Papunësia dhe jo-aktiviteti i të rinjve në Kosovë - Gazeta Express
string(49) "papunesia-dhe-jo-aktiviteti-i-te-rinjve-ne-kosove"

Papunësia dhe jo-aktiviteti i të rinjve në Kosovë

Gazeta Express

31/08/2020 16:13

”Kam apliku kudo, ama s’po më thirrin as në intervista”, janë fjalët me të cilat N. Gega, 24 vjeçare nga Theranda, Master  i Shkencave Kompjuterike në Universitetin e Prizrenit- tregon për tentimet e pasosura për të gjetur një punë në drejtimin e saj

Nga: Albiona Hajdari

Lexo Edhe:

Pavarësisht se ky sektor po bëhet dita ditës më atraktiv, N.G. nuk po arrin të punësohet. Megjithatë, Gega është vetëm një në mesin e mijëra të rinjve të cilët nuk po arrijnë të kenë një punë. Pavarësisht se rinia paraqet grup-moshën më të madhe të popullsisë, me mbi 35 përqind të moshës 15-24 vjeç dhe mbi 65 përqind  nën moshën 30 vjeçare, duke u konsideruar si një prej pasurive kryesore që ka vendi ynë, papunësia shprehet me një shifër mjaft të lartë.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për vitin 2019, përqindja e të rinjve si të papunë në popullsinë e re është 49.4 përqind, si dhe shkalla e papunësisë tek rinia e gjinisë femërore është më e lartë (60.3 përqind) krahasuar me meshkujt (44.1 përqind).  

Shkollimi ka përmirësuar perspektivat në tregun e punës, në veçanti për meshkujt pasi 63.0 përqind e meshkujve të pashkolluar ishin të papunë, në krahasim me 14.5 përqind të atyre që kishin përfunduar arsimin terciar.

Në AFP-në të vitit 2019, të rinjtë në Kosovë kishin dy herë më shumë gjasa të ishin të papunë në krahasim me të rriturit, me shifra pothuajse të ngjashme për meshkujt dhe femrat. Të gjeturat tregojnë se gjasat për të qenë i/e papunë për më shumë se një vit rriten me moshën. Në Kosovë, grup mosha 25-29 edhe pse grup moshë e re, te femrat papunësia për më shumë se një vit arrin 69.6 përqind krahasuar me 65.1 përqind te meshkujt.

Në raportin e ASK (2019), thuhet se një e treta e popullsisë së të rinjëve në Kosovë kanë qenë të pa-angazhuar në të gjitha format, pra nuk kanë marrë pjesë në shkollë, trajnime dhe punë (NEET). Në AFP-në e po këtij viti, 111,064 të rinj (të moshës 15-24 vjeç) të cilët përbëjnë 32.7% të popullsisë rinore të vendit, janë tërësisht të shkëputur nga tregu i punës. Pjesa e femrave NEET është 34.2% krahasuar me 31.4% të meshkujve.

Sipas dr. Muhamet Mustafa, arsyet e mos-angazhimit të të rinjve dhe shkallës së lartë të papunësisë janë të shumta, por më kryesorja sipas tij është se Kosova në vend që të krijojë rreth 25,000-30,000 vende të reja pune në vit, krijon përgjysmë më pak.
”Kjo buron nga rritja e pamjaftueshme ekonomike (rreth 4% të rritjes vjetore, rreth 7% sa i nevojitet Kosovës për ta ulur papunësinë) dhe investimet ende të vogla të sektorit privat, të cilat duhet të rriten së paku 40% për të rritur gjenerimin e vendeve të nevojshme të punës. Papunësia i godet më shumë të rinjtë, pasiqë ata hyjnë në treg si fillestarë dhe pa përvojë pune” është shprehur ai.

Problemi tjetër sipas Mustafës është mos-përshtatja e nevojave të tregut dhe shkathtësive të punëtorëve.

”Sistemi i arsimit ende nuk ju përshtatet nevojave të tregut të punës në aspektin e diturive dhe sidomos shkathtësive. Ende ka një qasje të vjetëruar ndaj mësimit, mësuarje e memorizim të gjërave të panevojshme dhe mungesë të asaj që duhet të mësojnë të rinjtë, femra dhe meshkuj, të punësohen më lehtë,” ka thënë ai.


”Krahas mungesës së vendeve të reja, kemi edhe këtë papunësi që quhet papunësi strukturore, kur oferta dhe kërkesa në tregun e punës nuk përputhen, e mbesin vende të punës të paplotësuara sepse nuk gjendet fuqia punëtore me shkathtësitë dhe dijet e nevojshme” shton Mustafa.

Sipas tij, femrat e kanë më të vështirë përballjen për shkak të pozitës së tyre në shoqëri.

”Këto probleme i goditin njësoj të rinjtë femra dhe meshkuj, e te femrat ende paraqitet problemi në një kontekst edhe më të vështirë, për shkak të pozitës së femrës në shoqëri përgjithësisht dhe ndarjes së punës brenda familjes, ku meshkujt krijojnë një pozitë më të privilegjuar. Kjo po ndryshon ngadalë, megjithatë problemi esencial është te reformimi pacial dhe joefektiv i arsimit, te rritja e vogël ekonomike dhe investimet e pamjaftueshme,”  thekson ai.

