konstatojmë një fakt dhe argument: shteti i Kosovës do të duhej të veprojë me një intensitet më të shtuar dhe të gjithë pjesëtarët dhe ish-pjesëtarët e kanë parasysh që veprimet që merren nga shteti serb, madje të deklaruara publikisht, do të jenë të rrezikshme për të kaluar nëpër Serbi. Serbia tani ka filluar një fushatë shtrigash në arrestimin dhe identifikimin e zyrtarëve”, tha ai.
Shala thekson se në një shtet të së drejtës, siç pretendon të jetë Serbia, një rast i tillë nuk do duhej të përfundonte me arrestim.
“Në shtetin e së drejtës e Serbia nuk është një gjë e tillë, ai nuk duhej të ishte fare i paraburgosur, por që ka interes politik që çështjet mund të komplikohen si në rastet e kaluara, ku Serbia ka ndaluar qytetarë dhe ish-zyrtarë të tjerë. Prandaj, do të duhej që intervenimi ndërkombëtar i Brukselit të jetë më aktiv dhe progresiv që raste të tilla mos të jenë pjesë e politikave të Beogradit”, tha ai.
Eksperti paralajmëron se rreziku për raste të ngjashme është i lartë, pasi Serbia ka krijuar një bazë të dhënash të posaçme për ish-zyrtarët e sigurisë së Kosovës.
“Por, tanimë është i ndarë mendimi i Beogradit, do të kemi arrestime të tilla në raste se do të detektohet nga sistemi i sigurisë i Serbisë. Serbia ka krijuar një databazë të zyrtarëve aktivë dhe jo aktivë dhe është rreziku potencial i lartë që do të arrestohen nëse kalojnë nga Serbia”, tha për EO, Shala.
Qumështorja Vita vjen me kampanjën e saj më të re, “Rritna tu pi Vita”, një vazhdimësi e natyrshme dhe...