Pakoja e mbijetesës - Gazeta Express
string(19) "pakoja-e-mbijeteses"

Pakoja e mbijetesës

Gazeta Express

16/04/2020 14:10

Pakoja fiskale e propozuar nga Qeveria e Kosovës, kjo emergjentja, na drejton kah lufta për mbijetesë. Sepse ajo pako drejtohet nga paradigma ekonomike (neoliberale) e stabilitetit financiar, që insiston në mirëmbajtjen e buxhetit dhe financave të balansuara, dhe e cila zhvillimin, punësimin, por edhe mirëqenien, e sheh si rrjedhojë të mundshme, por assesi si qëllim.

Shkruan: Visar Ymeri

Lexo Edhe:

Është e qartë tashmë se cilado krizë e çfarëdo natyre qoftë ajo, shëndetësore, natyrore, por edhe kriza ekonomike që vjen si rrjedhojë, prek më shumti shtresat e varfëra të shoqërisë. Ato që gjenden kah fundi i hierarkisë shoqërore, e të cilat operojnë përmes paradigmës së mbijetesës. Me kalimin e kohës, ato e humbin plotësisht afinitetin për ta ëndërruar një jetë më të mirë. As kjo krizë pandemie nuk është ndryshe.

Kriza ekonomike si pasojë e pandemisë tashmë është fakt global. Kjo krizë, të cilën ekspertët parashikojnë të jetë po aq e thellë sa Depresioni i Madh, nuk do t’i godas të gjithë njëlloj. Sa më të varfëra e të pazhvilluara shtetet, aq më të rëndë do ta kenë krizën. Dhe aq më të vështirë rimëkëmbjen. Njëlloj brenda shoqërisë, shtresat më të varfëra do ta pësojnë shumë më keq nga kriza se sa të kamurit. Pra, kjo është kriza e vërtetë që do të duhej të na preokuponte.

Krizat e tilla, në këtë rast shëndetësore rrjedhimisht ekonomike, nuk e lënë strukturën socio-ekonomike të paprekur. Historikisht krizat e tilla kanë sjellur transformim të thellë shoqëror. P.sh, depresioni i madh e ka prodhuar programin mjaft progresiv New Deal të Presidentit Roosvelt në ShBA, por në anën tjetër e ka ndikuar në mënyrë vendimtare ardhjen e Hitlerit në pushtet në Gjermani. Edhe kjo krizë do të sjellë një transformim shoqëror. Por a do të jetë ky progresiv a regresiv, kjo varet prej politikave që ndiqen gjatë dhe pas krizës. Kryesisht atyre socio-ekonomike. Si do dukemi në pastajshmërinë e kësaj krize: më të barabartë? Apo me hendek të thelluar mes të varfërve dhe të pasurve? Kjo është çështja. Dhe varet nga ajo se si e bëjmë luftën: për të mbijetuar, apo për të fituar.

Pakoja fiskale e propozuar nga Qeveria e Kosovës, kjo emergjentja, na drejton kah lufta për mbijetesë. Sepse ajo pako drejtohet nga paradigma ekonomike (neoliberale) e stabilitetit financiar, që insiston në mirëmbajtjen e buxhetit dhe financave të balansuara, dhe e cila zhvillimin, punësimin, por edhe mirëqenien, e sheh si rrjedhojë të mundshme, por assesi si qëllim.

Një politikë e tillë natyrisht se përshëndetet dhe vlerësohet nga FMN e organizata e tjera, meqë është në vijë me politikën e kahmotshme të proklamuar nga ata, politikë kjo e cila ka krijuar probleme të shumta ekonomike për shumë vende të botës që nga vitet e nëntëdhjeta. Për shkak se e ka dëmtuar kapacitetin e përgjithshëm industrial të vendit përmes hapjes së pakontrolluar të tregjeve, ajo ka shkatërruar skemat e sigurisë shoqërore, e ka rritur hendekun mes të varfërve dhe të pasurve përmes privatizimit korruptiv dhe rrjedhimisht e ka rritur korrupsionin, duke dëmtuar arsimin dhe shëndetësinë publike përmes nënfinancimit, etj.

