Paga reale bruto vlen sot 130 euro më pak se në 2020-n, zhvlerësimi nga rritja e çmimeve - Gazeta Express
string(87) "paga-reale-bruto-vlen-sot-130-euro-me-pak-se-ne-2020-n-zhvleresimi-nga-rritja-e-cmimeve"

Shqiperi

Gazeta Express

17/09/2025 11:19

Paga reale bruto vlen sot 130 euro më pak se në 2020-n, zhvlerësimi nga rritja e çmimeve

Shqiperi

Gazeta Express

17/09/2025 11:19

Paga reale mesatare mujore bruto ishte vetëm 70,288 lekë në tremujorin e dytë të vitit 2025, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Kjo vlerë ishte 16.3 % më e ulët se paga mesatare mujore bruto prej 83,906 lekësh në të njëjtën periudhë.

Paga reale mesatare mujore bruto është indeksuar me inflacionin (2020=100) nga INSTAT. Në tremujorin e dytë të vitit 2025 paga reale ishte 13,678 lekë më e ulët se paga mesatare. Kjo do të thotë se me rreth 84 mijë lekë, një shqiptar blen sot të njëjtat mallra që në vitin 2020 i blinte me 70.3 mijë lekë.

Të dhënat e fundit për tremujorin e dytë të vitit 2025 tregojnë se paga mesatare mujore arriti 83,906 lekë, ndërsa paga reale prej 70,228 lekë. Krahasuar me vitin 2020 (viti bazë për ICK), rritja është mbi 50% në terma nominalë, por në terma realë rritja rezulton rreth 27%.

Ecuria e pagave në Shqipëri gjatë periudhës 2020–2025 tregojnë një rritje të fortë të nominale, por ecuria e çmimeve ka zbehur rritjen reale të të ardhurave të punonjësve.

Gjatë vitit 2021, pagat nominale u rritën në mbi 59 mijë lekë, ndërsa pagat reale në rreth 57,800 lekë, çka tregon se inflacioni mbeti i ulët dhe rritja e pagave u përkthye drejtpërdrejt në më shumë fuqi blerëse.

Në vitin 2022, ndikimi i rritjes së çmimeve u bë i dukshëm. Edhe pse paga nominale arriti në 66 mijë lekë në fund të vitit, paga reale mbeti në rreth 59,383 lekë, pothuajse në nivelin e vitit të kaluar. Kjo tregon se inflacioni i lartë i asaj periudhe e zbehu ndjeshëm efektin e rritjes së pagave.

Në vitin 2023 rritja e fortë e pagave arriti të tejkalojë inflacionin. Paga reale u ngjit në 64,957 lekë, duke rikuperuar humbjet e një viti më parë, po mbeti shumë më e ulët se paga nominale 75 mijë lekë.

Në vitin 2024, paga reale për herë të parë kaloi pragun e 70 mijë lekëve, në një kohë kur paga nominale arriti mbi 83 mijë lekë. Paga reale ishte sa 84 për qind e pagës mesatare mujore bruto në tremujorin e dytë të vitit 2025, në raport me 90 për qind që ishte në vitin 2022.

Edhe pse politikat për rritjen e pagës minimale dhe pagave në sektorin publik dhe atë privat kanë ndihmuar në rritjen e shpejtë të të ardhurave zyrtare, inflacioni ka neutralizuar pjesën më të madhe të këtij përfitimi. Sipas ekspertëve, rritja e çmimeve të ushqimeve, dhe qirave ka bërë që qytetarët të ndjejnë më pak efektin e rritjes së pagës në jetën e përditshme.

Ecuria e pagës reale tregon se rritja e pagave fillimisht duhet të përmirësojë fuqinë blerëse, në të kundërt diferenca në rritje mes pagës në letër dhe realitetit të konsumatorëve do të vazhdojë të thellohet./monitor.al