Paqja dhe pajtimi i shqiptarëve dhe serbëve me gazetarët në mes   - Gazeta Express
string(63) "paqja-dhe-pajtimi-i-shqiptareve-dhe-serbeve-me-gazetaret-ne-mes"

Paqja dhe pajtimi i shqiptarëve dhe serbëve me gazetarët në mes  

Lajme

Gazeta Express

14/08/2024 17:58

Lufta ka përfunduar në vitin 1999. Megjithatë edhe 25 vite pas problemet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë. Moszbatimi i marrëveshjeve dhe tensionet e herëpashershme vazhdojnë t’i shoqërojnë dhe pengojnë përpjekjet e nisura në vitin 2011 për arritjen e një zgjidhjeje finale të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian që do t’i jepte fund status-quos mes dy shteteve dhe do të bënte normalizimin e raporteve.

Autor i tekstit: Besnik Velija

Lexo Edhe:

Në vitet e fundit, sidomos pas sulmit në Banjskë më 24 shtator 2023, situata e sigurisë është jashtëzakonisht e brishtë, duke bërë që NATO të shtojë trupat dukshëm pas një kohe të gjatë dhe pas një periudhe të gjatë reduktimi. Derisa siguria mbetet e brishtë dhe lufta politike e diplomatike mes dy shteteve vazhdon, gazetarët dhe raportimet e tyre janë pashmangshëm pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e mozaikut. Çdo zhvillim e informacion kalon nëpër duart e tyre dhe pashmangshëm lajmet e publikuara dhe mënyra se raportimit kanë ndikim tek shoqëritë në të dy shtetet – shoqëri që synojnë pajtimin.

Një raport i publikuar nga BIRN në vitin 2023 ka gjetur se një e treta e raportimeve të mediave kanë të bëjnë me incidentet që ndodhin, derisa pjesa tjetër i kushtohet negociatave diplomatike dhe përpjekjeve politike. Gjithashtu ky raport ka gjetur se raportimit janë jashtëzakonisht të fokusuara për të transmetuar qëndrimet e politikanëve dhe se zëri i njerëzve të zakonshëm pak dëgjohet.

Por, çfarë mendojnë vetë gazetarët për ndikimin dhe rolin e tyre në procesin e paqes dhe pajtimit në mes të serbëve dhe shqiptarëve?

Gazetarja serbe e televizionit N1, Sanja Sovrlic, thotë se tema e pajtimit është lënë anash nga raportimet për krizat e tensionet. Safeta Bisevac e Danas e sheh politikën në Serbi si një faktor që luan rol negativ në procesin e pajtimit dhe thotë se s’mund të flitet për paqe dhe pajtim nëse s’flitet për krimet dhe ndëshkimet.

Aleksandar Milandinoviq nga BBC në gjuhën serbe thotë se gazetarët e kryejnë punën e tyre në raport me paqen dhe pajtimin duke ndjekur strikt parimet e gazetarisë profesioniste. Gazetari kosovar, Fitim Gashi, thotë se gazetarët duhet të jenë të kujdesshëm ndaj përpjekjeve instrumentalizuese të politikës që dëmtojnë paqen. Kryeredaktorja e mediumit KoSSev, Tatjana Lazarevic, thotë se propaganda nuk i pajton serbët dhe shqiptarët.

“Gazetaria mund të jetë një portë për ndryshime pozitive në shoqëri, ose mund të përjetësojë status quo-në.”, ka thënë gazetarja amerikane Soledad O’Brien.

Sanja Sovrlic: Temat e pajtimit janë lënë anash nga raportimet për tensionet dhe krizat

Gazetarja serbe e televizionit N1, Sanja Sovrlic, e cila e ka kaluar një pjesë të jetës së saj edhe në Kosovë, thotë se ndarja mes dy popujve është tepër e thellë dhe se raportimet për tensione dhe kriza kanë spostuar vëmendjen për temat e pajtimit me shqiptarëve dhe serbëve.

“Dhe kam parë se pesë vite më parë, temat kryesore ishin pajtimi, jeta e serbëve dhe shqiptarëve, si mund ta arrijmë pajtimin, shembujt e mirë nga e kaluara dhe tani. Dhe në dy tre vitet e fundit ne kemi vetëm kriza. Dhe kur ke kriza të tilla, pajtimi është plotësisht anash dhe gjithashtu radikalizimi i komunitetit është shumë i lartë dhe është shumë e vështirë që të jesh një zë racional në një ambient të tillë”, shprehet Sovrlic.

Sovrlic: Në kohë krizash s’mund t’iu besosh as burimeve zyrtare

Sovrlic tregon se sa e vështirë është për gazetarët që të raportojnë në kohë krizash  meqë ajo thotë se s’mund t’iu besosh as burimeve zyrtare të cilave në një situatë normale do t’u kishe besuar.

“Kjo është koha kur ne duhet të jemi më të zëshëm, të ngremë më shumë pyetje, të jemi më mosbesues ndaj secilit burim dhe të provojmë të marrim qëndrime të ndryshme nga burime të ndryshme dhe nga njerëz të zakonshëm, që si gazetarw të prezantojmë pamjen e vërtetë dhe jo nëse p.sh disa institucione kanë tendencë nga zyrtarët që të targetojnë disa grupe, disa minoritete, si gazetarw ne duhet të provojmë se si këto grupe të njerëzve jetojnë dhe të provojmë të marrim sa më shumë rrëfime nga njerëzit nga vendi i ngjarjes sesa të prezantojmë disa narrative që shpërndahen nga zyrtarët”, thotë gazetarja Sovrlic.

Kur flet për gjendjen në Serbi, Sovrlic thotë që shumica e mediave janë në një linjë me narrativen shtetërore e në disa raste edhe më keq sesa zyrtarët shtetërorë.

Ajo përmend raportimet që bëhen në tabloidet serbe që përdorin termin fyes “siptar’ dhe tregon se si personalisht gjatë transmetimeve të drejtpërdrejta kur e dëgjon e sqaron për shikuesit e televizionit ku punon se pse një shprehje e tillë është ofenduese.

“Por shumë njerëz nuk e kuptojnë pse është gabim të përdoret ajo fjalë dhe fatkeqësisht se ato media provojnë të vazhdojnë një narrativë të tillë të dehumanizimit dhe gjuhë të urrejtjes drejt shqiptarëve. Mendoj se është një problem vërtet i madh dhe ne duhet të provojmë të, s’e di cila është zgjidhja, sepse e dimë se cili është problemi…”, thotë gazetarja e N1, Sanja Sovrlic.

Sovrlic: Nëse dikush s’mund të bëjë gazetari se si duhet të bëhet, ka punë të tjera

Gazetarja serbe me përvojë teksa flet për rolin e gazetarëve dhe bashkëpunimin në shërbim të pajtimit thotë se duhet të rritet shkëmbimi në mes të gazetarëve dhe se mbase disa nga gazetarët si rezultat i kësaj mund të kenë një pikturë më të qartë të situatës dhe mund të ndryshojnë për të mirë.

“Unë besoj se sigurisht nëse do të kemi një lloj shkëmbimi mes gazetarëve dhe nëse disa nga ta do të kenë një pamje më të gjerë ndoshta do të ndryshojnë”, thotë Sovrlic.

Megjithatë, ajo është kritike për disa gazetarë të cilët s’kanë guxim që ta kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale. Sovrlic, duke mos dashur ta gjykojë askënd, thotë se ka edhe punë të tjera përveç të qenit gazetar.

“Është shumë e qartë se çfarë është gazetaria. Nëse dikush s’mund të bëjë gazetari se si duhet të bëhet, ka punë të tjera. Është më mirë të bësh një punë tjetër me ndershmëri sesa të qëndrosh dhe të ndihesh keq duke e ditur që je duke bërë diçka në interes të disa njerëzve të fuqishëm. Ka punë të tjera dhe mendoj se është e mundur të gjeni. Mendoj për njerëzit që janë vërtet të vetëdijshëm që s’është profesionale dhe s’është mirë. Disa nga ta ndoshta s’kanë dilema etike dhe morale, për ta unë nuk kam ide se çfarë të rekomandoj”, shprehet Sovrlic.

Kur vjen puna tek rritja e bashkëpunimit, Sovrlic përmend gjuhën si problem për rritjen e komunikimit dhe bashkëpunimit mes gazetarëve dhe propozon që të ketë një shkëmbim ku gazetarë shqiptarë punojnë në mediat në Serbi dhe anasjelltas.

Safeta Bisevac e sheh politikën në Serbi si fajtore

Gazetarja serbe, Safeta Bisevac, e cila punon në “Danas” që prej daljes së numrit të parë të gazetës, thotë se njerëzit në Serbi s’duan të flasin për temën e pajtimit për shkak të ndikimi të madh të politikës së pushtetit.

“Njerëzit në Serbi s’duan të flasin për luftërat në Ish-jugosllavi dhe krimet e luftës. Pajtimi s’është temë popullore këtu, sepse publiku jonë është nën ndikim të madh të presidentit tonë dhe partisë së tij dhe qeverisë dhe ju e dini që të gjithë ata kanë pasur disa role në ish-Jugosllavi dhe fatkeqësisht unë e mendoj ata po e vazhdojnë retorikën dhe në një mënyrë retorika është e njëjtë me retorikën në ish-Jugosllavi”, nis bisedën një prej gazetareve më me përvojë në Serbi.

Bisevac drejton gishtin kah pushteti në Serbi për ndasinë e thellë dhe mungesën e përpjekjeve për pajtim. Ajo thotë se në Serbi njerëzit besojnë se në luftën e Kosovës serbët janë viktima e vetme e luftës.

