Debati mbi pagat e funksionarëve në Maqedoninë e Veriut është rikthyer fuqishëm pas miratimit me procedurë të përshpejtuar të paketës ligjore që ul koeficientët e llogaritjes së pagave për deputetët, ministrat, gjyqtarët, prokurorët dhe zyrtarët e tjerë të lartë. Ky veprim vjen në një kohë kur rritja e pagës mesatare në vend do të sillte automatikisht rritje të ndjeshme të pagave të funksionarëve, duke krijuar një kontrast të fortë me nivelin e pagës minimale dhe me realitetin ekonomik të shumicës së qytetarëve, shkruan Zhurnal.
Çfarë ndryshon realisht?
Koeficientët ulen për kryeministrin nga 3.47 në 3.17, për deputetët nga 2.69 në 2.45, për ministrat nga 2.85 në 2.6. Efekti neto, pagat nuk bien ndjeshëm, por thjesht nuk rriten aq sa do të rriteshin me harmonizimin e ri. Në disa raste, diferenca është vetëm disa qindra denarë.
Sindikatat e cilësojnë këtë si “mbajtje të pagave të rritura” dhe jo si ulje reale, duke theksuar se propozimi i tyre për lidhjen e pagës së funksionarëve me pagën minimale (jo mesatare) nuk u mbështet.
Sqarojmë që aktualisht në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Qeveria dhe Kuvendi, paga neto e Kryeministrit është 140.450 denarë (rreth 2.280 €), ndërsa zëvendëskryeministrat marrin 115.540 denarë (rreth 1.880 €), ministrat kanë paga të ngjashme me zëvendëskryeministrat.
Presidenti i shtetit gëzon një pagë më të lartë, e cila arrin rreth 170.000 denarë (afërsisht 2.760 €), ndërsa Kryetari i Kuvendit ka një pagë të veçantë të harmonizuar me nivelin e funksioneve të larta shtetërore, rreth 150.000 denarë (2.430 €).
Deputetët marrin paga dukshëm më të larta se sa niveli mesatar i vendit, të cilat pas harmonizimeve të fundit ligjore janë stabilizuar në rreth 95.000–105.000 denarë (1.540–1.700 €) neto, duke reflektuar koeficientët e rinj të miratuar për funksionarët e zgjedhur. Këto shifra pasqyrojnë transparencën e publikuar dhe debatin e vazhdueshëm mbi nivelin e kompensimit të funksionarëve shtetërorë në raport me ekonominë e vendit.
Kujtojmë që, paga minimale për numrin më të madh të qytetarëve është 26.046 denarë neto (rreth 422 €). Pra, vërehet një diskrepancë e madhe mes pagave të funksionarëve dhe pagës minimale, e që tani pushteti krekoset se nuk ka lejuar rritje pagash për funksionarët. Që e vërteta është faktike dhe numerike pagat e funksionarëve shumëfish janë më të larta sesa ato të qytetarëve që punojnë me nder e zell pa hile e me përkushtim.
Perspektiva e pushtetit dhe opozitës –
VMRO-DPMNE si partia më e madhe në vend dhe pushtet, paraqet si masë për uljen e barrës buxhetore dhe për vendosjen e pagave në përputhje me mundësitë reale të shtetit.
Derisa opozitarja maqedonase LSDM pretendon se nuk ka ulje, por ndalim të rritjes së pritshme. Për ta, ky është manipulim i opinionit publik, sepse nuk mund të quhet “ulje” diçka që nuk është marrë ende.
Sindikatat vazhdojnë të kritikojnë se funksionarët ruajnë privilegjet e tyre, ndërsa punëtorët presin prej vitesh rritje të pagës minimale. Prokurorët dhe gjyqtarët kundërshtojnë ndryshimet duke i cilësuar antikushtetuese dhe si presion mbi pavarësinë e tyre. Ata theksojnë se pagat e tyre janë ndër më të ulëtat në rajon.
Ky debat nuk është thjesht një çështje teknike mbi koeficientët, por më shumë ka të bëjë me çështje politike dhe moralizim nga ana e pushtetit. Në një vend ku paga minimale ende nuk është rritur në nivelin e premtuar, çdo diskutim mbi pagat e funksionarëve është i kotë.
Në planin ekonomik, ndryshimet nuk sjellin kursime të mëdha për buxhetin. Në planin politik, pushteti përpiqet të tregojë ndjeshmëri ndaj krizës sociale, ndërsa opozita e përdor si argument për të akuzuar shumicën për manipulim.
“A janë ulur pagat e funksionarëve?”
Kjo pyetje ka një përgjigje të dyfishtë, teknikisht po, por realisht jo. Ato nuk janë ulur në kuptimin e zakonshëm të fjalës, por thjesht nuk janë rritur aq sa do të rriteshin. Ky dallim është thelbi i debatit pushteti e quan ulje, opozita e quan manipulim, ndërsa qytetarët e shohin si një lojë politike larg halleve të tyre të përditshme.
Prandaj, deri në ndonjë veprim konkret mbetet të shpresohet se një ditë do të ketë harmonizim korrekt e të denjë të pagave për të gjithë të punësuarit. Derisa funksionarëve do duhej tu reduktoheshin privilegjet dhe mëditjet, e deri te pagat që pakrahasimisht janë shumëfish më të larta sesa paga minimale në vend.
tag_katrorimaqedoni_2
Reiseburo Prishtina ka kënaqësinë të njoftojë se duke filluar nga data 28 Qershor, do të ofrohen fluturime direkte dy...