Një muaj të plotë deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë punuar asnjë ditë. Kjo për shkak të masës së përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.
Megjithatë, ata e marrin sot, më 30.09.2025, pagën bazë prej 1 mijë e 914 euro.
105 deputetë të Kuvendit të Kosovës, pa llogaritur 15 anëtarë të Qeverisë që nuk e marrin pagën e deputetit, i kushtojnë buxhetit të Kosovës 200 mijë e 970 euro në muaj vetëm për pagat bazë.
Deputetët e Kosovës, megjithatë si pagë përfundimtare marrin më shumë bazuar edhe në vitet e përvojës.
Kuvendi gjatë gjithë muajit shtator është në masë të përkohshme për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, rrjedhimisht deputetët nuk kanë kryer asnjë punë.
Për këtë muaj, ndonëse deputetët e kanë ‘pushim’ ata i kushtojnë buxhetit mbi 200 mijë euro në paga, këtu pa llogaritur shtesën për shkak të viteve të përvojës edhe pa llogaritur pagën që merr Dimal Basha si tanimë kryetar i zgjedhur i Kuvendit dhe Albulena Haxhiu, Kujtim Shala, Vlora Çitaku dhe Emilja Rexhepi si nënkryetarë të zgjedhur.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti pas zgjedhjes si nënkryetare të Kuvendit të Haxhiut e Rexhepit, i kishte liruar nga detyra më 28.08.2025.
Në këtë përllgaritje nuk janë numëruar edhe Albin Kurti, kryeministër në detyrë dhe ministrat e një zëvendësministre e kabinetit qeveritar, për shkak se ata marrin pagë nga Qeveria e jo nga Kuvendi si deputetë.
Gjatë kësaj periudhe të masës së përkohshme, deputetët e kanë të ndaluar çdo veprim apo vendim dhe çdo procedurë të mëtejme për formimin e Qeverisë.
Në këtë periudhë kohore, deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë, nuk kanë punuar, përveç kryetarit të zgjedhur Dimal Basha i cili sipas njoftimeve nga Kuvendi por edhe vet ai në rrjete sociale, ka zhvilluar disa takime. /Kallxo