“Ky problem është më i madhi kur flasim për raportin me Kosovën. Ju e dini se sa të ndjeshëm janë serbët kur flitet për Kosovën dhe në Serbi thjesht njerëzit s’besojnë në historinë e kryerjes së krimeve kundër shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë. Ata besojnë që janë kryer krime vetëm kundër serbëve dhe serbët janë viktima e vetme e luftës në Kosovë”, potencon ajo.

Gazetarja Bisevac thotë se nuk mendon që ndonjë lloj pajtimi është i mundur, por potencon se gazetarët mund të luajnë rolin e tyre përmes krijimit të lidhjeve.

Bisevac: Si boshnjake myslimane kurrë s’kam pasur probleme me serbët e zakonshëm

Bisevac shprehet se problemi kryesor është që shumica e politikanëve dhe elitës intelektuale në Serbi besojnë që shqiptarët s’janë nacionalitet i barabartë. Për serbët e zakonshëm thotë se janë të këndshëm, të hapur dhe të sinqertë dhe potencon e kurrë s’ka pasur problem meqë është myslimane boshnjake.

 “Ndonjëherë është e vështirë të flasësh për raportin mes shqiptarëve dhe serbëve sepse s’jam shqiptare dhe s’jam serbe etnike. Por, mendoj që problemi kryesor është që shumica e serbëve vazhdojnë të besojnë që shqiptarët s’janë nacionalitet i barabartë”, ka thënë Bisevac.

Bisevac, teksa flet për raportimet e mediave në Serbi dhe për përshtypjet e saj nëse gazetarët në Serbi e kanë ndjenjën se duhet të kenë ndikim pozitiv në raportin mes shqiptarëve dhe serbëve, thotë se pak media janë profesionale dhe e bëjnë një gjë të tillë.

“Kemi një shumicë mediash që janë nën kontroll të fortë të pushtetit dhe ata mendojnë që puna e vetme e tyre është të shpërndajnë propagandë. Ata në fakt s’janë media dhe thjesht shpërndajnë propagandën zyrtare të autoriteteve të Beogradit dhe s’janë të interesuar në krijimin e ndonjë lidhje”, shprehet ajo.

Ajo thotë se është e nevojshme të krijohet më shumë bashkëpunim dhe lidhje më të mira në mes të gazetarëve.

Bisevac: S’mund të ketë pajtim nëse s’flasim për krimet dhe ndëshkimin

Bisevac në fund të bisedës ka pasur edhe një mesazh për gazetarët e rinj, duke thënë se ata duhet ta bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe jo duke shkruar me direktiva të politikës e pushtetit. Bisevac thotë se s’mund të ketë pajtim nëse s’flitet për situatën reale dhe për krimet që kanë ndodhur në ish-Jugosllavi.

“S’mund të kemi pajtim nëse s’flasim për krimet dhe ndëshkimin, duhet të flasim për këtë”, thotë Bisevac.

Megjithatë, redaktorja e “Danas” , Safeta Bisevac, bisedën e mbyll me porosinë që duhet fokusuar më shumë në aspektet pozitive.

Aleksandar Miladinoviq: Gazetaria në vetvete, nëse e bëni vërtetë në mënyrë profesioniste dhe me kualitetin më të lartë të mundshëm e ndihmon pajtimin

Aleksandar Miladinoviq, radaktor i BBC në gjuhën serbe në Beograd, thotë se pavarësisht tematikës dhe kompleksitetit, një gazetar thjesht duhet të ndjekë parime bazike të profesionit dhe pothuajse qëllimi arrihet dhe sipas tij gazetaria profesioniste dhe kualitative në vetvete ndihmon pajtimin. Si redaktor, Milandinovic thotë se ndjek parimet e BBC dhe e ka shumë të lehtë.

“E vërteta dhe saktësia për ne është parimi udhëheqës dhe paanshmëria që është e treta, që ju nuk i jepni avantazh njërës palë. Vetëm duke e bërë punën tënde e ndihmon shoqërinë për pajtim”, shprehet Miladinoviq.

Duke kujtuar parimet bazë të gazetarisë, ai thotë se s’ka nevojë për trajtim apo kujdes special për temat që ndërlidhen me komunitetin shqiptar dhe se një gazetar vetëm duhet të bëjë punën e tij drejt dhe t’iu japë hapësirë të gjitha palëve.

Sa i përket pasqyrës së përgjithshme të raportimeve që bëhen në mediat serbe dhe qasjes ndaj procesit ta paqes dhe pajtimit, Mildainoviq thotë raportet ndërkombëtare nënvizojnë se ka devijim të standardeve në Serbi.

“Në përgjithësi, braktisja e standardeve nuk ka të bëjë vetëm me liritë e mediave që lidhen me çështje të Serbisë, por edhe me elemente të tjera të mediave serbe. Do të thosha që janë dy pjesë të kësaj. Një është devijimi i kulturës mediale në këtë vend, që është në përgjithësi shumë i dukshëm dhe shumë prezent në dekadën e fundit dhe nuk ka përparim. Pozita e Serbisë në renditjet ndërkombëtare është duke devijuar”, shprehet redaktori i BBC në gjuhën serbe.

