Qielli i Kosovës është ndriçuar mbrëmë nga një varg dritash të çuditshme që kanë tërhequr vëmendjen e qytetarëve në disa pjesë të vendit.
Pamjet, të cilat janë shpërndarë me shpejtësi në rrjete sociale, tregojnë një seri dritash të ndritshme që lëvizin në formacion të rregullt, duke krijuar një spektakël të pazakontë në qielli, gjatë natës.
Siç duket bëhet fjalë për satelitët Starlink, pjesë e projektit global të kompanisë SpaceX, që synon të sigurojë internet me shpejtësi të lartë në çdo cep të globit.
Satelitët shpesh kalojnë në formacione të tilla gjatë orbitimit të tyre, duke krijuar skena që për disa mund të duken misterioze, por që tashmë janë bërë të zakonshme në shumë vende të botës.
Ky fenomen edhe më herët është parë në disa qytete të Kosovës, ku qytetarët kanë ndarë video dhe fotografi të kalimit të satelitëve.
Projekti Starlink, i drejtuar nga miliarderi Elon Musk, ka hedhur në orbitë mijëra satelitë deri më tani, me qëllim që të zgjerojë mbulimin global të internetit, sidomos në zonat e largëta dhe rurale.
Autoritetet meteorologjike dhe astronomët lokalë kanë sqaruar se fenomeni nuk paraqet asnjë rrezik dhe është thjesht pjesë e një zhvillimi të ri teknologjik që tashmë po bëhet pjesë e përditshmërisë sonë./Telegrafi