Por t’i kthehemi pakos sonë. Janë dy probleme madhore me konceptimin e saj dhe paradigmës politike që ajo ndjek. Së pari, duke u përqendruar te mirëmbajtja e bilancit buxhetor e financiar, ajo natyrisht se është e mangët për t’i adresuar ngecjet ekonomike në përgjithësi në Kosovë e lëre më amortizimin e goditjes nga kriza aktuale. Për më tepër se kaq, duke qenë e orientuar në mbijetesë, kjo pako përgjithësisht e ulë kërkesën agregate duke e goditur kështu potencialin ekonomik të paskrizës. Nëse një punëtor do ta kishte rrogën rreth 350 euro, por i cili nuk është paguar këto muaj për shkak të pandemisë, ajo/ai do t’i merr vetëm 170 euro nga fondet publike. Kështu përveç thellimit të varfërisë, ajo/ai do të ketë edhe më pak kapacitet për konsum. Rrjedhimisht më pak kërkesë. Rrjedhimisht do të kemi më pak qarkullim në ekonomi. Këtu natyrisht që duhet ta përmendim faktin se disa kategori marrin më shumë se zakonisht siç janë për shembull rastet sociale, disa pensionistë, si dhe të punësuarit në sektorin publik, të cilët i janë ekspozuar drejtpërdrejt rrezikut për infektim. Por këta në numër janë shumë më pak se sa armata e tërë e të punësuarve në sektorin privat të cilët janë goditur menjëherë dhe pa dallim nga stagnimi ekonomik si rrjedhojë e pandemisë.

Aspekti i dytë problematik i skemës është sheshtësia e saj. Pra, fakti që skema i njëjtëson shumë kategori shoqërore me gjitha dallimet e tyre e mëdha mes tyre. P.sh: A do t’i merr 100 euro shtesë si punëtorja në arkën e supermarketit e cila rrogën e rregullt e ka jo më shumë se 250 euro, si menaxheri i këtij supermarketi i cili sigurisht se të hyrat mujore i ka 800 deri në 1000 euro? Nëse po, pse? E njëjta sheshtësi pastaj bartet edhe te bizneset private, të cilat do të përfitojnë nga skemat e dedikuara për to. Pavarësisht se kemi biznese të cilat qarkullimin vjetor e kanë disa qindra miliona euro e të tjerat memzi ia dalin t’i mbulojnë shpenzimet. Për më tepër se kaq, paratë publike do të duhet të orientohen kah aktiviteti ekonomik që i sjellë më shumë përfitime shoqërisë sonë në përgjithësi, si dhe kah ato sektorë që kanë më shumë mundësi zhvillimi në Kosovë. Nuk mund t’i trajtojmë të gjitha njëjtë.

Paradigma e mbijetesës e mbanë shoqërinë në një stad të ultë zhvillimi. Rrjedhimisht krijon nivel të ultë të zhvillimit të demokracisë. Statistikisht është dëshmuar që përkrahësit më të mëdhenjë të partive e diskursit populist janë shtresat e varfëra të cilat rrjedhimisht janë edhe më pak të arsimuara.

Ndërkohë që e kundërta është e domosdoshme. Kosovës më shumë se kurrë i duhen politika progresive që për synim kanë rishpërndarjen më të barabartë të pasurisë, rritjen e vendeve të kualifikuara të punës, ngritje në pozicionin e zinxhirit të vlerës, kohezion me të lartë shoqëror, e mekanizma efikas barabarësie. Natyrisht se këto nuk arrihen brenda natës e aq më pak në kohë krize. Por kjo krizë mund të na e definojë të ardhmen. Nëse nuk lëvizim drejt progresit do të kthehemi kah regresi shoqëror. Politkat e mbijetesës na shtyjnë kah kjo e dyta. Ndërkohë që globalisht ka filluar të flitet për fundit e modelit neoliberal të shtetit. Do të duhej të njëjtin diskutim ta bëjmë edhe në Kosovë.

(Autori është Drejtor i Institutit për Politika Sociale « Musine Kokalari »)