Panel diskutimi mbi ekspozitën ‘Përtej’ - Gazeta Express
string(37) "panel-diskutimi-mbi-ekspoziten-pertej"

Panel diskutimi mbi ekspozitën ‘Përtej’

Arte

Gazeta Express

28/09/2022 18:10

Nesër nga ora 19:00 do të mbahet panel diskutimi mbi ekspozitën ‘Përtej’ në hapsirën 17. Në panel për të diskutuar të ftuar janë: Shkelzen Maliqi, Aleksandra Sekulic, Blerta Hoçia dhe Besa Luci.

Ekspozita “Përtej” ishte organizuar si projekt përbashkët i Galerisë Dodona dhe Qendrës për Dekontaminim Kulturor nga Beogradi 25 vite më përpara. Një bashkëpunim historik për kohën dhe rrethanat. Kjo sepse organizimi i ekspozitës në Beograd në rrethanat e atëhershme, kur praktikisht Kosova gjendej para shpërthimit të luftës nuk ishte një iniciative që do të përqafohej nga nivelet qendrore të dy vendeve, qoftë ai i Kosovës qoftë ai i Serbisë. Gjithsesi, parë nga sot, kjo ekspozitë përkundër rrethanave të disfavorshme politike, e bëri historinë e vet. Shënoi lindjen e një brezi të rinj artistësh, pionier të artit bashkëkohor në Kosovë, që u prezantuan me vepra të cilësisë së lartë që korrespondonin me tendencat e avancuara me artin bashkëkohor botëror. Njohës të artit në Beograd por edhe të tjerë ndërkombëtarë, e kanë vlerësuar lartë punën e tyre. Jehona e kësaj ekspozite të guximshme ndihmoi shumë që ky brez i artistëve si dhe një brez i mëvonshëm të afirmohet në skenën internacionale në shkallën që arti i Kosovës s’e ka arritur asnjëherë më parë.
Kështu, duke i dhënë dritë përvojave lokale dhe shkëmbimeve kulturore mes Prishtinës dhe Beogradit, pikënisja e këtij diskutimi do të jetë mbi ekspozitën që qëndron e hapur në Galeria 17 dhe Hotel Grand, për të reflektuar më gjerësisht mbi kapitujt e munguar në këto 25 vitet e fundit.

Lexo Edhe:

Paneli:
Shkelzen Maliqi, filozof, analist politik dhe kritik i artit

Aleksandra Sekulic, drejtore e programit në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd

Blerta Hoçia, artiste dhe kuratore

Besa Luci, kryeredaktore e Kosovo 2.0

Moderimi:
Lura Limani, shkrimtare dhe hulumtuese

Shënim: Ekspozita PËRTEJ – Archiving Transition është pjesë e programit të Manifesta 14

/Gazeta Express