Mildanioviq: Gjuha është pengesa objektive më e madhe

Miladinoviq thotë se kur flitet për serbët dhe shqiptarët gjuha është një pengesë objektive dhe pengesa më e madhe. Miladinoviq thotë se ka shumë pak gazetarë në mediat serbe që flasin shqip dhe se ka më shumë në mediat në Kosovë që flasin gjuhën serbe. Megjithatë, thotë se pas 20 vitesh s’do të ketë asnjë gazetar në Serbi që flet shqip dhe asnjë në Kosovë që do të flasë serbisht.

Ai thotë se mosnjohja e gjuhës së njëri-tjetrit vë rrezikun e raportimeve të njëanshme, gjë të cilën thotë e organizatat mbikëqyrëse ndërkombëtare e kanë vlerësuar si devijim në mediat serbe.

Miladinoviq: Njerëzve duhet t’iu jepet mundësia të takohen dhe flasin

Milanoviq thotë se është shumë e rëndësishme që njerëzit të takohen dhe të flasin mes vete. Ai thotë se s’mund të raportosh për problemet në Kosovë dhe Serbi pa qenë në vend të ngjarjes.

“Është e pamundur të raportosh për çështje rreth Kosovës dhe Serbisë pa shkuar atje. Nëse do të bësh gazetari të vërtetë, siç thonë parimet e BBC-së, duhet të jesh në vend të ngjarjes. Është mënyra më e mirë të shohësh me sytë e tuaj se si është situata”, thotë Miladanioviq

Ai përfundon bisedën duke thënë se frika për të folur dhe mungesa e nismave nga të dy anët është një tjetër pengesë e madhe.

Natasa Ivanovski: Gazetarët duhet të jenë më të kujdesshëm, të kenë bagazh informacionesh për ngjarjet

Natasa Ivanovski nga gazeta serbe “Blic” thotë se gazetarët duhet të jenë të pavarur në mënyrë që t’ua prezantojnë lexuesve faktet e pastra.

Ajo thotë se skena mediale në Serbi është paksa kaotike kur vjen fjala për këtë çështje specifike, duke qenë se politika ka një rol shumë të madh dhe mediat duhet të raportojnë atë çfarë politikanët thonë.

Gazetarja serbe thotë se gazetarët duhet të jenë me të kujdesshëm kur raportojnë dhe se për të pasur një pasqyrë të qartë të asaj çfarë po ndodh duhet të kenë edhe informacione plotësuese për temën që trajtojnë.

“Mendoj se të gjithë gazetarët duhet të jenë më të kujdesshëm se si raportojnë, shkruajnë dhe nëse një politikan thotë diçka, ne duhet të kemi një background se çfarë vërtet po ndodh dhe mund ta kemi pikturën e përgjithshme se çfarë po ndodh dhe cila është situate reale”, thotë Invanovski.

Ivanovski: T’iu tregojmë njerëzve se jemi njëjtë, të mos e vendosim politikën në qendër

Gazetarja Ivanovski jep idenë e saj për shkëmbimin e gazetarëve serbë dhe shqiptarë në mediat në Kosovë dhe Serbi, për të shkruar reportazhe për atë se si jetojnë njerëzit në dy vendet.

“Mund të bëjmë edhe më shumë. T’iu tregojmë njerëzve se jemi të njëjtë. Njerëzit normalë nuk i konsiderojnë fqinjët e tyre si armiq dhe mendoj se duhet ta theksojmë këtë për njerëzit normalë dhe të mos e vendosim politikën në qendër”, ka thënë ajo.

Gazetarja e “Blic” madje propozon që gazetarët shqiptarë dhe serbë të mblidhen një herë apo dy herë në vit për ta njohur njëri-tjetrin dhe për t’u njohur me situatën.

Sa i përket gjuhës si problematikë, Ivanovski thotë se nuk e sheh si problem shumë të madh meqë tashmë ka mundësi të shumta për të komunikuar.

“Nuk mendoj se është problem i madh. Kemi shumë mjete që mund t’i përdorim dhe mund ta kuptojmë njëri-tjetrin. Por kur e njeh një gjuhë sigurisht është më e lehtë të qasesh. Por kemi internet dhe me anglisht është më e lehtë kur të dy palët e dinë anglishten është shumë më e lehtë”, thotë ajo.

Mal Qorraj: Gazetarët jo gjithmonë patën sukses në përpjekjet për të ndihmuar pajtimin – shkak, politika

Kryeredaktori i gazetës “Epoka e Re”, Mal Qorraj, thotë se pas asaj që ka ndodhur në vitet 90-ta, gazetarët dhe mediat janë përpjekur që të ndihmojnë procesin e pajtimit dhe ndërtimit të paqes, megjithatë thotë se jo gjithmonë kanë pasur sukses të plotë.

