Paqartësi multilaterale në veri të Kosovës - Shënime nga Karantina (7) - Gazeta Express

OP/ED

Gazeta Express

05/04/2020 10:12

Paqartësi multilaterale në veri të Kosovës – Shënime nga Karantina (7)

OP/ED

Gazeta Express

05/04/2020 10:12

Integrimi i plotë i veriut të Kosovës në rendin juridik-politik nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake,  por demokratike. Dhe kjo nuk është punë e vetëm një Qeverie.

Shkruan: Halil Matoshi

Për konfliktin gjysmë të ngrirë në veri, janë fajtor edhe Prishtina zyrtare edhe bashkësia ndërkombëtare, po edhe nacionalistët integristë serbian dhe tek tre palët ekziston mungesë qartësie!?

Cili është morali i akuzave ndaj Qeverisë Kurti sot, kur dje nga zyrtarë të lartë shtetëror kosovarë, është folur për këmbim territoresh ndërmjet dy vendeve, si zgjidhje!?

Përderisa këmbimin e territoreve nuk e njeh si akt ndërmjet shteteve ligji ndërkombëtar dhe, aq më keq kur në momentin e dhënë, Serbia nuk e trajton fare shtet Kosovën!?

Ashiqare që Kosova nuk ka kontrollë efektive, de facto, as në veriun e vet dhe as jugun e Serbisë (Luginën e Preshevës), prandaj ide të tilla që në embrion ishin të dënuara me dështim.

Në kontekstin kosovar, integrimi i plotë i serbëve merr kohë dhe kërkon unitet të plotë të spektrit politik si dhe Raison d’Etat, pra veprim i domosdoshëm i shtetit ligjor, pa i tregu dhëmbët dhe sidomos jashtë retorikave nacionaliste të grupeve politike.

Veriu nuk integrohet me yryshe e akuza të ndërsjella. Grindjet dhe hedhja e fajit gjithnjë tek tjetri, rivali politik, nuk kryejnë punë.

Çështja e integrimit të plotë demokratik të qytetarëve serbë pos çështje e ndërtimit të besimit në sistem, është shndërru me kast në peng të Marrëveshjës përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që presupozon njohjën e ndërsjellë.

Derisa përgjegjës pēr sigurinë dhe kufijtë e jashtëm të Kosovës është NATO (KFOR-i), në asnjë rrethanë nuk mund të ndodhë lëvizje e aktit të kryër.

Aq më tepër në kushte Pandemie, kur shtetet dhe kombet janë bërë bashk për ta përballë Covid19.

Ndonëse, Serbia shfrytëzoi Pandeminë duke e zënë n’zgabim Qeverinë e Kosovës, për ta rikthy autoritetin politik në veri të Kosovës, që vitin e kaluar, pothuajse e kishte humbur terësisht, sepse policia e Kosovës me ndërhyrje efikase, në një rast extra ligjor, e delegjitimoi këtë autoritet atje.

Veriu, në aspektin kushtetues/ligjor është pjesë integrale e Kosovës, përderisa atje ka pika kufitare, ka mbikqyrje të brezit të gjelbër kufitar, funksionojnë pikat doganore, gjykata dhe polici unike të shtetit kosovar.

Por, mungon kontrolli efektiv dhe shtrirja e rendit demokratik, si pasojë e mos pasjës së një oferte të qartë politike të Prishtinës dhe e qëndrimit neutral të faktorit ndërkombëtar karshi këtij problemi.

Në thelb, policia e Kosovës, vitin e kaluar , i  theu “masat” e aplikuara nga Serbia në veri të Kosovës, (që synonin fshehjën e të dyshuarve për krime, pra shmangie nga drejtësia) për çka faktori ndërkombëtar nuk bëzani, pra miratoi në heshtje ndërhyrjēn për zbatimin e ligjit.

Policia e Kosovës, në rast se bëhet fjalë për çështje ligjore, mund t’i thyej kurdo “masat serbe” në veri, por jo në fatkeqësi njerëzore.

Policia kosovare është atje, në krye të detyrave të veta!

Mirëpo, Qeveria duhet të ketë vendim ad acta për nasat në veri të vendit, konform gjendjës në tërë territorin, (por jo masa që edhe në Prishtinë doli të jenë kontestuese, nga aspekti i kushtetutshmënisë) dhe ato t’ua bëjë të ditura zyrtarëve atje, me gojë e me shkrim, paçka se ‘masa’ ka shpallë ilegalisht edhe Beogradi zyrtar.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë duhet ta përfshijnë në çdo aktivitet, veprim e shërbim, pra edhe në ofrimin e ndihmës spitalit dhe QMF-ve në veri, ndërsa Qeveria të ketë linjë të përhershme me zyrtarët atje, për t’ua komunikuar politikat dhe masat shtetërore. Qeveria të ketë qasje integrale dhe humane ndërsa llogaritë rëndom bëhen në fund!