Presidentja Vjosa Osmani e ka pritur në një takim sot të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.
Presidenca tha se u diskutuan “zhvillimet e fundit”. Në fokus, u tha se ishin “hapat drejt konstituimit të Kuvendit”.
“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, me fokus të veçantë në hapat përpara drejt konstituimit të Kuvendit, në dritën e aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese”, njoftoi Presidenca.
Osmani në orën 16:00 do të dalë në një konferencë për media, të paralajmëruar më herët gjatë ditës. Në njoftimin për të, Presidenca nuk e bëri të ditur arsyen.
Ngërçin politik në Kuvend nuk e ka ndryshuar as aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese më 26 qershor, i cili i detyron deputetët ta konstituojnë Kuvendin. Ajo vendosi se deputetët duhet ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së largu deri më 26 korrik.