“Pas përfundimit të luftës, mediat janë përpjekur të ndihmojnë në procesin e pajtimit dhe ndërtimit të paqes, megjithëse jo gjithmonë me sukses të plotë sepse ende ndikon politika dhe në të dyja vendet ende nuk kemi një media të pavarur që të pasqyrojë drejt ngjarjet aktuale”, ka thënë kryeredaktori i Epoka e Re.

Ai thotë se gazetarët kanë përgjegjësi të madhe për të bërë raportime të drejta dhe të paanshme.

Qorraj thekson se pavarësisht se gazetaria në Kosovë është përballur me sfida të mëdha, përfshirë presionet politike e etnike, përpjekjet për të raportuar me më kujdes për temat që lidhen me minoritetin dhe procesin e paqes kanë ekzistuar.

“Disa media dhe gazetarë kanë treguar ndjeshmëri të madhe dhe profesionalizëm në trajtimin e këtyre çështjeve”, potencon ai.

Megjithatë, kryeredaktori i Epoka e Re potencon se ka raste edhe kur mediat kanë ndikuar negativisht në thellimin e ndasive dhe në dhunë etnike.

Sa i përket asaj se si mund të përmirësohet situata dhe rritet bashkëpunimi, Qorraj thotë se duhet të ketë më shumë trajnime për gazetarët për raportimin e ndjeshëm dhe të përgjegjshëm për çështjet që lidhen me etninë dhe të drejtat e njeriut.

Ai në fund thotë se duhet fokusuar më shumë edhe tek storiet pozitive që tregojnë për shembuj të historisë së suksesit të bashkëjetesës mes komuniteteve dhe të ketë rritje të bashkëpunimit mes gazetarëve shqiptarë dhe serbë.

Fitim Gashi: Gazetarët duhet të tregohen të kujdesshëm ndaj tendencave instrumentalizuese të politikës që s’i ndihmojnë paqes

Gazetari i Koha Ditore dhe “Sbunker”, Fitim Gashi, thotë se arritja e paqes dhe pajtimit mes serbëve dhe shqiptarëve është dëshmua të jetë proces i komplikuar dhe vështirë që s’varet vetëm nga roli i mediave dhe gazetarëve, megjithatë thotë se gazetarët kanë qenë vendimtar tek procesi i pajtimit mes dy popujve pas asaj qe ka ndodhur në vitin 1999.

Gashi thotë se gazetarët dhe mediat kanë për detyrë që të kërkojnë të vërtetën, ruajnë objektivitetin dhe paanshmërinë në raportim, si dhe të shmangin sensacionin e nuancat patriotike, gjë që ai thotë se hasen në mediat shqiptare dhe serbe.

Ai potencon se gazetarët duhet të tregohen edhe të kujdesshëm kur ka tendenca nga instrumentalizimi nga politikanët për të shtyrë përpara narrativa që s’ndihmojnë në pajtim.

“Gazetarët duhet ta shmangin promovimin e gjuhës së urrejtjes apo dhunës ndaj një komuniteti të caktuar të cilat mund të kontribuojnë në konflikte dhe ndarje të mëtejshme. Ky kujdes duhet të tregohet edhe në rastet kur politikanët tentojnë t’i instrumentalizojnë mediat për t’i shtyrë përpara narrativat që shkojnë në drejtim të kundërt me synimin final arritjen e pajtimit”, thotë gazetari kosovar.

Sa i përket rëndësisë së raportimit për temat djeshme si pajtimi mes serbëve dhe shqiptarëve, Gashi thotë se jo gjithmonë ka ndodhur që të ketë raportime të kujdesshme.

 “Marrë parasysh interesimin e publikut për zhvillimet rreth veriut të Kosovës, i cili që nga paslufta ka qenë në qendër të vëmendjes, e dimë se ka pasur raste kur janë plasuar edhe informata të paverifikuara që kanë mundur të nxisin frikë dhe tensione jo vetëm tek komuniteti serb, por edhe të tjerët”, shton ai.

Gashi: Besimi i komunitetit serb ndaj mediave shqiptare është në nivelin më të ulët

Gazetari kosovar thotë se si rezultat i mungesës së objektivitetit, tendencës për sensacion dhe presionit që vjen nga politika në Beograd, besimi i komunitetit serb në Kosovës ndaj mediave në gjuhën shqipe është në nivelin më të ulët. Gashi thotë se këtë e ka ndjerë edhe në lëkurën e tij.

 “Këtë e kam ndjerë edhe vetë si gazetar terreni që kam mbuluar atë pjesë ku serbët në disa raste kanë hezituar të flasin për shkak të frikës se mund të keqpërdoren fjalët e tyre ose se do të shihen si tradhtarë të serbëve nëse flasin për mediat shqiptare”, ka treguar Gashi.

