Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa pas informacioneve për gara të rrezikshme shpejtësie që janë zhvilluar më 3 korrik 2025, në rrugën “UÇK” në Rahovec, në orët e vona të natës.
Pas veprimeve hetimore, janë identifikuar tri vetura dhe tre persona të dyshuar, të cilët me veprimet e tyre kanë rrezikuar seriozisht sigurinë në trafik.
Sipas Policisë, ndaj të tre kundërvajtësve janë shqiptuar masat ligjore të parapara:
Personit të parë i është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, ndalim i drejtimit të mjeteve për 12 muaj dhe 5 pikë negative në patentë.
Ndaj personit të dytë dhe të tretë, përveç pjesëmarrjes në gara, është konstatuar edhe ngasje pa patentë shofer, për çka janë marrë masa shtesë ligjore.
Policia rajonale në Gjakovë ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin për të identifikuar dhe ndëshkuar çdo kundërvajtje që rrezikon sigurinë në komunikacion.
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të shmangin sjelljet e rrezikshme për të garantuar siguri në rrugë për të gjithë.