Pandemia dhe llogaritjet gjeopolitike ruse e kineze (3) - Gazeta Express
string(53) "pandemia-dhe-llogaritjet-gjeopolitike-ruse-e-kineze-3"

Pandemia dhe llogaritjet gjeopolitike ruse e kineze (3)

Gazeta Express

06/05/2020 17:40

Kur shkruaj për zona të influencës, nuk mendoj se Kina do të pushtoj territore. Apo do t’i përmbys demokracitë fragjile ballkanike në sisteme autoritare. Por, qasja është që demokracia të jetë liberale dhe shteti gjysmë-autoritar. Nëse e shohim hartën e investimeve kineze është një hapësirë, ku gjeopolitika iu prin investimeve. Më shumë se bashkëpunim normal, mbështetja financiare është përdorur në disa raste si levë për ndikim, duke ua mbyll gojën vendeve ballkanike në institucionet ndërkombëtare kundër Kinës apo ato duke kundërshtuar shtetet perëndimore.

Shkruan: Enver Hoxhaj

Lexo Edhe:

Sot pandemia ka ndalur jetën publike, por përshpejtoi një debat politik jashtë çdo pritje. Më shumë se çdo zhvillim a ngjarje, ajo hapi debatin rreth rendit të ri të mundshëm ndërkombëtar. Kush do të ngritet dhe kush do të bjerë nga skena e ndikimit? Një parashikim për zgjatjen e saj, dhe pasojat në njerëz, në politikë dhe ekonomi janë larg. Mirëpo, ajo shpërfaqi dobësinë e çdo institucioni politik, duke përfshirë shtetet-kombe e deri tek rendi ndërkombëtar liberal. Politika ndërkombëtare ishte ballafaqim i interesave shtetërore të Fuqive të Mëdha dhe të institucioneve multilaterale, të krijuara pas vitit 1945, dhe deri më tani ky ishte rregulli. Por, sa herë flasim për ndryshim në politikë apo shoqëri, do të duhej të na interesonte më shumë përjashtimi se sa parimi. 

Siç thotë Carl Schmitt, përjashtimi është më i rendësishëm se rregulli. Përjashtimi do të thotë çdo gjë, e rregulli asgjë. Përjashtimi e ka fuqinë të thyej çdo gjë, duke shpërthyer për të ndryshuar jetën reale. Apo synon Kina të krijoj një përjashtim qasjen e saj ndaj Serbisë? Është një fakt, se Kina po kërkon rol të fuqisë së butë, me gjoja altruizmin shëndetësor. Ajo po promovon, se bashku me Rusinë, një politikë kinse të përgjegjshme. Mirëpo, çfarë po bën Kina viteve të fundit, diçka që Rusia e ka bërë tërë kohën në Ballkan – zona të influencës në Serbi e tjetërkund, të cilat do të shërbenin pas pandemisë.   

Kur flas për zona të influencës nuk mendoj se Kina do të pushtoj territore. Apo do t’i shndërronte demokracitë fragjile ballkanike në sisteme të shteteve autoritare. Por, qasja është që demokracia të jetë liberale dhe shteti gjysmë-autoritar. Si pasojë, qeveritë nuk do të ishin më pro-evropiane dhe pro-amerikane, por do të ndiqnin një politikë të jashtme policentrike, të hapur njëkohësisht ndaj Brukselit, Uashingtonit, Moskës dhe Pekinit. Përveç Serbisë, Kina ka depërtuar ekonomikisht edhe në disa vende tjera të Ballkanit përmes tregtisë dhe investimeve, duke financuar rrugë, hekurudha, terminale dhe aeroporte.

Nëse e shohim hartën e investime kineze, kuptojmë se është një hapësirë më e madhe, ku gjeopolitika i’u prin investimeve ekonomike. Më shumë se bashkëpunim normal ekonomik, mbështetja financiare është përdorur në disa raste si levë për ndikim politik, duke ua mbyll gojën vendeve ballkanike në institucione ndërkombëtare kundër Kinës. Natyrisht, për të kufizuar ndikimin perëndimor në këto institucione ndërkombëtare, ballkanasit kanë votuar për kandidatët kinezë dhe kanë mbështetur politika globale të saj.                        