Gashi: Kërkimet tregojnë se serbët lokalë ushqehen me narracione që synojnë uljen e besimit në institucionet e Kosovës

Sa i përket mjedisit aktual mediatik, Gashi thotë e është i fragmentuar me komunitetin serb që kryesisht informohet nga mediat serbe. Ai tregon se në bazë të kërkimeve që kanë bërë del se serbët e Kosovës shpesh ushqehen me narracione të ndërtuara mbi informacione të rrejshme të cilat për qëllim kanë zbehjen e besimit në institucionet e Kosovës. Target thotë se ka qenë Policia e Kosovës.

“Në bazë të monitorimit të deritashëm në kuadër të Projektit Rajonal Kundër Dezinformimit, ajo që kemi identifikuar është se serbët e Kosovës shpesh ushqehen me narracione që ndërtohen mbi bazën e informacioneve të rrejshme, e që për qëllim kanë minimin dhe zbehjen e besimit të serbëve në institucionet e Kosovës. Target i tyre muajt e fundit ka qenë posaçërisht Policia e Kosovës për shkak të prezencës së shtuar në veri”, ka potencuar Gashi.

Sa i përket asaj se çfarë mund të bëhet nga komuniteti i gazetarëve për të ndihmuar procesin e pajtimit dhe paqes, Gashi thotë se pritjet janë që të bëhen raportime objektive, gjithëpërfshirëse dhe profesionale.

Megjithatë, Gashi thekson se është e vështirë të përmbushet parimi i gjithëpërfshirjes, duke treguar se shpeshherë është e vështirë të merret qëndrimi i palës tjetër – në këtë rast i serbëve – për shkak të paragjykimeve që ekzistojnë ndaj gazetarëve shqiptarë.

Ai thotë se kjo situatë duhet të ndryshohet dhe se gazetarët duhet të bëjnë punën e tyre për të ndihmuar pajtimin përmes luftës së dezinformatave dhe narracioneve, përmes verifikimit të fakteve dhe promovimit të gazetarisë profesionale.

“Gazetarët mund të kontribuojnë në arritjen e pajtimit edhe duke luftuar dezinformatat dhe narracionet që kanë target një komunitet të caktuar përmes verifikimit të fakteve dhe promovimit të gazetarisë profesionale”, shprehet Gashi.

Gashi thotë se rritja e bashkëpunimit mes gazetarëve shqiptarë dhe serbe është një hap i rëndësishëm në procesin e pajtimit dhe paqes edhe nëse politika s’e dëshiron një gjë të tillë. Në fund porosit se duke shkëmbyer përvojat gazetarët serbë dhe shqiptarë mund të ndihmojnë në uljen e paragjykimeve e keqkuptimeve.

Tatjana Lazarevic: Në kohë krizash, nevoja për gazetari profesionale bëhet imperativ

Kryeredaktorja e “KoSsev”, Tatjana Lazarevic, e pyetur nëse gazetarët mund të lënë anash përkatësinë e tyre etnike dhe të raportojnë për tema të ndjeshme si pajtimi mes serbëve dhe shqiptarëve, thotë se gazetarët janë njerëz si në detyrë ashtu edhe jashtë detyrës dhe se çështja mund të shtrohet në atë nëse je profesionist apo jo.

Sa i përket raportimit për tema të ndjeshme, gazetarja serbe që jeton në Veri të Kosovës thotë se duhet pasur kujdes dhe përgatitje shtesë.

“Në zonat ose kohët e krizës, propaganda lulëzon ndërsa hapësira për gazetari cilësore ngushtohet; njëkohësisht nevoja për gazetari profesionale bëhet imperativ. Prandaj, gazetarët në ato zona bëhen lehtësisht shënjestra”, shprehet veteranja e gazetarisë.

Lazarevic potencon se ndihma më e madhe që gazetarët mund ta japin për pajtimin e të dy popujve është raportimi faktual, i ndjeshëm, pluralist si dhe largimi i tabuve.

“Detyra e një gazetari është të raportojë në interesin publik. Detyra e një propagandisti ose spin doktorit është të formojë opinionin publik në drejtimin e dëshiruar ose të promovojë dhe mbrojë drejtpërdrejt grupin e interesit për të cilin punon”, thotë ajo.

Lazarevic: Propaganda s’i pajton popujt

Lazarevic thotë se popujt s’mund të pajtohen me propagandë dhe as me gazetari me cilësi të ulët. Ajo thotë se procesi i pajtimit është tepër i gjatë dhe i dhimbshëm dhe se për të çuar dy popujt drejt pajtimit është e nevojshme të zbulohet e vërteta.

“Kjo përfshin raportimin nga shumë këndvështrime – çfarë janë faktet, verifikimin e realiteteve të ndryshme, madje përvojat e të vërtetës, realitete të shumta, diskutimin e tabuve, përvojat personale, dhimbjen, vuajtjet, dhunën dhe të gjitha temat që rëndojnë dy popujt”, thotë Lazarevic.

