Sindikata e Re e KEK-ut ka postuar një video, ku një punëtor shihet duke dalë nga brendësia e kaldajës së Bllokut A5. Këto pamje, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i ka quajtur “heroi i kazanit, turpi i qeverisë”.
Ajo alarmon se si punëtori në fjalë del “me rrobat e shqyera dhe pa asnjë pajisje mbrojtëse, në kushte tepër të rënda, duke rrezikuar jetën”.
“Punëtori në video dhe qindra si ai përkundër vështirësive, punojnë pa ndalë që vendi të mos zhytet në terr, derisa tenderët e KEK-ut ndahen në WhatsApp”, shprehet Bajrami.
“Ky është KEK-u nën qeverisjen e Komitetit për Energji të Lëvizjes Vetëvendosje, me tenderë të negociuar pa garë, pa fizibilitet, pa transparencë, si tenderi për ”Rehabilitim dhe Modernizim e A3”, i hapur nga janari i këtij viti – tender 137 milionë euro me negociata, e për të cilin KEK-u as studim fizibiliteti nuk ka, e në anën tjetër, kompanitë e privilegjuara nga ky pushtet bëjnë qindra miliona qarkullim nga importi i energjisë”, deklaron ajo.
“A e dini që ka katër vite që Albini, Artanja dhe të tjerë lavdërohen për fitimet në KEK-ut? Dilni, tregoni sot çka po ndodhë me atë fitim, sepse investime në remonte e modernizim nuk ka, paga më të larta nuk ka, kushte më të mira për punë nuk ka. Tregoni a po gjeneron KEK-u energji duke sakrifikuar edhe remontet, sepse kjo ju lëverdisë tregtarëve të energjisë, pasi që ata fitojnë edhe kur shet edhe kur blen Kosova energji”, vijon Bajrami.
“Për këto pamje nuk pres që të deklarohet Albini, as vartësit e tij. Ai nesër, prapë, vetë i 48-ti, vjen në Kuvend për t’u tallur me qytetarët. Një gjë është e vërtetë se shteti nuk mbahet me propoagandë, por me djersën e këtyre punëtorëve. Prokuroria ka detyrë ta kthejë shtetin nga pengmarrësit te qytetarët”, përfundon ajo.
Postimi i plotë: