Qytetarët kanë nisur ta përdorin urën e re mbi Ibër, për të kaluar nga Mitrovica e Jugut në atë Veriut dhe anasjelltas. Disa nga ta, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë një ditë pas hapjes së urës, thanë se tani lëvizja është më e lehtë.
Një ditë pas hapjes së urës së re për automjete mbi lumin Ibër, që ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shqiptarë dhe në veriun e banuar me serbë, shumë qytetarë e shfrytëzuan atë për të lëvizur mes dy vendbanimeve.Me vetura, këmbas, me biçikleta e me trotinetë, shumica prej kalimtarëve, shqipfolës, u shprehën të lumtur me vendimin për ta hapur këtë urë.Besfort Azemi, banor i Mitrovicës së Jugut, tha se “ndihet shumë mirë” që ura është hapur, dhe se tani lëvizja mes Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut do të jetë më e lehtë.Ai, dhe shumë qytetarë të tjerë, kalonin andej dhe ndaleshin për t’i bërë foto urës së re.Punimet në të ende s’kanë përfunduar, pasi që ende po punohej në trotuaret përreth.Ura e re ndodhet afër urës kryesore të Mitrovicës (në foto), e cila që nga viti 1999 ndan Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut.Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se ndërtimi i urës së re dhe të një tjetre për këmbësorë ka për qëllim t’i lidhë këto dy qytete të ndara etnikisht që nga paslufta.Kjo urë është kundërshtuar nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që gëzon përkrahjen e Beogradit.Bashkimi Evropian insiston se për projekte të tilla duhet të merren parasysh kërkesat e komunitetit lokal.