Ajo shton se gjithashtu është e nevojshme raportimi për atë që lidh popujt në mënyrë pozitive.

“Hapi i parë është gjithmonë komunikimi, përpjekjet për dialog, dialogu, mirëkuptimi. Këtu roli i gazetarëve është i rëndësishëm. Po ashtu është dhe përgjegjësia e tyre. Pajtimi nuk është vetëm një klikim mbi lajmet pozitive”, shton drejtuesja e KoSSev.

Lazarevic potencon se jo vetëm që ka nevojë për bashkëpunim më të madh të gazetarëve serbë dhe shqiptarë, por thotë se e konsideron dështim të përbashkët ndikimin e bashkëpunimit nga ndarjet etnike.

“Nëse do të ishim vërtet profesionistë në punën tonë, sigurisht që nuk do të ndaheshim sipas linjave etnike edhe pse të gjithë kemi të drejtën e plotë për identitetin tonë etnik”, ka thënë gazetarja serbe.

Lazarevic kritikon raportimet që bëhen në Kosovë dhe Serbi lidhur me pakicat, meqë, sipas saj, raportohet në kontekst negativ dhe stereotipizohen.

“Sigurisht, situata e ngjashme është e anasjelltas kur bëhet fjalë për mediat në gjuhën serbe, ato nën kontrollin e regjimit”, potencon gazetarja.

E pyetur për punën që bën mediumi që drejton sa i përket çështjeve që lidhen me minoritetet dhe rasteve pozitive të bashkëpunimit, Lazarevic thotë se në fokus të veçantë e kanë veriun e Kosovës, por edhe gjithë Kosovën.

Në fund, kryeredaktorja e KoSSev thotë se është krenare për seksionin “Dialog” që e ka në median e saj ku intelektualë serbë e shqiptarë shkruajnë prej vitesh.

“Ato janë një dëshmi e çmuar për kronologjinë e pyetjeve të vështira të një epoke, një thesar. Platforma në KoSSev për të gjithë intelektualët shqiptarë është gjithmonë e hapur me ne”, ka përfunduar gazetarja serbe dhe kryeredaktorja e KoSsev, Tanja Lazarevic.

Arbër Vllahiu: Politika ka kufizuar përpjekjet e gazetarëve për pajtim

Gazetari veteran, Arbër Vllahiu, thotë se pajtimi mes grupeve të ndryshme etnike në Ballkanin Perëndimor ka kaluar nëpër faza të rënda dhe të dhimbshme dhe është diçka e vështirë për t’u bërë. Këtu përmend ndikimin negativ që ka pasur politika dhe përpjekjet për të baraspeshuar krimet.

Ky ndikim politik, Vllahiu thotë se ka kufizuar edhe përpjekjet e gazetarëve për procesin e pajtimit edhe në Kosovë, por edhe në Serbi.

“Mungesa e vullnetit politik për pajtim rrjedhimisht ka ndikime edhe në mjedisin mediatik. Mbi të gjitha, ndikimi politik mbi mediat e këtu flas posaçërisht për një pjesë të tyre në Serbi, e kanë shtrembëruar realitetin duke i fryrë valëve nacionaliste dhe duke e penguar një proces të përafrimit të bashkësive të ndryshme etnike”, është shprehur Vllahiu.

Gazetari kosovar thotë se pajtimi s’është një fjalë rreth së cilës mund të ndërtohen narrativa, por është besim, mirëkuptim dhe mirëbesim. Sipas tij, në situatën aktuale është e vështirë të besohet se pajtimi mund të ndodhë.

“Në Ballkan sot ka më shumë urrejtje, më shumë nacionalizëm dhe më shumë narrativa lufte sesa përpjekje për të përafruar njerëzit”, ka thënë gazetari Vllahiu.

Kur flet për përgjegjësinë e gazetarëve përballë procesit të ndërlikuar të pajtimit, Vllahiu thotë se roli i tyre s’është nxitja dhe fryrja e “zjarreve nacionaliste” as përcjellja e “porosive” politike të çfarëdo regjimi, por bërja e gazetarie të saktë, të paanshme dhe profesionale.

Vllahiu shprehet se mediat në Kosovë dhe Serbi e shohin realitetin e shoqërive të njëra-tjetrës përmes mosbesimit.

“Pa dashur t’i përgjithësoj gjërat, por “mediat në Kosovë dhe ato në Serbi, e shohin realitetin e shoqërive të njëra-tjetrës përmes mosbesimit. Rrjedhimisht gazetarët janë produkt i shoqërive ku jetojnë, i botëkuptimeve, paragjykimeve dhe perceptimeve që ato kanë për veten, për të tjerët dhe posaçërisht për të ashtuquajturit “armiq” që i rrethojnë”, shprehet ai.

Kur flet për Veriun e Kosovës, Vllahiu thotë se është e vetmja pjesë që i “bën bashkë” gazetarët shqiptarë dhe serbë derisa potencon se dallimet në raportime janë të mëdha dhe shpesh herë të patejkalueshme.