Ndërkohë, gjendja e të rinjve si dhe e kosovarëve në përgjithësi u përkeqësua në vitin 2020. Sipas Bankës Botërore, Pandemia Covid 19 e cila goditi gjithë botën, Kosovën e kishte gjetur me rritje të pasivitetit edhe përpara kësaj krize; 70 mijë kosovarë kriza i gjeti pa punë.

”Pandemia COVID19 ka shpier në mbyllje të ekonomisë duke lënë pa punë numër të madh të të punësuarve. Megjithatë, të rinjtë paraqesin kategorinë më të cenueshme në tregun e punës. Mungesa e përvojës, potenciali i lartë i zëvendësimit të tyre me punëtorë të tjerë, mungesa e kontratave afatgjate apo edhe puna joformale, janë ndër faktorët kryesorë që i bëjnë të rinjtë më të prekur nga rënia e aktivitetit ekonomik,” thotë dr. Fisnik Reçica.

Në raportin e publikuar nga Instituti GAP, COVID-19 bëri që numri i qytetarëve të regjistruar si të papunë pranë zyreve të punësimit të rritet dukshëm. Vetëm në muajin prill 2020, Agjencia e Punësimit bashkë me 34 zyrat e saj lokale kanë regjistruar gjithsej 32,377 punëkërkues të rinj. Kjo ka bërë që numri i punëkërkuesve të regjistruar për periudhën janar-prill 2020 të shkojë në 37,392. Gati gjysma e tyre (16,820) janë gra.

Kategoria 15-24 vjeç përbën një numër të konsiderueshëm prej 48%  të punëkërkuesve gjatë kësaj kohe të Pandemisë (3,697 persona), kurse të moshës 25-39 vjeç kanë kërkuar punë 4,900 persona.

Sa i përket arsimit të punëkërkueseve, pjesa dërmuese apo 60% e këtyre punëkërkuesve janë të pashkolluar, ndërsa 29% kanë përfunduar shkollën fillore dhe të mesmen profesionale. Rreth 7% janë me gjimnaz të përfunduar, ndërsa 4% me arsim të lartë. Prej punëkërkuesve të pashkolluar, me arsim fillor dhe të mesëm shumica janë burra, përveç punëkërkuesve me Bachelor, Master apo PhD të cilat janë gra, thuhet në këtë raport.

 ”Në Kosovë vlerësohet se çdo vit rreth 25,000 të rinj përfshihen në treg të punës për herë të parë, e të cilëve për shkak të mbylljes së ekonomisë iu është minimizuar gjasa për të gjetur një punë. Pjesa tjetër që është në vitet e para të krijimit të përvojës së punës konsiderohen junior. Si të tillë, kompanitë e kanë më lehtë t’i pushojnë nga puna kur ballafaqohen me probleme biznesore. Gjithashtu, një pjesë e të rinjve nuk janë të regjistruar si punëtorë formal, që ua pamundëson të përfitojnë edhe nga masat mbështetëse të qeverisë, e që paraqet humbje të dyfishtë për të rinjtë,” thekson Reçica.

Pandemia ka reduktuar aktivitetin biznesor të pothuajse gjithë sektorëve në Kosovë. Këtë e bën të ditur dr. Reçica, i cili shton se kjo gjendje ka pasur efekt negativ edhe tek ndërmarrësit e rinj.


”Sektori i gastronomisë është ndër sektorët më të prekur, mirëpo të rinjtë e të gjitha sektoreve janë prekur nga pandemia, për shkak se pothuajse në të gjithë sektorët ka pasur reduktim të aktivitetit biznesor, e të rinjtë janë të parët që humbin vendet e punës. Përveç efekteve tek të rinjtë si të punësuar, pandemia COVID19 ka prekur edhe ndërmarrësit e rinj të cilët kanë investuar në aktivitete të ndryshme ndërmarrëse, në sektor të ndryshëm. Marrë parasysh se ndërmarrësit e rinj kanë kapital të vogël rezervë, një numër i madh i këtyre ndërmarrjeve nuk ka mundësi të paguajë qeranë dhe pagat e punëtorëve gjatë kësaj periudhe, e që shpie në falimentim të tyre,”  thotë ai.

Të rinjtë janë kategoria më e prekur në tregun e punës. Arsyet, sipas Fisnik Reçica, janë të ndryshme.

”Shkalla e lartë e informalitetit është një nga shkaktarët pse të rinjtë janë prekur më shumë nga pandemia Covid19. Mirëpo edhe faktorë të tjerë kanë ndikim relativisht të lartë, siç është, mungesa e përvojës, lidhja më e shkurtër dhe më e dobët me punëdhënësit, shkalla më e lartë e mundësisë së zëvendësimit të tyre me punëtorë të tjerë në të ardhmen, kontratat afatshkurtra, etj.”

Megjithatë, përveç se janë shtuar punëkërkues gjatë pandemisë, ndërkohë edhe kreativiteti i të rinjve ka bërë që të gjenerohen vende të reja të punës.

”Të rinjtë janë të prirur të jenë më fleksibil, kreativ dhe inovativ, kështu që edhe në rrethana të pandemisë një pjesë e tyre kanë dëshmuar shkathtësitë ndërmarrëse, përmes zhvillimit dhe ofrimit të shërbimeve digjitale, shërbimeve alternative të distribuimit e të ngjajshme, të cilat kanë gjeneruar vende të reja pune që kryesisht ofrojnë mundësi punësimi për të rinjtë,” thekson Reçica.

“Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Instituti-t Riinvest dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK- së”