Të gjithë kudo në botë kanë filluar të nxjerrin mësime. Edhe ne në Kosovë duhet ta kuptojmë nëse bota po kalon gradualisht në një rend botëror post-COVID-19. Nëse marrëdhëniet mes shteteve të mëdha duken sot më jofunksionale, dhe pas COVID-19 ndodhë një rirreshtim të ri në Ballkan, mundësisht t’i lexojmë paralajmërimet e para. Nuk është me rëndësi vetëm të konstatojmë se po ndryshon rendi ndërkombëtar, por cili është ai ndryshim dhe çka do thotë për Kosovën. Gjithashtu, s’duhet të bëhemi viktimë e kurtheve dhe fantazive anti-perëndimore, që i përhapin rusët dhe kinezët për fundin e rendit liberal botëror, për rënien e Amerikës apo shpërbërjen e BE-së. 

Përtej agresivitetit kinez dhe rus, një çrregullim tjetër në rajon, si pasojë e pandemisë, ishte dështimi i bashkëpunimit rajonal i ndërtuar për shumë kohë dhe me mund. Janë pothuajse 40 organizata dhe institucione multilaterale, por asnjë nga to nuk ndërmorri asgjë. Shuma të mëdha financiare janë dhënë për funksionimin e tyre dhe qindra strategji janë hartuar për to. Misionet e shkruara dhe të bukura në letër, dolën të jenë farsë në këtë kohë krize. Kosova do të luante një rol modest rajonal, meqë e kryeson organizatën më të madhe, Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP). Por, duket se askush nuk e di që e kemi kryesimin e saj. Për më shumë, qeveria bëri një gabim strategjik: e pranoi një ndihmë simbolike nga Serbia, e cila ndoshta ishte pjesë e donacioneve ruse apo kineze për Serbinë, duke i shërbyer imazhit ndërkombëtar të saj. Kjo ndodhi në kohën kur Serbia ishte në qendër të kritikës për bashkëpunimin me Pekinin dhe Moskën. E tash flitej për ndihmën serbe për Kosovën. 

Gjithashtu, nuk u pa askun një bashkëpunim bilateral mes shteteve. Një solidaritet ballkanik për luftimin e COVID-19 nuk u shfaq gjëkundi me ndihma konkrete, ndonjë një takim apo edhe deklaratë të vetme. Pandemia ishte dhe mbeti prioritet i qeverive gjegjëse. Askush s’kishte vëmendjen për ndihmë të fqinjëve, ndonëse dihet pafuqia ekonomike dhe fragjiliteti shëndetësor. Shumë shtete kanë partneritete strategjike, traktate miqësie dhe protokolle të tjera të bashkëpunimit dypalësh, të cilat parashohin reagim në situata emergjente, por ato mbeten letra pa vlerë. Për më keq, as Shqipëria dhe as Kosova nuk u shquan për kurrfarë solidariteti dhe koordinimi, por ato nuk ishin të vetmet në Ballkan.

Shtetet ballkanike mbetën të vetmuara në forcat e tyre kundër pandemisë, nëse s’do të ishte mbështetja amerikane dhe evropiane. Këta treguan, si në të kaluarën, se janë të pazëvendësueshëm. Nëse rajoni e bota po e kalon vetëm valën e parë të COVID-19, dhe kjo gjendje do të zgjasë, Perëndimi duhet të jetë i përkushtuar sikurse disa dekada me parë. Më shumë mbështetje shëndetësore dhe ekonomike gjatë dhe pas pandemisë, por edhe qartësi diplomatike se kush dhe çka po ndodhë në Ballkan. Kështu s’do të lejohet të krijohet një boshllëk, që do të përmbushej nga Rusia dhe Kina. Tash më shumë se kurrë, do duhet të përqendrohet vëmendja amerikane dhe evropiane për ta parandaluar ndërhyrjen ruse apo kineze në rajon, të cilat duan të ravizojne e zgjerojnë zona të influencës së tyre? Lufta për influencë nuk filloi me pandemi dhe për shkak të saj, por për shkak të llogaritjeve të gjeopolitikës.