Gazetari Vllahiu thotë se pavarësisht politikës dhe tendencës së pushteteve për të kontrolluar mediat e për të përcaktuar mënyrën e raportimit, gazetarët duhet të gjejnë mënyra për të ndryshuar perceptimin në dy anët dhe të kenë ndikim në jetën e njerëzve për të kuptuar rëndësinë e fqinjit.

Vllahiu: Tango vallëzohet me dy veta

Në fund të intervistës, i pyetur për një ide të tijën se çka mund të bëjnë gazetarët më mirë për të ndihmuar paqen dhe pajtimin, Vllahiu thotë se duhet vullnet i madh nga të dy anët.

Ai thotë se duhet të ketë më shumë takime mes gazetarëve për t’u njohur me pasqyrën e vërtetë dhe realitetin meqë në dy shoqëritë ka paragjykime të thella.

““Tango vallëzohet me dy veta” dhe prandaj duhet vullnet më i madh i të gjithëve. Takimet janë një pjesë e asaj që mund të ndryshojë botëkuptimet për njëri-tjetrin, por duhet më shumë takime aktive, që japin pasqyrën e jetës së shoqërive të tyre, që tregojnë realitet”, përfundon Vllahiu.

Agon Maliqi: Mediat në Kosovë kanë luajtur rol më pozitiv në procesin e paqes sesa ato në Serbi

Shkrimitari dhe analisti politik, Agon Maliqi, teksa flet për rolin e mediave dhe gazetarëve në procesin e ndërlikuar të pajtimit dhe paqes mes serbëve dhe shqiptarëve, thotë se mediat në Kosovë kanë luajtur rol më pozitiv sesa ato në Serbi meqë në Serbi politika vazhdon të ushqejë me gjuhë dehumanizuese ndaj shqiptarëve.

“Mendoj se mediat në Kosovë përgjithësisht kanë luajtur rol më pozitiv dhe konstruktiv rreth kësaj çështjeje se ato në Serbi – ku politika shtetërore vazhdon ta ushqejë një gjuhë dehumanizuese ndaj shqiptarëve”, ka thënë analisti Maliqi.

Megjithatë, Maliqi thotë se mediat në Kosovë, si rezultat i polarizimit edhe në vija politike, shumë shpesh kanë luajtur rol edhe negativ, duke rënë pre e narracioneve polarizuese politike dhe populizmit nacionalist.

Maliqi: Në mediat shqipe mungon zëri i serbëve të Kosovës

Sipas tij, faktor që ka ndikuar negativisht është edhe barriera gjuhësore. Ai thotë e në mediat e Kosovës ka mungesë të interesimit të trajtimit të problematikave të serbëve.

“Nga ky prizëm çështjet kryesore, p.sh. në dialogun Kosovë-Serbi nuk janë shqyrtuar në mënyrë kritike, por brenda kornizave populiste dhe kjo shpesh është reflektuar edhe në trajtimin e çështjeve ndëretnike. Gjithashtu – dhe këtu mund të ketë luajtur rol edhe barriera gjuhësore – një problem tjetër e shoh edhe te mungesa e interesimit të mediave shqipe në Kosovë në trajtimin e problematikave dhe perspektivës së serbëve të Kosovës. Pra, mungon zëri i tyre në mediat shqipe”, thotë Maliqi.

Duke folur për raportime që bëhen në mediat e Kosovës dhe rreth asaj nëse gazetarë raportojnë më kujdesshëm për tema që lidhen me minoritetet dhe procesin e pajtimit, Maliqi thotë se ajo që ka ndodhur në marsin e vitit 2004 ka bërë që të rritet kujdesi e që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Maliqi thotë se edhe organet vetërregulluese të mediave kanë luajtur rol të rëndësishëm për mënyrën e raportimit në mediat e Kosovës.

Në fund të intervistës thotë se gazetarët duhet të mundohen sa më shumë që të shkruajnë në mënyrë sa më kritike për tema e të shkuararës* dhe për temat e ditës dhe që të sfidojnë gjuhën polarizuese dhe populist të politikës.

“Ky do të ishte shërbimi më i madh ndaj interesit publik e rrjedhimisht edhe drejt paqes dhe pajtimit. Platformat e bashkëpunimit ndëretnik në mesin e gazetarëve kanë ekzistuar në të shkuarën por duket sikur ka nevojë për një energji të re dhe nisma të reja për brezin e ri të gazetarëve që nuk janë marrë me këtë punë më herët”, mendon analisti politik, Agon Maliqi.

Ky artikull është prodhuar në kuadër të projektit “Nxitja e shkëmbimit mediatik ndërkulturor si një moment historik drejt një procesi të pajtimit”, financuar nga Bashkimi Europian dhe implementuar nga BIRN Serbia, Internews Kosova, KoSSev dhe NDNV. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian dhe/ apo zbatuesve të projektit.