Avokati Dastid Pallaska, tha se pajtohet që Gjykata Kushtetuese nuk mund ta zgjidh secilin problem politik në vend, pasi nuk i takon asaj sipas Kushtetutës.
“Gjykata Kushtetuese nuk mundet me zgjidh secilin problem politik në vend, edhe normalisht që nuk i takon as me Kushtetutë”, tha Pallaska.
Sipas tij, vendimet e Gjykatës Kushtetuese më shumë kanë krijuar probleme politike sesa zgjidhje të tyre. Rrjedhimisht, ai thotë se Kushtetuesja është munduar të krijojë varësi të skenës së akterëve politikë në të, ashtu që kjo Gjykatë të faktorizohet politikisht më shumë se që i takon me Kushtetutë.
Në vendimet e ardhshme, Pallaska thotë se Kushtetuesja nuk duhet të lë ndonjë pikëpyetje.
Pallaska tha se Gjykata Kushtetuese ka tri kërkesa para vetes: kërkesa e Presidentes- e cila sipas tij është joserioze dhe duhet të hudhet pasi që nuk ka ndonjë konflikt interesi, ndërsa dy kërkesat e partive opozitare tha se lënë hapësirë që kjo çështje të shterohet në tërësi- e që parimet të cilat vendosen në këtë rast, do të vlejnë edhe për zgjedhjen e Presidentit vitin e ardhshëm.
“Gjykata Kushtetuese nuk mund të zëvendësojë përgjegjësinë apo të ushtrojë përgjegjësinë që kanë partitë në Kuvend, atyre iu kalon përgjegjësia për konstituim të Kuvendit duke nominuar një kandidat tjetër i cili merr shumicën e nevojshme për zhbllokim të procesit”, tha Pallaska.
Avokati tha se nëse sqarohen kriteret përmes vendimit të Kushtetueses, në kuadër të nenit 17 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, do të konstatohej se është keqpërdorur e drejta.
“Ki monopolizim të kryesimit të seancës konstituive edhe kjo është keqpërdorim, pse veç deputeti më i vjetër të udhëheq seancën, cili është roli i deputetes më të re, edhe ajo ka rol, në momentin që ai nuk do të kryejë një funksion, e kryen deputetja më e re, kështu që ka disa keqpërdorime si shmangie nga rendi i ditës e imponimi i rendit të ditës” tha Pallaska.
Gjithashtu, ai tha se partia më e madhe është kufizuar në vendimin e 2014-ës për ushtrim të së drejtës, mirëpo kjo e drejtë erdhi për shkak të rrethanave faktike më 2014 ku nuk ishte thirrur fare seancë- pra nuk ishte ushtruar e drejta. /BetimipërDrejtësi